Shqipëria ftohet të vazhdojë fazën e dytë të programit 'Sfida e Mijëvjeçarit.'
14 Dhjetor 2007Ftesa e sapoardhur nga Uashingtoni është një vlerësim për efikasitetin me të cilin e qeveria e Tiranës përdori fondin prej 13.85 milionë dollarësh, të akorduara nga programi „Sfida e Mijëvjecarit" në fazën e tij të parë.
Me fjalë të tjera kjo do të thotë se Uashingtoni i jep notë pozitive performancës së Tiarnës në administrimin e tatimeve, prokurimet publike, dhe regjistrimin e biznesit.
Si arritje kryesore në këtë drejtim konsiderohet realizimi me sukses i projektit „ one stop shop“ose ndryshe regjistrimi i biznesit në një sportel të vetëm, brenda një kohë të shkurtër si edhe ngritja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve.
Zv. kryeministri Gazmend Oketa, duke përmendur bazën mbi të cilën Shqipëria u ftua të marrë pjesë në fazën e dytë tha se “realizimi i projektit „ One Stop Shop“ është arritja kryesore si edhe shkarkimi on line i dokumentave tatimor, pagesa on line i taksave dhe tatimeve.“.
Lidhur me pjesëmarrjen e Shqiperise në fazën e dytë të programit Sfida e Mijëvjeçarit, Oketa vuri ne dukje se fondi i vënë në dispozicion të qeverisë së Tiranës do të përdoret për“ thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe përmirësimin e qeverisjes.“
Programi quhet 'i Pragut' pasi është ndërtuar për të ndihmuar vendet që janë në "prag" të kualifikimit për Llogarinë Sfida e Mijëvjeçarit (LSM), pra vendet që janë të përkushtuara të ndërmarrin reformat e nevojshme për të përmirësuar rezultatet e politikave dhe mbi kete baze te kualifikohen për mbështetje financiare . Qeverisja e drejtë dhe nxitja e lirisë ekonomike , ulja e varfërisë janë ndër treguersit kryesorë për të përfituar nga kjo llogari.
Faza e dytë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë program fillon në Tetor 2008.