1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

As deklaratat kritike nuk e prishin qetësinë e Papës Benedikti i XVI-të

Jörg Seisselberg29 Nëntor 2006

Vatikani relativizon deklaratën pozitive të Papës për anëtarësimin e Turqisë në BE

https://p.dw.com/p/Ar9e
Papa Benedikti i XVI-të
Papa Benedikti i XVI-tëFotografi: AP

Me një mesazh dialogu dhe pajtimi midis të krishterëve dhe myslimanëve e nisi vizitën e tij katërditore në Turqi Papa Benedikti i XVI-të. Ai u prit në aeroport nga kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan. Një prej bashkëbiseduesve të tij të parë në Ankara ishte kreu i autoritetit fetar, Ali Bardakoglu. Kleriku mysliman u përket kritikëve më të ashpër të fjalimit të papës në Regensburg, i cili shkaktoi tendosje në botën myslimane për arsye të citateve kritike mbi profetin Mohamed.

Fillimi nuk ishte i lehtë për papën Benedikt XVI. Nën mbrojtje masive sigurie lëvizte Papa në Ankara: mijëra policë mbikqyrnin aeroportin dhe rrugët ku kalonte Benedikti. Banorët e kryeqytetit turk e ndoqën më tepër me indiferentizëm mbërritjen e udhëheqësit të kishës katolike, vetëm në skajin e qendrës së qytetit pati një demonstratë kundër Papës dhe disa dhjetëra pjesëmarrës.

Benedikti, të cilit i dallohej një tension i veçantë, u tregua në mënyrë demonstrative i butë në bisedimet dhe fjalimet e tij. Gjatë vizitës së tij në selinë e autoritetit fetar ai citoi Papa Gjonin e XXIII-të me një lavdërim të papritur për turqit: "Ai tha: E ndjej që e pëlqej popullin turk, tek i cili më ka dërguar Zoti. I dua turqit dhe i çmoj cilësitë e natyrshme të këtij populli."

Një citat nga goja e Benediktit, i cili u prit dukshëm më mirë prej mikpritësve turq sesa citati i Mohamedit i fjalimit të tij të Regensburgut. Papa nuk e përmendi me asnjë fjalë fjalimin e tij të diskutueshëm të shtatorit. Nga ana tjetër drejtuesi i autoritetit fetar, Bardakoglu, e tematizoi edhe një herë grindjen për citatin e Mohamedit dhe tërthorazi e kritikoi ashpër Papën: "Në këtë kohë shohim një islamofobi, e cila shpreh mentalitetin se feja islame përmban dhunë dhe e mbështet atë; një mentalitet në rritje, e cili shpreh bindjen që feja islame u përhap me shpatë dhe se myslimanët qëndrojnë potencialisht në anën e dhunës."

Udhëheqësit fetarë, tha Bardakoglu në drejtim të Papës Benedikt, duhet të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve të njerëzimit dhe të mos theksojnë epërsinë e besimit të vet. Megjithë kritikën e dukshme publike të bashkëbiseduesit të tij më të rëndësishëm fetar Papa nuk e humbi toruan. Në përgjigjen e tij Benedikti përdori gjuhën e pajtimit dhe kërkoi më shumë mirëkuptim të ndërsjelltë: "Rruga më e mirë për të bërë përpara është ajo e një dialogu autentik midis të krishterëve dhe myslimanëve, i cili mbështetet tek e vërteta dhe frymëzohet prej dëshirës së pastër për ta njohur më mirë tjetrin duke respektuar dallimet dhe duke pranuar të përbashkëtat tona."

Në fjalimin e tij të martën në mbrëmje përpara trupit diplomatik Benedikti paralajmëroi për rreziqet e terrorizmit dhe u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve fetarë, të mos e miratojnë dhunën në emër të besimit.

Kryeministri turk Erdogan e befasoi Papën në mbërritje me një hap të papritur. Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, ai e priti Papën në pistë pas uljes dhe i shtrëngoi dorën miqësisht. Media turke e vlerësoi këtë pas grindjes për fjalimin e Papës në Regensburg si një gjest demonstrativ miqësor të Erdoganit. Në bisedën e mëpasme me dyer të mbyllura Papa u shpreh pozitivisht për anëtarësimin e mundshëm të Ankarasë në Bashkimin Evropian, tha kryeministri turk.

Vatikani e relativizoi këtë deklaratë. Selia e shenjtë, tha zëdhënësi i Papës Lombardi, nuk ka "as pushtetin e as detyrën" për t'u përzierë në çështjen e anëtarësimit në BE. Megjithatë Vatikani e mbështet dhe e inkurajon "rrugën e dialogut dhe të afrimit tek Evropa mbi bazën e vlerave dhe parimeve të përbashkëta."