1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

24 Gusht 2004

Në shtypin e Gjermanisë komentohet sot skandali i torturave në Irak në sfondin e procesit gjyqësor kundër ushtarëve amerikanë që kanë keqtrajtuar të burgosurit e Abu Graibit. Në pasqyrën e shtypit do të veçojmë edhe komente rreth rasteve të dopingut në olimpiadën "Athina 2004".

https://p.dw.com/p/Aryk

Në gazetën Süddeutsche Zeitung lexojmë: "Pikërisht në burgun e vjetër të torturave në kohën e regjimit të Sadam Huseinit ushtarët çlirimtarë të Irakut kanë keqatrajtuar, për t´i detyruar të poshtëruarit që të pranojnë fajin. Qeveria e Bushit mund të ankohet ndaj kësaj akuze, duke argumentuar, se kemi të bëjmë me raste të vecanta shkeljesh të kryer nga persona të vecantë dhe se pas torturave në Abu Graib nuk ka ndonjë sistem. Nëse është e vërtetë kjo pritet të mësohet në procesin e hapur dje në Manheim, në bazën ushtarake amerikane. Por që tani mund të thuash se nën presidentin Xhorxh Bush është krijuar një klimë e papërshtatshme për drejtësinë. Nëpunësit qeveritarë duhet të përpilojnë dokumenta për t´u mburrur lidhur me lejimin e torturave. Presidenti madje fjalimin e sivjetshëm mbi gjendjen e kombit e shfrytëzoi si platformë për të atakuar drejtësinë. Një grup ideologësh neo-radikalë sic duket po përpiqet që të zëvendësojë mbizotërimin e së drejtës me sundimin e së djathtës."

Mbi të njëjtën temë e përditshmja "Tageszeitung" vëren: "Zbardhja juridike dhe politike e skandalit të torturave në Abu Graib në SHBA zë vend vetëm në faqet dytësore të gazetave. Kjo cështje ka mbetur nën hijen e duelit Bush-Kerri për shtëpinë e bardhë, duel ky i karakterizuar nga akuzat e ndërsjella personale. Lënia në hije e këtij skandali i vjen për mbarë qeverisë së Bushit dhe Pentagonit, por brenga të reja kërcënon të sjellë këtë javë publikimi i raportit voluminoz mbi hetimet për ngjarjet jo vetëm në burgun famëkeq të Abu Graibit, por edhe në burgje të tjera të SHBA në Irak e në Afganistan. ... Raporti prej 9.000 faqesh që do t´i paraqitet Kongresit, sipas të dhënave paraprake përmban konluzione të rëndësishme se për skandalin e torturave vec ushtarëve të akuzuar janë përgjegjës shumë më tepër persona."

Në gazetën "Frankfuerter Allgemeine Zeitung" botohet një analizë mbi tribunalin ushtarak të Guntanamos që fillon sot në SHBA: "Për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, këtë javë mblidhet tribunali amerikan i luftës, i cili do të shqyrtojë dhe do të vendosë mbi akuzat kundër të burgosurve të huaj për krime lufte. ... Tribunali do të gjykojë rastet e katër të burgosurve të Guantanamos nga Australia, nga Jemeni dhe nga Sudani, të cilët janë përbetuar për organizatën terroriste të Al Kaidës.... Me këtë proces qeveria e Bushit hap një kapitull të ri dhe të diskutueshëm në luftën kundër terrorizmit. Qëkurse presidenti Bush nën hijen e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington autorizoi komisionet ushtarake për përndjekjen e terroristëve të dyshuar për krime lufte nuk po rreshtin kritikat. Organizatat e të drejtave të njeriut kritkojnë, se komisionet ushtarake kanë natyrë partiake."

Së fundi edhe dy citate nga komentet lidhur me zbulimin e rasteve të përdorimit të dopingut në Olimpiadën e Athinës. Në të përditshmen "Hannorvesche Allgemeine Zeitung" lexojmë: "Dopingu
është një problem mbarëbotëror dhe që prek të gjitha disiplinat sportive. Ndonëse peshëngritësit u damkosën me 10 mëkatarë edhe në disiplinën e hedhjes së gjyles u zbulua një rast dopingu. Gjithashtu boksierët, çiklistët, maratonistët e të tjerë sportistë kanë përdorur doping, këtë e kanë vërtetuar analizat e kryera gjatë muajve dhe javëve të fundit. Megjithatë numri i madh i sportistëve të zbuluar nuk ka përse të na dëshpërojë, sepse edhe lufta kundër dopingut ka filluar të jetë e sukseshme. Testet janë efektive, gjithashtu tani ka edhe procedura të tjera për të vërtetuar vlerat e hormoneve të stimuluara."

Gazeta "Stuttgarter Zeitung" komenton: "Kush kërkon gjen, e pra kush heton shumë, gjen shumë. Ndaj publiku duhet të jetë i përgatitur që vlera e medaljeve në olimpiadë varet edhe nga vlera e hormoneve në gjak. Gara mes atyre që manovrojnë me këto vlera dhe kontrolluesve nuk mund të ndalet një herë e përgjithmonë. Kjo pasi përparimi i teknikës mjekësore nuk ka të ndalur dhe nga ana tjetër asnjëherë nuk mund të llogarisësh me pastrimin e plotë të ndërgjegjes së pjesëmarrësve."