1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga takimi i Këshillit të Sigurimit për Kosovën

Aida Cama
11 Qershor 2019

Takimi informues për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, i dyti për këtë vit u mbyll pa ndonjë ndryshim në fronte, pas gati tre orë fjalimesh. Palët akuzojnë njëra tjetrën për gënjeshtra dhe mbështetje të gabuar.

https://p.dw.com/p/3K9PU
USA, New York: UN - Vlora Citaku - Kosovo
Fotografi: picture-alliance/L. Muzi

Takimi informues për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, i dyti për këtë vit u mbyll pa ndonjë ndryshim në fronte, pas gati tre orë fjalimesh nga shefi i UNMIK-ut, Serbia, Kina dhe Rusia, Kosova SHBA, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, dhe vende të tjera ulur në Këshill. Seanca u drejtua nga Kuvajti, që mban presidencën e radhës këtë muaj.

Incidenti me punonjësin rus të UNMIK-ut, larguar tashmë nga Kosova zuri vend në shumë fjalime. Secila palë tregoi versionin e vet për ngjarjen e 28 majit, kur gjatë një operacioni për arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në vepra kriminale, një punonjës i nacionalitetit rus të OKB në Kosovë u lëndua, arrestua, dhe lirua dhe u shpall persona non grata. Po ashtu përdorja e fotografive fallso në parlamentin e Kosovës, për të dëshmuar për dhunën seksuale të konfliktit ka qenë subjekt i fjalimeve të përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë.

Zëvendësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, për çështjet ligjore, Miguel de Serpa Soares, bëri një sqarim për rregullat juridike të imunitetit që ka stafi i OKB në Kosovë, rregulla të vendosura që në gusht të vitit 2000. Sipas tyre, „personeli i UNMIK-ut është imun ndaj proceseve ligjore kur është duke kryer punën zyrtare".Ky imunitet është në interes të UNMIK-ut dhe jo për përfitime të individëve. Një përgjigje përfundimtare për incidentin do të jepet mbas përfundimit të investigimeve, që janë duke u bërë nga një staf ndërkombëtar i OKB.

Zahir Tanin Afghanistan
Zahir Tanin, shef i UNMIKFotografi: Imago

I dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin e quajti gjendjen në Kosovë në „moment delikat”. „Angazhime produktive mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka pasur që nga vjeshta e vitit 2018 dhe, ndërkohë që shumë vëmendje i kushtohet mosmarrëveshjeve dhe provokimeve të përditshme, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që janë duke i ndërlikuar përpjekjet për t'iu kthyer negociatave", tha Tanin. Ai informoi KS për punën për identifikimin e personave të pagjetur dhe tha se është duke përgatitur një raport për punën e bërë për identifikimin e personave në më shumë se 3300 raste.

Ivica Dacic, ministri i jashtëm i Serbisë, është kundër uljes së numrit të takimeve për Kosovën në Këshillin e Sigurimit dhe kundër rishikimit të mandatit të UNMIK-ut. Dacic e quajti situatën në Kosovë, "që ka shkuar nga keq, në shumë keq”. Ai përsëriti thirrjen për dialog dhe zgjidhjen e problemit të Kosovës me paqe dhe kompromis. Dacic iu kthye kërkesës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për komunat serbe, arritur gjashtë vjet më parë, mes tij, Thaçit dhe Ashton. "Mesazhet kërcënuese nga kryeministri i Shqipërisë, për ribashkim të Shqipërisë dhe Kosovë”, i quajti "joserioze”. Ai tha se aksioni i policisë së Kosovës më 28 maj, ka qenë me synimin "për të keqtrajtuar serbët e mbetur në Kosovë”, të cilën si dhe më parë Dacic, e sheh si territor të Serbisë. "Ngjarjet e javëve dhe muajve të fundit në Kosovë, tregojnë se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë më i alarmuar dhe të bëjë më shumë,” tha ai. Ai i quajti bombardimet e NATO-s, në Kosovë "ilegale” dhe nuk iu kthye aspak periudhës së para 1999. Ai foli për personat e zhvendosur dhe tha se 1,9 përqind e serbëve të larguar nga Kosova janë kthyer. 200 mijë të tjerë janë duke qëndruar larg shtëpive. "Kosova multietnike është duke u kthyer në monoetnike”, tha ai dhe foli për "pastrim etnik”. Fshatra ku kanë jetuar më parë serbë, nuk ekzistojnë më. Dacic, tha se në Prishtinë jetojnë sot vetëm 100 serbë, kurse në Prizren, vendin e tij të lindjes, vetëm 23 serbë.

