Bushi vjen në Europë | Ballkani | DW | 02.06.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bushi vjen në Europë

Të hënën presidenti amerikan George W. Bush fillon një udhëtim njëjavor nëpër Evropë. Ndalesa e tij e parë është në Çeki, prej ku do të vazhdojë për në Heiligendamm të Gjermanisë. Më pas në itinerar bëjnë pjesë Polonia, Vatikani, Italia, Shqipëria dhe Bullgaria.

George W. Bush

George W. Bush

Ish ministri amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ndoshta do të thoshte: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zgjedhur para së gjithash vende të të ashtuquajturës Evropë e Re duke e lënë pak a shumë mënjanë atë të vjetër. Por, marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me të ashtuquajturat vende të Evropës së Re, pra vendet ish komuniste, nuk janë më si më parë.

Steven Hadley këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për çështje të sigurisë thotë se raportet me këto vende janë të mira, por: „Kur presidenti tha se ne duhet t'i japim fund tiranisë, nuk kishte parasysh se kjo do të ndodhte menjëherë të nesërmen. Është një luftë për një brez të tërë. Dhe është e rëndësishme për të që ta ripërtërijë thirrjen e tij për luftë për liri. Por ai do t'u kujtojë sërish njerëzve se kjo luftë është e vështirë e se ajo ka nevojë për kohë derisa vendet dhe popujt ta gjejnë vet rrugën e tyre për liri."

Një shenjë që flet për këtë është që politika që ka zgjedhur presidenti ndaj Irakut i ka ftohur marrëdhëniet bilaterale. Italia, si vendi i vetëm antar në BE, që për një kohë shumë të gjatë ka qenë në anën e Shba-ve në Irak, ndërkohë i ka tërhequr ushtarët e saj. Shumë partnerë koalicioni të kryeministrit Romano Prodi duan t'i tërheqin ushtarët italianë edhe nga Afganistani dhe janë kundër zgjerimit të bazës ushtarake të amerikanëve në Viçenca, në afërsi të Venecies. Shumë ngjarje të tjera kanë bërë që marrëdhëniet italo-amerikane të keqësohen, për shembull, vrasja e agjentit të shërbimit të fshehtë Nicola Calipari. Ushtari amerikan që e mendohet të ketë vrarë Caliparin dy vjet më parë, kur ai po shoqëronte gazetaren Giuliana Sgrena për në shtëpi, mbasi ajo ishte i liruar nga pengmarrja në Irak, është akuzuar tashmë në mungesë.

Edhe Papa Benedikti XVI me të cilin do të takohet Bushi në mesazhin e tij të pashkëve ishte ankuar për "masakrën e pafund" në Irak. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë mbi 65 milionë katolikë, shumë prej tyre migrantë. Prandaj edhe, siç thotë Denis McDonough, ekspert Evropian pranë qendrës për progresin amerikan, vizita e Bushit në Vatikan është me karakter politik. „Përveç kësaj është pozitiv fakti, që Papa Benedikti është gjerman dhe shpresojmë se ai mund t'i japë presidentit disa këshilla, se si mund t'I përimirësojnë Shtetet e Bashkuara marrëdhëniet në këtë vend", shton McDonough.

Vizitat e Bushit në Çeki dhe Poloni kanë të bëjnë me planet e amerikanëve për të ndërtuar një mburojë antiraketore për Evropën. Qeveritë e të dy vendeve janë parimisht të gatshme për ta pranuar këtë plan dhe tashmë kanë filluar të zhvillojnë biseda konkrete. Por të dy antarët e BE-së presin si shpërblim, për shembull, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të heqin vizat për qytetarët polakë dhe çekë që duan të udhëtojnë në Amerikë.

Në Çeki Bushi do të hasë me një atmosferë jo shumë pozitive në popull. Dy të tretat e popullsisë e rrefuzojnë ndërtimin e stacioneve të radarëve. Në Pragë, presidenti, qysh në fillim të udhëtimit të tij nëpër Evropë, do të mbajë një fjalim. „Presidenti beson se është shumë e rëndësishme për ne që të sqarojmë se demokracia dhe liria janë mjete kundër ekstremizmit dhe terrrorizmit. Fjalimi i tij është një mundësi për ta sqaruar këtë", thotë Hadley.

Ministrja polake e punëve të jashtme ka thënë se fundi i negociatave për stacionimin e mburojave në vendin e saj është i hapur dhe se ka nevojë për kohë derisa të sqarohen të gjitha çështjet. Polonia pret që ShBA-të si shpërblim të premtojnë partneritet politiko-strategjik dhe ndihmë për ushtrinë. Ndërsa nga mesi i vitit Polonia ka ndër mend t'i tërheqë ushtarët e saj nga Iraku, Çekia dhe Shqipëria do të mbeten të pëfaqësuara nga një trupë simbolike. Shqipëria në fund të vitit lejohet të shtrojë kërkesë për mbështetje financiare nga buxheti ushtarak i ShBA-ve. Bullgaria, e cila është që nga fillimi i vitit antare e BE/së, vazhdon të jetë një nga aleatet më të ngushta të ShBA-ve në Europën Juglindore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar aty tre baza ushtarake dhe vetëm para disa muajsh qeveria bullgare e ka zgjatur edhe për një vit angazhimin e ushtarëve bullgarë në Irak. Qeveria e Sofjes thekson se angazhimi në Irak dëshmon se Bullgaria është një partnere e besueshme.

Këtë e dëgjon me shumë kënaqësi Uashingtoni. McDonough thotë se qeveria e Bushit është përpjekur në mënyrë intensive që të ndërtojë marrëdhënie me vendet e Evropës Juglindore: „Ka shumë zhvillime të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e Kosovës dhe të dy shtetet, Shqipëria dhe Bullgaria, janë të rëndësishme për politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s në Ballkan."

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e përfundon udhëtimin e tij në një vend, i cili pavarësisht nga poltiika në Irak, është tërësisht në anën e tij. Por më parë ai do të jetë shumë i zënë me vendet e tjera, ku i duhet të bëjë sërish reklamë për politikën e tij dhe të kërkojë mbështetje e të rillidhë aleancat e prishura.

  • Data 02.06.2007
  • Autor Christine Bergmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArUj
  • Data 02.06.2007
  • Autor Christine Bergmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArUj
Reklamë