1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së martës (03.03) për konferencën donatore për Rripin e Gazës dhe rrezikun nga falimentimi të kompanisë Opel.

BC/AV3 Mars 2009

Opeli një element i rëndësishëm për fushatën zgjedhore

https://p.dw.com/p/H4bv
Uzinë e Opelit në KaiserslauternFotografi: AP

Donatorët kanë vendosur të ndajnë rreth 4,5 miliardë dollarë për rindërtimin e Rripit të Gazës të shkatërruar në masë gjatë bombardimeve të fundit izraelite. Mirëpo, gazeta "Nürnberger Nachrichten" paralajmëron: "Askush nuk duhet të ketë iluzione se takimi, në të cilin i kushtohet një vëmendje e madhe elementit njerëzor, paraqet një përparim të madh drejt zgjidhjes së problemit. Në fakt kërkimi i një zgjidhje politike për këtë rajon është në pikën më kritike. Perspektiva për gjetjen e zgjidhjes është aktualisht më e keqe se kurrë më parë", mendon komentatori i "Nürnberger Nachrichten".


Ndërsa sa i përket planeve të Opelit për shkëputje nga koncerni amë amerikan General Motors, gazeta "Norbayerischer Kurier" paralajmëron se çështja mbetet e hapur. Ministri i ekonomisë, Karl Theodor zu Guttenberg, për të cilin situata në Opel do të jetë sprova e parë serioze, i ka lënë menaxherët e kompanisë të përpëliten. Ministri nuk do t'u përgjigjet kalkulimeve të zotërinjëve nga selia e General Motors-it në Detroit, që paratë e taksapaguesve gjermanë t´i derdhin në kontot e tyre. Para të shtetit për Opelin mund të jepen vetëm, në qoftë se kompania mëvetësohet. Kjo është e mundur vetëm me miratimin e GM. Guttenberg do të shkojë vetë në SHBA për të biseduar me krerët e koncernit. Nëse ia del, që të hartohet një plan, i cili eliminon rreziqet për shtetin, ky do të ishte një lajm i mirë edhe për kancelaren Angela Merkel. Lajmet e mira në vitin zgjedhor gjithmonë janë të mirëseardhura, konstaton gazeta "Norbayerischer Kurier".


Edhe komentatori i gazetës "Stutgarter Zeitung" mendon se Opeli është një element i rëndësishëm për fushatën zgjedhore.

"Në kushtet normale, përpjekjet e koncernit për të përfituar miliarda të shtetit janë pa gjasa. Se për çfarë nevojash është fjala, dëshmon fakti se shuma e parave të domosdoshme në muajt e fundit është katërfishuar. Shteti nuk duhet të luajë me paratë e taksapaguesve. Megjithatë menaxherët dhe bashkëpunëtorët e Opelit kanë shanse të mira, sepse është edhe në interesin e partive. Kancelarja Merkel me siguri që në vitin zgjedhor nuk do të luajë me mijëra vende pune", pohon "Stutgarter Zeitung".