Serbien Außenminister Ivica Dacic
Ivica Dacic, ministër i Jashtëm i SerbisëFotografi: picture alliance/AP Images/D. Vojinovic

Dacic, tha se autoritetet e Prishtinës, janë duke planifikuar të sulmojnë veriun e Kosovës dhe Metohisë. "Ju të gjithë duhet të dini për këtë dhe të ndaloni makinën e luftës së Prishtinës, para se të shkaktohet një gjakderdhje e re,” paralajmëroi Dacic, në një "paralajmërim serioz”, siç e quajti ai vetë.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u përqëndrua në fushatën ofenduese të zyrtarëve serbë, e cila pengon paqen. "Fushata e vazhdueshme për t'i treguar njerëzit e Kosovës, jo si njerëz, portretimi i tyre si inferiorë, të ngjashëm me kafshët e egra,” nuk është gjë e re për ne. Ka ndodhur 100 vjet më parë, ka ndodhur para lufte, ka ndodhur edhe në takimet e Këshillit të Sigurimit disa muaj më parë, kur presidenti i Serbisë bëri thirrje: "a do dalë dikush që t'i zbusë këta njerëz”, "zbutini”, "zbutini”," citon Çitaku të ketë thënë Vuçiç. "Njerëzit e Kosovës nuk do të zbuten. Ata nuk do të nënshtrohen. Dhe ata nuk do të drejtohen kurrë më nga Serbia,” tha Çitaku, duke përmendur edhe citimet e kryeminstres serbe që i quan njerëzit nga Kosova "të dale nga pylli”. Çitaku pyeti Këshillin e Sigurimit me një pyetje retorike për rolin e UNMIK-ut sot. Lidhur me incidentin e 28 majit, Çitaku tha se punonjësi rus i OKB, nuk ka treguar dokumentin e identifikimit si punonjës i OKB, kur ia ka kërkuar policia e Kosovës. Kjo u përdor më vonë nga Rusia për t' i kërkuar z. Tahir Zanin që të konfirmojë informacionin. Ky i fundit nuk dha detaje, për shkak të investigimeve që janë duke vazhduar.

"Kosova ka qenë mikpritëse e shumë diplomatëve të OKB në dy dekadat e fundit. Ata janë miqtë tanë, mentorët tanë, familja jonë. Asnjë nga punonjësit e UNMIK-ut nuk është keqtrajtuar ndonjëherë nga Kosova,” tha Çitaku dhe shtoi se punonjësi rus i UNMIK-ut, ka penguar vendosjen e ligjit në Kosovë.

Çitaku e quajti çlirimin e Kosovës 20 vjet më parë "dekolonizim", një shprehje që ministri i jashtëm serb, e morri si shkak pas mbylljes së takimit, që t'i kthehej delegacionit të Kosovës duke i thënë "ata me të cilët po rrini janë kolonizatorët e Kosovës,” duke iu referuar anëtarëve të delegacioneve nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Përfaqësuesi i Kinës, bëri fjalimin më të shkurtër. Në pak fjali ai tha se zgjidhja duhet gjetur brenda rezolutës 1244 dhe se Kina respekton integritetin e Serbisë.

