1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse janë armët pjesë e jetës së përditshme të amerikanëve?

Albrecht Ziegler18 Prill 2007

Virginia me një nga ligjet më liberale

https://p.dw.com/p/ArIr
Panair armësh në Ponoma të Kalifornisë
Panair armësh në Ponoma të KalifornisëFotografi: AP

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lejohet përgjithësisht mbajtja e armëve në publik; një situatë e pazakontë ligjore nga këndvështrimi evropian. Një shpjegim përse pistoletat dhe pushkët janë pjesë e jetës së përditshme për amerikanët.

E drejta e armëmbajtjes e përcaktuar në kushtetutë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është tejet e diskutueshme. Në një plotësim të kushtetutës, në shtojcën e dytë, etërit e SHBA kanë përcaktuar në shekullin XVIII, citojmë: 'Meqënëse për sigurinë e një shteti të lirë nevojitet një milici e mirëorganizuar, nuk lejohet kufizimi i së drejtës së popullit për zotërim dhe mbajtje të armëve.' Këtu mbështeten përkrahësit e një legjislacioni libelal për armët në SHBA. Prej kësaj ata derivojnë, që secili ka të drejtën e zotërimit të armëve. Gjykata e lartë e ka konfirmuar këtë interpretim.

Megjithatë ligjet përcaktojnë edhe rrethin e personave të përjashtuar nga ky ligj. Këtu bëjnë pjesë keqbërësit e dënuar me heqje lirie më të gjatë sesa një vit, narkomanët, të sëmurët psiqikë dhe të gjithë personat nën moshën 18 vjeçare. Deri në moshën 21 vjeçare lejohet vetëm shitja e pushkëve si ato me saçme. Në këtë mënyrë synohet ndalimi i shitjes së armëve gjysmëautomatike të rinjve. Ligji i armëmbajtjes në Virginia, shtetin federal ku ngjau masakra e vrasësit në amok, konsiderohet si një prej më liberaleve në SHBA.

Për shembull pistoletat me deri njëzet plumba lejohet të mbahen hapur. Hapur do të thotë në këtë kontekst se dallohet qartë që personi ka me vete një armë. Ky nuk është patjetër një rregull i qartë, sepse pistoletat mund të mbahen për shembull edhe poshtë xhaketës. I lejuar është edhe zotërimi i mitralozëve të lehtë. Megjithatë këta duhen regjistruar në polici; ky rregull nuk vlen për armë të tjera. Në dallim nga shtetet e tjera federale në Virginia nuk ka as kufizim sa i përket numrit të armëve që mund të blihen në një muaj. Sipas njohurive të policisë ekziston edhe një lloj itinerari kontrabande nga Virginia në New York, ku ligjet janë më të rrepta.