1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për Ukrainën

Bekim Shehu
3 Mars 2022

Rezoluta e kuvendit të Kosovës, e cila e dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, u miratua në praninë e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon.

https://p.dw.com/p/47yiH
Kosovo | Pristina | Parlamentssitzung
Fotografi: Office of the Kosovo Parliament

Kuvendi i Kosovës me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi një rezolutë me të cilën e "dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe popullit të saj”. Rezoluta e miratua në praninë edhe të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila po qëndron në Kosovë.

"Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme agresionin dhe invazionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion. Kuvendi i Republikës së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj, si dhe kundërshton fuqishëm qasjen dhe sjelljen e pak vendeve të rreshtuara krah agresionit dhe terrorit Rus ndaj Ukrainës, nisur nga fqinji jonë verior Serbia”, thuhet ndër të tjera në tekstin e rezolutës. Më tej thuhet se "Kuvendi i Kosovës mbështet vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj Federatës Ruse, në linjë me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet demokratike”.

Kosovo | Pristina | Parlamentssitzung | Viola von Cramon
Viola von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, po zhvillon një vizitë në Kosovë dhe ishte e pranishme në seancën plenareFotografi: Office of the Kosovo Parliament

Në fjalimin e tij para deputetëve, kryeministri Albin Kurti, u ndal te qëndrimi i Serbisë në raport me situatën në Ukrainë, duke thënë, se "e dënon edhe mosreagimin e Serbisë për të dënuar dhe sanksionuar Rusinë”.

"Pozicioni edhe duke tentuar të luajë qendrën e dyfishtë edhe me Moskën edhe me Brukselin edhe me Uashingtonin edhe me Pekinin është pozicion edhe me demokracinë edhe me autokracinë”, tha Kurti duke shtuar se "nuk mund të ketë neutralitet për vendet kandidate për BE-në, kur e gjithë BE-ja e dënon dhe sanksionon fuqishëm”.

Kryeministri kosovar, mirëpriti siç tha, "angazhimin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të shprehur me caktimin e përfaqësuesve e emisarëve të tyre special', por ky angazhim i shtuar sipas tij, "duhet të shoqërohet me veprime konkrete mbi bazën e realitetit e së vërtetës”.

"U bëjmë thirrje pesë shteteve mos-njohëse brenda Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, që të njohin këtë realitet e të vërtetë, duke njohur urgjentisht pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të paqëndrueshme për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë”, tha Albin Kurti.

Përfaqësuesi i listës Srpska në kuvendin e Kosovës Igor Simiq, subjekt politik ky që përfaqësohet me 10 deputet në parlament,  tha se situata në Evropën Lindore ishte e tmerrshme dhe se lufta nuk i solli askujt asgjë të mirë dhe në këtë linjë u bëri thirrje të gjithëve të tregohen të përmbajtur. Simiq tha, se të gjithë përfaqësuesit politik duhet t'i peshojnë deklaratat e tyre për të mos rrezikuar paqen.

"Tensionet nuk duhet të ushqehen nga deklarata të papërgjegjshme, veçanërisht këtu në Ballkan. Ballkani duhet të qendrojë larg të gjitha këtyre ngjarjeve, sepse më në fund duhej të kuptonim se paqja nuk ka çmim, se qytetarët tanë nuk duan tensione dhe konflikte, por prosperitet”, tha Igor Simiq.

Kuvendi i Kosovës në rezolutën që u miratua i kërkoi qeverisë që "krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, t'i koordinojë të gjitha veprimet e mëtejshme me partnerët ndërkombëtarë, si dhe të shpreh gatishmërinë për strehimin eventual të deri 5000 (pesë mijë) refugjatëve nga Ukraina”.

Disa medie në Kosovë tashmë janë deklaruar se do t'u ofrojnë kushte pune gazetarëve nga Ukraina që të raportojnë nga distanca. 

Vendet e perëndimit tashmë njëzëri i kanë dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Rusisë i janë vendosur një sërë sanksionesh nga vendet perëndimore, të cilave iu bashkua edhe Kosova duke vendosur më 25 shkurt sanksione ndaj Rusisë duke ua ndaluar ndër të tjera edhe medieve ruse transmetimin e sinjalit në Kosovë.