Ambadori  amerikan, Jonathan R. Cohen e hapi fjalën e tij duke i kujtuar Këshillit të Sigurimit që të përdorë kohën dhe energjitë, aty ku nevojiten më shumë. Ai i kërkoi reduktimin e takimeve për Kosovën dhe kalimin e detyrave të UNMIK-ut tek ekipi kosovar i OKB. Ai i kërkoi Kosovës të heqë tarifat, dhe Serbisë që të mos provokojë dhe të mos vazhdojë të luftojë futjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. "Pavarësia e Kosovës është realitet. Është koha që të ecim përpara, dhe ta lemë të kaluarën mbrapa”, tha ai duke shtuar se SHBA mbështet Kosovën në luftën kundër korrupsionit. Zhvillimi ekonomik dhe zbatimi i ligjit janë prioritetet për Kosovën. Ai dënoi sulmin mbi policinë e Kosovës, gjatë kohës që ndodhej në aksion kundër krimit.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar kërkoi rishikimin e mandatit të UNMIK-ut. Ai shprehu mbështetjen për Gjermaninë dhe Francën, që janë duke rikonfiguruar bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit.

"Këshilli i Sigurimit nuk duhet të përdoret për të rishkruar historinë,” tha zëvendësambasadori gjerman pranë OKB, Jürgen Schulz. Ne duhet të takohemi për të gjetur zgjidhje që çojnë përpara. "Ne do të vazhdojmë përpjekjet, Gjermania dhe Franca, për rifillimin dhe normalizimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, tha Schulz.”Dialogu duket nganjëherë sikur monolog+monolog=dialog, dhe ky është problem serioz,” theksoi ai. Schulz i kërkoi Kosovës të heqë tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe e quajti idenë e "Shqipërisë së Madhe” kundërproduktive. "Qëndrimi ynë është i qartë, se ndryshimi i kufijve, nuk sjell zgjidhje të problemit,” tha ai.

Schulz kërkoi rishikim strategjik të mandatit të UNMIK-ut, sepse "misioni duhet të përshtatet me realitetet e reja”. Detyrat e UNMIK-ut duhet të rishikohen, jo vetëm lidhur me institucionet e Kosovës, por edhe me institucione të tjera, të cilat e kanë bërë të tepërt rolin që luan UNMIK. Schulz përmendi dy shembuj, se si Gjermania dhe partnerët punojnënë Kosovë "për të zbatuar vendimet e Këshillit të Sigurimit dhe siguruar paqen afatgjatë”. Njëra është ngritja e një qendre të orientuar tek të mbijetuarit, që merret me dhunën seksuale në konflikt, sipas rezolutës 2467 të Këshillit të Sigurimit. Shembulli i dytë "që i përgjigjet më shumë nevojave në bazë”, ka të bëjë me një nismë gjermano- franceze për kontrollin e armëve të vogla.  

USA Deutschland und Frankreich teilen sich Vorsitz im Sicherheitsrat der UN
Këshilli i SigurimitFotografi: picture-alliance/dpa/R. Hirschberger

Përfaqësuesja e Francës, Anne Gueguen, vërejti se 20 vjet pas përfundimit të konfliktit, Kosova është duke jetuar në paqe. "Paqe e brishtë. Por paqe që mund të na inkurajojë të shtojmë forcat për të arritur aspiratat e njerëzve të Kosovës,” tha ajo. Franca ka përpiluar një strategji kombëtare për stabilizimin afatgjatë të Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe social dhe forcimin e zbatimit të ligjit. "Strategjia kombëtare e Francës përqëndrohet në masat që duhen marrë në fushën ekonomike dhe sociale, dhe në sektorin e sigurisë dhe në sektorin e mbrojtes dhe ligjit, duke shtuar bashkëpunimin”, shpjegoi Gueguen. Më pas ajo iu kthye dialogut Prishtinë- Beograd, duke e quajtur gjendjen "të paqëndrueshme”, prandaj presidenti Macron dhe kancelarja Merkel morrën nismën për të bërë bashkë liderët e rajonit në muajin prill. "Sfida ishte që të bindeshin palët për dialog dhe përpjekjet janë duke u vazhduar që të arrihet ky objektiv”, tha Gueguen. Ajo i bëri thirrje palëve të mos përdorin fjalime, aksione ose masa që mund të rrisin tensionet.  "E ardhmja europiane e Serbisë dhe Kosovës varet nga marrëveshja që do arrijnë dhe reformat që do të bëjnë për forcimin e ligjit,” theksoi ajo duke e mbyllur fjalimin me sigurimit e "mbështetjes vëllazërore të Francës”.

