Pika të nxehta Kosova dhe Afganistani | Evropa | DW | 26.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pika të nxehta Kosova dhe Afganistani

Në prag të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel

Takim i ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s

Takim i ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s

Në takimin joformal të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel të premten më 26 janar qeveria federale e Gjermanisë pret një vendim paraprak lidhur me angazhimin e mundshëm të avionëve zbulues gjermanë të tipit Tornado. Në politikën e brendshme gjermane një angazhim i tillë është i diskutueshëm, megjithatë partnerët insistojnë.

Në axhendë është edhe tema e Kosovës.

Dy probleme e preokupojnë NATO-n në këtë moment. Situata në Afganistan rrezikon të ashpërsohet. Talibanët e riforcuar i vështirësojnë punën jo vetëm trupave të drejtuara nga NATO-ja, por ato mund të rrëzojnë edhe të gjithë sistemin e instaluar nga Perëndimi. Pasojat praktike dhe simbolike mund të jenë të paparashikueshme.

Çështja e dytë është Kosova: Me interes pritet raporti i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari me rekomandimet e tij mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Ai mund të propozojë një pavarësi të kufizuar. Pasi në Serbi të djelën e shkuar më 21 janar partitë radikale nacionaliste dolën si forca më e madhe nga zgjedhjet, NATO-ja i trëmbet trazirave në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer përpara takimit theksoi, se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi mes NATO-s dhe organizatave të tjera për të dyja këto raste: "Ka shumë për të folur lidhur me Kosovën, ka shumë për të folur edhe lidhur me Afganistanin. Eshtë domosdoshmërisht e nevojshme, që të gjithë pjesëmarrësit në Afganistan të bashkëpunojnë e për këtë i kemi ftuar. Ne kemi nevojë jo vetëm për bashkëpunim mes NATO-s dhe OKB-së, por përshembull edhe për bashkëpunimin mes NATO-s dhe BE-së në rastin e Kosovës."

Për këtë arësye, krahas ministrave të jashtëm të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm ka ftuar edhe përfaqësues të OKB-së, të Bankës Botërore dhe kryediplomatin e BE-së, Havier Solana. Në takim do të diskutohet edhe mbi kërkesën urgjente të ShBA për përforcimin e prezencës në Afganistan, në mënyrë që të mos dështohet në luftën kundër Talibanëve dhe El-Kaidës. Si pjesë e këtij përforcimi NATO-ja preferon edhe aktivizimin në Jug të Afganistanit të avionëve zbulues të ushtrisë gjermane, Tornado. Por një angazhim i tillë po debatohet me zjarr në Gjermani. Qeveria gjermane pret vendimin nga takimi i NATO-s në mënyrë që të dijë si të reagojë.

Më pak e diskutueshme, por ndoshta më akute është çështja e misionit të BE-së në Kosovë.

Shumë shpejt mund të mësohet, nëse trupa e NATO-s KFOR do të duhet të ndërhyjë për të parandaluar përplasjet eventuale mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së de Hop Shefer në këtë drejtim vlerësoi bashkëpunimin mes NATO-s dhe BE-së, por ende ai nuk është plotësisht i kënaqur: "Unë ende besoj, se ka mundësi për përmirësim. Jam i gëzuar, që në BE po flitet për një kontribut të mundshëm për shkollimin e policisë. Eshtë shumë e rëndësishme që mes NATO-s dhe BE-së të diskutohet mbi sektorët e përgjegjësive përkatëse në Kosovë. Pra kemi shumë për të diskutuar."

  • Data 26.01.2007
  • Autor Kristof Haselbah
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar91
  • Data 26.01.2007
  • Autor Kristof Haselbah
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar91