Përqëndrimi shkollave të minoritetit dhe kundërshtitë e saj
Në rajonin jugor të Shqipërisë ku jeton dhe pakica greke, arsimi 9 vjeçar ka funksionuar në çdo fshat pavarësisht numrit të nxënësve shpesh një, dy apo katër vetë. Për t`i dhënë një impuls të ri arsimimit të nxënësve minoritarë ka nisur të realizohet një projekt i përqëndrimit të tyre në shkolla me infrastrukturë e didaktikë të pasur mësimore, duke siguruar dhe transportin e tyre.
Drejtori drejtorisë rajonale të arsimit për Rajonin e Gjirokastrës Arjan Pano thotë se: "Për arsye të mësimdhënies e mësimnxënies për këta fëmijë, sepse në këto shkolla nuk ka numër të konsiderueshëm nxënësish ne kemi menduar bashkimin e tyre në dy qëndra, siç në Bularat dhe në Dervician. Në këto shkolla ambjentet janë më të këndshme, baza materiale e didaktike është e nivelit të duhur, njëkohësisht dhe niveli mësuesve është shumë më i lartë dhe i kualifikuar, se në ato shkolla ku ata kanë qënë më parë".
Cënim i të drejtave të pakicave për arsimim në gjuhën amtare?
Por, kjo strategji e përqëndrimit të shkollave duket se ka hasur edhe në zëra kundërshtues, që e shohin atë si reduktim të të drejtave të pakicave për arsimim në gjuhën amtare. Ish-kryetar i organizatës Omonia, Jani Jani thotë se: "Arsimi në minoritetin etnik grek është një shqetësim yni dhe një problem. Mund të them këtu se ky problem nuk përballohet në fakt ashtu si duhet nga ana e qeverisë shqiptare që është e detyruar ta përballojë. Kemi bërë gjithnjë propozime".
Në Gjirokastër, të gjithë fëmijët e pakicës greke studiojnë në një shkollë të vetme. Drejtoresha e shkollës së monirotetit grek në Gjirokastër, Katerina Dino thotë se : "Fëmijët minoritarë në Gjirokastër, kanë të drejtën e tyre të shkollohen sepse këtu ekziston prej vitesh shkolla 9-vjeçare e degës greqisht, e inkuadruar pranë shkollës “Urani Rumbo'. Kemi gjithësej 140 nxënës, 9 klasa. Çdo klasë ka mësuesin e vet dhe janë të përqëndruar në një ambjent e konkretisht në ambjentet afër shkollës Pedagogjike, me qëllimin që dhe këtu vazhdon shkolla e mesme e degës greqisht dhe zhvillohen edhe praktikat brenda kuadrit të kësaj shkolle".
Alternativa arsimit privat?
Por drejtues të minoritetit grek në Shqipëri shprehen se krahas arsimit publik mungojnë alternativat e arsimit privat, pasi ka boshllëqe në legjislacion. Kosta Makarjadhi, hedh idenë e arsimit privat si alternativë zhvillimi për pakicat etnike: "Ekziston një boshllëk ligjor dhe në trajtë vendimesh të karakterit ekzekutiv për vendin tonë, të cilat e kanë burimin nga qënia e minoritarëve etnikë dhe jo vetëm, edhe ata gjuhësorë si qytetarë të Republikës, dhe nga detyrimet që ka shteti ndaj konventave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve gjuhësore, e ky boshllëk ligjor do të mbushë këto konstatime, që kanë të bëjnë me mungesën e alternativave".
Shteti shqiptar në politikat arsimore i ka përmbushur gjithë detyrimet që rrjedhin nga Konventa kuadër për arsimimin e minoriteteve në gjuhën amtare. Përqëndrimi shkollave, siç thotë Prof.doktor Roland Zisi, dekan i fakultetit të shkencave e të edukimit në universitetin “Eqerem Cabej“, kryhet për të mbërritur në një standart të ri edhe më të lartë në plotësimin e këtij detyrimi. "Eksperienca ime personale, jo vetëm si mësues por dhe si drejtues i arsimit në Gjirokastër dhe tani si dekan i fakultetit të shkencave e të edukimit, kam arritur në përfundimin që modaliteti më objektiv për arsimimin e nxënësve që i përket pakicave kombëtare është ai i të përqëndruarit në një shkollë të vetme, për arsye thjesht didaktike e pedagogjike".
Autor: Odise Kote
Redaktoi: Aida Cama