1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po kthehet terrori sërish? Pas sulmeve në Algjer

Jan Tusing12 Prill 2007

Të mërkurën më 11 prill dy sulme me makina-bombë tronditën kryeqytetin e Agjerisë: një bombë shpërtheu përpara godinës qeveritare në qendër të qytetit dhe tjetra përpara një rajoni policie.

https://p.dw.com/p/ArIu
Viktimat e atentatit dërgohen në spital
Viktimat e atentatit dërgohen në spitalFotografi: picture alliance/dpa

Shumë njerëz gjetën vdekjen, mbi 200 të tjerë u plagosën. Ky është deri më sot sulmi më i rëndë në Algjeri në valën e një serie aktesh terroriste, që disave u ka ngjallur frikën, se po kthehet terrori.

Dhjetra të vdekur dhe mbi 200 të plagosur. Kufoma të sakatuara, godina të shkatërruara, panik në popullsi - pamjet e së mërkurës më 11 prill nga Algjeri janë pamje tmerri dhe të kujtojnë sulmet e shumta të organizatës terroriste islmaike Al Kaida si në Madrid, në Londër apo në Nju Jork.

Për sulmet e fundit e ka marrë përgjegjësinë Al Kaida e Magrebit islamik, një organizatë ndërkombëtare kjo e përbërë nga grupet terroriste afrikano-veriore. Edhe pesë vjet pas luftës civile në Algjeri terrori po vazhdon, thotë Abelha Sherif, gazetare e së përditshmes së njohur algjeriane "Le Matin": "Ajo që më shkon në mendje, është se ne po sillemi në një rreth vicioz. Ne gjatë gjithë kohës sillemi brenda një rrethi të mbyllur dhe unë kam frikë për vendin tim. Njëkohësisht unë kam besim, sepse në popull ka një bazë që ka vullnetin për ndryshime."

Qysh nga fundi i luftës civile në vitin 2002 Algjeria po përpiqet të gjejë rrugën drejt paqes dhe stabilitetit. Por më kot. Pakti i pajtimit i presidentit algjerian, Abdelaziz Buteflika, që synonte të sillte paqen me islamistët, duket se nuk funksionon. Madje organizata terroriste islamike ka shpallur shtrirjen e luftës në të gjithë Magrebin. Gazetarja algjeriane Abelha Sherif ende nuk ka besim se do të arrijet pajtimi:"Me Buteflikën erdhi pajtimi i njohur civil. Por ne pyesnim veten: pajtim me kë? Me vrasësit? Më përdhunuesit e fëmijëve? Me njerëzit, që u prisnin kokën të tjerëve? Në mbarë botën s´kish ndodhur një gjë e tillë, që kasapëve si këtyre t´u shtrihej dora, duke e ditur, që ata janë fajtorë. Nga marrëveshja e pajtimit ne arritëm deri tek amnestia dhe qindra terroristë u amnestuan duke u fshirë prej regjistrit të penaliteteve. A luftohet terrorizmi në këtë mënyrë? Apo mos vallë ne jemi duke e ankoruar dhunën në shoqëri?"

Në fillim të javës kamikacët u hodhën në erë në Kazablakë. Edhe këtu pamjet ishin të ngjashme: kufoma të sakatuara, godina të shkatërruara dhe panik në popull.

Fillimisht Maroku e më pas Algjeria: nuk është rastësi që u prekën pikërisht këto dy shtete të Magrebit, mendojnë ekspertët. El Kaida ndërkohë po përpiqet me intensitet që të ekspandojë në rajon. Terrori po rikthehet. Në fillim të javës katër atentatorë kamikacë vdiqën gjatë kontrolleve në Kazablankë. Autoritetet marokene prej javësh janë vendosur në gjendje alarmi të shkallës së lartë.

Edhe në Tunizi po shtohet numri i arrestimeve ndaj të dyshuarve si islamistë, vë në dukje historiani francez Benjamin Stora: "Ka një formë të re të rezistencës politike dhe sociale brenda klasave dhe brezave të rinj në Magreb, në qytetet e mëdha të Marokut dhe të Algjerisë. Por ne nuk duhet të harrojmë as Tunizinë, ku në fund të vitit 2006 pati një valë sulmesh terroriste fare pranë Tunizit. Si rrjedhojë ushtria tuniziane nisi luftën kundër kësaj vale nëpër periferitë e qyteteve të Tunizisë."

Vala e dhunës në Magreb ndoshta sapo ka filluar, vërejnë vëzhguesit. Si datë të shënuar për luftën Al Kaida ka përzgjedhur përvjetorin e sulmit në Xhebra. Në prill përpara pesë vjetësh një atentator kamikac u hodh në erë përpara sinagogës së ishullit. Si pasojë gjetën vdekjen askohe 20 vetë, ndër ta edhe 14 gjermanë.