1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171110 D Innenministerkonferenz

18 Nëntor 2010

Në konferencën dyditore të ministrave të brendshëm të landeve gjermane që fillon sot në Hamburg, do të trajtohen shumë tema të rëndësishme. Me interes të veçantë pritet debati për reformimin e të drejtave të të huajve.

https://p.dw.com/p/QCLM
Në Hamburg fillon sot konferenca e ministrave të brendshëm
Në Hamburg fillon sot konferenca e ministrave të brendshëmFotografi: AP

Në të ardhmen të miturit që jetojnë për një kohë të gjatë në Gjermani dhe janë integruar mirë, nuk do të dëbohen nga vendi. Ministrja e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger ka bërë të qartë në prag të konferencës se këta persona duhet të kenë të drejtën e qëndrimit në Gjermani, pa marrë parasysh çfarë dokumentash kanë prindërit te tyre.

Ministrja Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger dhe ai i Brendshëm Thomas de Maiziere
Ministrja Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger dhe ai i Brendshëm Thomas de MaiziereFotografi: AP

Senatori i brendshëm i Hamburgut Heino Vahldieck nuk i ka mbushur ende muaj në këtë post, e tani duhet të kryesojë takimin e ministrave të brendshëm të federatës dhe landeve gjermane. Dëshira e tij është që të prezantohet mirë dhe të marrë vendime të rëndësishme, në veçanti për të drejtën e nënshtetësisë gjermane. Të huajt që janë integruar mirë në Gjermani, duhet të kenë një perspektivë për të qëndruar në këtë vend. "Kjo ka të bëjë me ata të cilët kanë bërë përpjekje të mëdha për integrim dhe janë futur me sukses në shoqërinë tonë. Atyre duhet t'u mundësohet juridikisht që të kenë një perspektivë për qëndrim të mëtejshëm në këtë vend."

Ndërkohë që migrantët që nuk duan të integrohen duhet të presin shkurtimin e ndihmave sociale dhe përshpejtimin e procesit të largimit nga Gjermania. Ndryshime do të ketë edhe në çështjet e prostitucionit. Vahldieck është i mendimit se me lejen për hapjen e shtëpive publike mund të luftohet tregtia me mishin e bardhë. Në këtë mënyrë policia mund të kontrollojë më lehtë prostitucionin e detyrueshëm, thoë ai. Një kërkesë tjetër është që në kohën e festës së një majit të mos zhvillohen ndeshje të Bundesligës gjermane, për shkak se gjatë protestave në kohën e kësaj feste, gjithmonë ka patur incidente edhe në stadiume apo rreth tyre. "Për mua personalisht është shumë me rëndësi që të kërkohet një dialog me grupet e tifozëve dhe që mundësisht ai të realizohet. Mendoj se dialogu ka kuptim sepse mund të tejkalohen paragjykimet dhe rezervat që ekzistojnë."

Rruga me shtëpitë publike në Hamburg
Rruga me shtëpitë publike në HamburgFotografi: dpa

Senatori i brendshëm i Hamburgut angazhohet edhe për ndalimin e plotë të alkoholit në trenat e qarkullimit të afërt në kohën e manifestimeve sportive. Ai shpreson se do të ketë edhe mbështetjen e kolegëve. "Jam i bindur se Konferenca e Ministrave të Brendshëm do të mbështesë këto propozime. Ndonëse e kam të qartë se ka dhe argumente të rëndësishme kundër këtyre masave. Një gjë e tillë do të përmirësonte kualitetin dhe do të kishte një mbështetje më të gjërë në publik."

Me rëndësi është që ministrat e brendshëm të gjejnë një zgjidhje në trajtimin e personave që kanë kryer krime të rënda, pas lirimit të tyre nga burgu. Për momentin janë nën mbikqyrje të policisë gjatt gjithë kohës. "Kjo nuk është zgjidhje e mirë afatgjatë. Duhen gjetur mundësi të tjera për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në mënyrë që policisë t'i mundësohet që t'u kthehet obligimeve të përditshme dhe jo të detyrohet të merren vetëm me këtë punë. Shpresoj se do të gjejmë një zgjidhje ligjore që e lehtëson këtë problem me qëllim që policia t'i kthehet detyrave të veta."

Një nga temat që do të debatohet në këtë konferencë është edhe "dhuna ndaj nëpunësve të policisë". Ministrat nga federata dhe landet do të debatojnë një projektligj, i cili parashikon ngritjen e dënimit nga dy në tre vjet heqje lirie për sulm ndaj policëve. Në fund do të bëhet fjalë dhe për ruajtjen e të dhënave të komunikimit me telefon dhe internet. Në prag të konferencës ka pasur thirrje të shumta të kundërshtarëve për protesta.

Autor: Anette Reiners/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama