1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi i të shtunës: Zgjedhjet e nesërme, testi kryesor për qeverinë e Shrëderit

20 Maj 2005

Tema kryesore e shtypit të sotëm gjerman, janë zgjedhjet e nesërme në landin e Nord Rajn Vestfalisë, të cilat konsiderohen edhe si testi kryesor për disponimin e qytetarëve ndaj Qeverisë së tanishme të kancelarit Gerhard Shrëder. Shumica e komentatorëve mendojnë se humbja e koalicionit kuq e gjelbër do ta fuste vendin në një gjendje pat, sepse qeveria nuk do të mund të zbatonte politikën e saj, ndërsa opozita nuk do të ishte e interesuar të ndihmojë kundërshtarin e dobësuar.

https://p.dw.com/p/ArvS


«Süddeutsche Zeitung» e Mynihut shkruan:

"Fitorja e kandidatit të partive në pushtet, Stainbryk me siguri që do të përmirësonte disponimin në radhët e partive në pushtet. Liderja opozitara Angela Merkel do të përballej me kritika edhe për mundësinë e kandidimit të saj për kancelare. Ndërsa humbja e koalicionit kuq e gjelbër, do të përshpejtonte shkatërrimin e tij. Rënja e koalicionit kuq e gjelbër nuk është vetëm në interesin e opozitës, por do të thoshte edhe shtimin gjithnjë e më të madh të votave për koalicionin zi e verdhë, në zgjedhjet federale të vitit 2006", pohon komentatori i kësaj gazete.

Ndërsa «Kölnische Rundschau» nënvizon:

"Javët e fundit, fushata zgjedhore është përsonalizuar, me ose pa qëllim. Pyetja është Stainbryk apo Rytgers. Kryeministri Steinbryk është i brengosur për faktin se pas gati katër dekada sundimi të socialdemokratëve, ai do të jetë politikani i cili landin do ta dorëzojë në duart e CDU-së. Ndërkohë që Rytgers ka insistuar në mbledhjen e forcave të shkapërderdhura të opozitës dhe është koncentruar në temat e rëndësishme për ardhmërinë. Ai është përqendruar tek strategjia afatgjate. Kandidatët janë dy karaktere plotësisht të kundërta. Mirëpo nuk e kanë ofenduar njëri - tjetrin, që mund të rezultojë edhe me rritjen e numrit të apstinuesve nga zgjedhjet. E keqja më e madhe do të ishte pikërisht mos pjesëmarrje në zgjedhje".

Komentatori i gazetës «Offenburger Tageblatt» nga Dyseldorfi, i cili është edhe kryeqyteti i këtij landi, mendon:

"Në qoftë se votohet sipas pritjeve të tanishme, do të jetë ky një lloj paralajmërimi definitiv i fundit të koalcionit kuq e gjelbër edhe në Berlin. Koalicioni mbase do të mbijetonte deri në zgjedhjet e ardhëshme federale, por nën çfarë kushtesh? Ndoshta do të vie deri te përçarja e hapur mes të majtëve dhe pragmatikëve në partinë socialdemokrate, ekologjistët do të kalonin në distancë ndërkohë që liderja e forcuar opozitare Angela Merkel do të fliste për ndarjen e përgjegjësisë, por është e sigurt se qeveria do të gjendej në një pozitë shumë të vështirë. Për vetë Gjermaninë kjo do të thoshte se për muaj të tërë do të vazhdojë koha e paaftësive për negociata dhe letargjia".

Me spekulimet se çfarë do të ndodhte pas humbjes eventuale në landin i cili konsiderohet si një prej bastioneve të socialdemokratëve, merret sot edhe «Ostthüringer Zeitung»:

"Humbja e koalcionit kuq e gjelbër në Dyseldorf do të ishte sinjal shumë i qartë i zgjedhësve edhe për disponimin ndaj qeverisë në Berlin. Qeverisja në Berlin deri në zgjedhjet e ardhëshme do të ishte pothuajse e pamundëshme, sepse unioni opozitar me siguri që nuk do të ndihmonte sukseset eventuale të kundërshtarit të dobësuar. Për vendin do të ishte e arsyeshme që të mbahen zgjedhjet federale, ndonëse jo edhe për koalicionin qeveritar i cili me siguri që nuk do të këndellej shpejt nga një humbje në këtë land. Në situatat e këtilla nuk ka tepër vend për arsyen e shëndoshë. Mirëpo është shumë e çuditshme që të dyja partitë në pushtet, socialdemorkatët dhe të gjelbërit, të cilat kërcënohen nga fiasko, lejojnë një rrëshqitje të këtillë".

Kështu pohon komentatori i «Ostthüringer Zeitung», ndërsa ai i «Mannheimer Morgen» shtron pyetjen:

"Janë në gjendje socialdemokratët në brigjet e Rinit dhe në krahinën e Rurit të gjejnë një formulë magjike shpëtimi? Në qoftë se po, fitorja do të festohej si një meritë e kryeministrit Per Stainbryk, i cili përkundër dështimeve të shumta do të mundësonte vazhdimin e dominimit 39 vjeçar socialdemokrat edhe për disa vjet të tjera. Në të kundërtën, do të pasojë një termet i vogël politik. Pas humbjes eventuale në këtë land nuk do të mbetej më asnjë koalicion tjetër kuq e gjelbër. Unioni do të mund të luante me Bundesratin, ndërkohë që Angela Merkel do të mund të përgatitej për kandidaturën e saj për kancelare. Ndërkohë që komentatorët do të flasin për zilet e fundit për kancelarin Gerhard Shrëder. Prandaj, zgjedhjet në këtë land, mund të futen në librat e historisë si fillimi i fundit të modelit të qeverisjes kuq e gjelbër. Këto zgjedhje nuk janë pra një test por janë një udhërrëfim për ardhmërinë".