Ambadorja e Polonisë pranë OKB, Joanna Wronecka, e quajti situatën "stabile por që duhet mbajtur nën vëzhgim”. Ajo kërkoi po ashtu rishikim të mandatit të UNMIK si dhe shtimin e rolit të KFOR-it dhe Eulex në Kosovë. "Më e rëndësishmja është normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. I kërkojmë atyre të marrin si shembull Maqedoninë dhe Greqinë, që mbas shumë vitesh arritën marrëveshje,” tha Wronecka. Ajo i bëri thirrje Kosovës të heqë tarifat dhe Serbisë të mos pengojë Kosovën në organizatat ndërkombëtare. "Polonia mund të ndihmojë Kosovën për të fuqizuar veten,” tha ajo në mbyllje.

USA Pressegespräch mit den Ständigen Vertretern der EU8 in New York
Përfaqësuesit e BE në Këshillin e SigurimitFotografi: UN Photo/M. Elias

Përfaqësuesi i Rusisë, Dmitry Polyanski, zëvendësambasador pranë OKB, e quajti situatën serioze. Ai e quajti fjalimin e Vlora Çitakut, të mbushur me gënjeshtra, nënkuptime dhe fantazi historike që nxisin urrejtjen. "Ngjarjet e 28 majit në veri të Kosovës nuk pasqyrohen në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm,” tha ai. Aktivitetet e policisë së Kosovës, ai i quajti "invazion mbi komunat serbe”. Ai tregoi versionin e tij të incidentit të ndodhur më maj, dhe iu referua fotografive dhe videove që qarkullojnë në internet. Ai e quajti errozion të sigurisë së punonjësve të OKB në Kosovë, mosdënimin nga SHBA të prekjes së imunitetit të punonjësit rus. „Prishtina ka filluar një fushatë kundër OKB dhe kundër Rusisë… Synimi është i qartë, të diskretitohet UNMIK dhe të mbrohet shtetësia me çdo kusht". Ai tha se zyrtarët e Kosovës nuk kanë njohuri sa duhet për të drejtë ndërkombëtare. Po ashtu e quajti rolin e BE në Kosovë, „të diskretituar". Ai akuzoi shqiptarët e Kosovës, se nuk duan të ulen në dialog. Çdo subjekt të Kosovës, Polyanksi, e quan „të ashtuquajtur", si për parlamentin, si për qeverinë, si për kryeministrin etj. Ai pyet për qëllimin e bazës ushtarake në Kosovë,  duke thënë se ai mund të jetë „pranimi i Kosovës në NATO". Ai përsëriti qëndrimin rus për Kosovën, që është „marrëveshje e pranueshme nga të dy palët dhe e bazuar në rezolutën 1244". Marrëveshja e Brukselit e 2013, duhet zbatuar, kërkon përfaqësuesi rus.

Jürgen Schulz, i komentoi deklaratat e kollegut rus për Bashkimin Europian, NATO-n dhe përkrahjen që vendet i japin Kosovës, "si të papërshtatshme dhe ofenduese”.

 Takimi tjetër informues i Këshillit të Sigurimit për Kosovën mbahet më tetor.