1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani në axhendën e mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave të BE-së

Viron Gjymshana / Bruksel17 Maj 2004

Roli dhe misionet ushtarako – politike të BE-së në Maqedoni dhe Bosnje do të shërbejnë edhe si uvertyrë e bisedimeve të tyre mbi Ballkanin. Megjithëse diskutimet për Ballkanin do të fillojnë në ora 15, ministrat e jashtëm të 25 vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të kenë rastin të shqyrtojnë sot situatën atje edhe gjatë takimit të përbashkët që kanë filluar që në ora 12 me kolegët e tyre të mbrojtjes.

https://p.dw.com/p/ArHI

Kosova si dhe procesi i asocim – stabilitetit me vendet e Europës Juglindore do të jenë çështjet kryesore që do të shqyrtohen nga Këshilli i Ministrave të jashtëm të BE-së. Ndërsa për Kosovën nuk pritet ndonjë qëndrim ose deklaratë e veçantë, përveç nevojës së plotësimit të standarteve para fillimit të bisedimeve për zgjidhjen e statusit të saj, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian pritet që të përshëndesë sot propozimin e Komisionit Europian për hartimin e strategjisë së re ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor e njohur si « Partneriteti europian ». Njëkohësisht po sot pritet që Këshilli i Ministrave t’i kërkojë Komisionit Europian të përgatisë një opinion mbi mundësitë dhe perspektivën e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian. Por burime të Komisionit Europian kanë bërë të ditur me këtë rast se kjo kërkesë nuk do të thotë caktimi i ndonjë date edhe të përafërt të anëtarësimit të Maqedonisë në BE, por vetëm një njohje e mundësive dhe perspektivave të saj për tu anëtarësuar në BE.

Përveç shqyrtimit të situatës në Ballkan, madje para saj nga rëndësia dhe koha që do i kushtojë, Këshilli i Ministrave i BE-së do të diskutojë sot mbi aprovimin e kushtetutës së re europiane si dhe mbi mënyrën dhe procedurat e caktimit të presidentit të ri të Komisionit Europian si dhe përfaqësuesit të tij të posaçëm për politikën e jashtme dhe sigurisë së përbashkët.