1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

7 Dhjetor 2004

Komente dhe kryeartikuj në gazetat e sotme të Gjermanisë i kushtohen kongresit të partisë kristjandemokrate në Dyseldorf, ku Angela Merkel u rizgjodh kryetare e partisë, si dhe vizitës së kancelarit Gerhard Shrëder në Kinë.

https://p.dw.com/p/Arxh
Fotografi: dpa

Rreth marrëdhënieve me Kinën dhe vizitën e Gerhard Shrëderit atje, e përditshmja "Neue Osnabrücker Zeitung" vëren: "Qëllimi justifikon mjetin, nën këtë moto, nëse ndjek me vënemdnje vizitën e kancelarit në Kinë mund të arrish në përfundimin, se çeku justifikon mjetin. Kontratat disa miliardëshe të nënshkruara i zënë frymën kritikës për politikën jodemokratike të Pekinit kundrejt shtetasve të vet. Shrëderi e konsideron veten si pararojë të ekonomisë gjermane dhe këtë rol ai e luan mjaft mirë. Debatet lidhur me të drejtat e njeriut ai i lë me insistim pas dore, aq sa shtrohet pyetja: a nuk mund të bëjë ai ndryshe? Natyrisht që duhet ta pranojmë, se Kina në mënyrë të pandalshme po synon të arrijë majat e ekonomisë botërore. Kush do që të mos mbetet pas në këtë kurs duhet të kujdeset qysh tani. Nëse p.sh. dikush refuzon tregtinë me Pekinin për arësye morale, shumë shpejt mund të humbasë në konkurrencën ndërkombëtare. Ndaj Shrëderi ndodhet përballë dilemës: vende pune në Gjermani në këmbim ndoshta të mbështetjes që jep Pekini për pranimin e Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit, apo të drejtat e njeriut në Kinë? Shrëderi vendos për interesat e vendit të tij. Megjithatë kritika është e nevojshme", komenton "Neue Osnabrücker Zeitung.

"Financial Times Deutschland" shënon: "Ndonëse duket paradoksale
është fakt që me miqësinë e tij demonstrative ndaj Kinës kancelari nuk ka mundur ta zgjerojë hapësirën e vet diplomatike kundrejt fuqisë së madhe aziatike në rritje. Përkundrazi: influenca e tij në Pekin duket se po zvogëlohet. Shrëder ka të njëjtin fat si edhe kryeministrat e tjerë evropianë, të cilët shohin tek Kina shpëtimin e ekonomive të vendeve të tyre, por që nga pikëpamja politike i kundërvihen gjithnjë e më pak qeverisë së Pekinit. Sot Kina mund të pranojë t´i thuhet dicka më së shumti vetëm prej SHBA, që i rrespektojnë si të vetmen superfuqi që ka mbetur. Udhëzimet nga Evropa hasin në veshin e shurdhër të qeverisë kineze", shkruan "Financial Times Deutschland".

Mbi të njëjtën temë gazeta "Kieler Nachrichten" boton një intervistë me kryetarin e fraksionit parlamentar të partisë liberale, Volfgang Gerhard, i cili kritikon Shrëderin që nuk e ka prekur cështjen e të drejtave të njeriut në Kinë: Qëndrimi i tërhequr ndaj Pekinit nuk është aspak në përputhje me tonin e ashpër të qeverisë ndaj gjendjes në kampin e Guantanamos dhe qeverisë së Bushit. "Krahas bashkëpunimit ekonomik, partnerit të bisedimeve mund t´i bëhet e qartë, se ç´mendojmë ne për të drejtat e njeriut. Përdorimi i dy kuteve të ndryshme është një dimension i ri i papranueshëm në politikën e jashtme gjermane", thekson liberali Volfgang Gerhard për gazetën "Kieler Nachrichten".

Lidhur me kongresin e partisë kristjandemokrate të Gjermanisë, CDU, dhe rizgjedhjen e Angela Merkelit kryetare të kësaj partie, e përditshmja "Handelsblatt" komenton: "Gara për kandidaturën për postin e kancelarit nuk është mbyllur. Në vështrimin e parë duket se Angela Merkel ia ka dalë mbanë: CDU me shumicë të konsiderueshme e rizgjodhi atë në krye të partisë. Por me këtë Merkel nuk mund të pretendojë edhe kandidaturën për kancelare: sepse rezultati i votimit ishte shumë më i dobët se përpara dy vjetësh. Këtë fitore madje mund ta intepretosh edhe si humbje, sepse doli qartë në pah që partia nuk e mbështet plotësisht dhe e vendosur Angela Merkelin", vëren "Handelsblatt".

Në artikullin e "Fränkischer Tag" që botohet në Bamberg komentohet si më poshtë: "Që delegatët e partisë nuk janë makina votimi, por që edhe ndjenjat e tyre luajnë një rol, këtë e dëshmoi mësë miri kongresi i CDU-së në Dyseldorf. Askush nuk habitet nga fakti që të gjithë përkrahësit e politikanit Friedrich Merz, që dha dorëheqjen nga postet partike, i kanë dhënë Merkelit një mësim të mirë. Por ata kanë bërë edhe një gabim: ç´mund të presin zgjedhësit nga një parti që lëngon prej përçarjeve të brendëshme? Ç´mund të mendojnë zgjedhësit kur mbi 10% e antarëve të partisë refuzojnë ta përkrahin kryetaren e saj, të cilën pak minuta përpara votimit e duartrokitën në mënyrë frenetike", pyet komentatori i "Fränkische Zeitung".

Së fundi edhe një opinion të gazetës së Gerës "Ostthüringer Zeitung": "Dje në Dyseldorf Angela Merkel kishte për qëllim të ngjiste copëzat e porcelanit të thyer dhe të rifitonte besimin e humbur. Matur nga duatrokitjet dhe rezultati i votimit (me 88% të votave) kryetarja e partisë mund të thuhet se ia arriti qëllimit. Por kjo nuk mund të na i heqë dyshimin, se Merkel nuk ka ofruar zgjidhje. Të atakojmë qeverinë tha ajo, por mbeti e hapur se si duhet bërë kjo. Reforma të CDU-së, po, por nëse këto reforma janë vetëm ajo fiskale dhe e shëndetësisë, apo nëse do të pasojnë projekte të tjera, kjo nuk u tha. Edhe nëse Angela Merkel ka arritur të bashkojë radhët e partisë, prej një kryetarjeje të CDU-së me pretendimin për kancelare duhet të presësh shumë më tepër se sa vetëm një masazh politik për shpirtin e lodhur pas javëve të vështira", konkludon "Ostthüringer Zeitung".