1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e brendshëm evropianë diskutojnë mbi politikën ndaj klandestinëve ilegalë

Barbara Wesel1 Tetor 2004

Ministrat e brendshëm evropianë u takuan të enjten e kaluar në qytetin bregdetar hollandez Shevingen për të biseduar mbi idenë e ministrit të brendshëm gjerman Oto Shili. Ideja e tij është që në Afrikë të ndërtohen kampe refugjatësh për klandestinët që vijnë nga Afrika Veriore për në Evropë. Në këtë takim jozyrtar morri pjesë edhe ministri amerikan i drejtësisë Xhon Ashkroft. Ashkroft tha se lufta e përbashkët kundër terrorizmit është një armë e suksesshme.

https://p.dw.com/p/ArGI
Ministri i brendshëm gjerman Oto Shili kërkon ta mbrojë Evropën nga klandestinët
Ministri i brendshëm gjerman Oto Shili kërkon ta mbrojë Evropën nga klandestinëtFotografi: AP

Tema e kampit të refugjatëve u kthye në temën qëndrore të takimit të 25 ministrave të brendshëm evropianë që pa filluar ende bisedimet e tyre. Pothuajse të gjitha pyetjet e gazetarëve fokusoheshin tek një temë: Si do të mund të ndërtohen kampe të tilla refugjatësh, në të cilat klandestinët afrikanë do të mbahen të arrestuar apo deri sa të kthehen mbrapsht që përpara se ta kalojnë kufirin me Evropën?

Ministri i brendshëm gjerman Oto Shili, i cili përpiqej të mbronte idenë e tij, nuk deshi ta dëgjojë fjalën "kamp". Ai preferon fjalën "qendër pritjeje" për ndërtesat në fjalë. Por ende nuk është sqaruar se si do të jenë praktikisht këto ndërtesa apo se kush do t´i administrojë dhe financojë ato. Organizata e Kombeve të Bashkuara UNHCR dhe Kryqi i Kuq ishin përmendur më parë si organizatore të mundshme për kampe të tilla.

Ndonëse ideja e tij u kritikua ashpër, ministri i brendshëm gjerman Oto Shili mendon se kjo do të ishte një zgjidhje e mirë e problemit me klandestinët në Evropë:

"Ne mund të rrimë e të presim deri sa problemet të vijnë tek ne në Evropë dhe te shohim pastaj se si mund t´i zgjidhim ato përpara si të thuash derës së shtëpisë, ose mund të veprojmë paraprakisht duke i shmangur problemet në mënyrë aktive. Këto janë alternativat dhe unë do të preferoja këtë të dytën" - u shpreh Oto Shili.

Shmangia aktive e problemit do të ishte në këtë rast në brigjet e detit Mesdhe, pra në Tunezi, Marok apo Libi, vende këto që klandestinët nga Afrika duhet t´i kalojnë detyrimisht për të hyrë në Evropë.

"Me këtë projekt ne do të mund të forcojmë idetë evropiane për mbrojtjen nga emigracioni ilegal" - thekson Shili.


Emigracioni ilegal sjell shumë krimnalitet, punë pa leje dhe trafik më të dendur droge. Në brigjet e Italisë jugore më datën 30 shtator hyri një varkë e re me 500 klandestinë. Shili e morri këtë fakt si një arsye më shumë për ta pranuar propozimin e tij. Madje, thotë ai, ky propozim ka një aspekt njerëzor:

"Ne duhet të gjejmë një mundësi për të shpëtuar ata njerëz që rrezikojnë jetën e tyre për të ardhur deri këtu."


Por ministri i brendshëm suedez protestoi kundër idesë së Oto Shilit. Kjo nuk mund të jetë zgjidhja e problemit. Edhe homologu i tij spanjoll paralajmëroi se BE nuk mund të bjerë nën nivelin dhe standartin që ka arritur prej kohësh. Por shumë shtete evropiane si Italia, Austria apo Britania e Madhe e përshëndetën propozimin e ministrit të brendshëm gjerman Shili dhe kërkuar që BE të hartojë më shumë plane të tilla.