1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ide mbi të ardhmen e Europës

Bernd Riegert11 Maj 2006

Presidenti i Komisionit Europian, Barroso, synon të forcojë profilin e tij. Një vit pas Jo-së së francezëve dhe hollandezëve ndaj kushtetutës së planifikuar të BE-së, Komisioni Europian është hedhur në ofensivë me propozime të reja reformash.

https://p.dw.com/p/ArB9
Barrozo
BarrozoFotografi: AP

Reformat e domosdoshme duhet të çohen përpara në rast nevoje edhe pa ratifikimin e marrëveshjes së Kushtetutës, ka deklaruar presidenti i Komisionit Hose Manuel Barroso në Bruksel. Ai paraqiti një katalog masash mbi të cilat do të diskutojnë kryetarët e shteteve dhe qeverive në samitin e tyre në mes të qershorit. Por në vend që të gjenerojë dokumente me strategji të reja Komisioni i BE-së do të bënte mirë të zbatonte projektet nga dokumentet e vjetra.

Thuajse një vit pas refuzimit të francezëve dhe hollandezëve për kushtetutën e parë të BE-së, reflektimi i vetë imponuar ka mbetur pa rezultat të prekshëm. Kokat drejtuese në Bashkimin Europian në rritje janë të një mendjeje vetëm për një gjë, që Europës i duhet një kushtetutë e cila do ta bënte atë më demokratike, më transparente dhe që do të lehtësonte drejtimin. Për arsye të mungesës së ideve kryetarët e shteteve dhe qeverive në samitin e tyre do të zgjasin me fjalë të bukura mbetjen në vend, të paktën deri në maj të vitit të ardhshëm kur në Francë dhe Hollandë do të mbahen zgjedhje.

Shpresat e mbështetura tek presidentja e ardhshme e Këshillit të BE-së, kancelarja Angela Merkel, e cila do të drejtojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, për të ringjallur kushtetutën gjysmë të vdekur, janë për këtë arsye tejet të ekzagjeruara. Vetë kancelarja gjermane përpiqet të afrojë në realitet shpresat e ngjallura kryesisht nga deputetët e BE-së në kampin e saj konservator.

Presidenti aktual i Këshillit, kancelari austriak Volfgang Shysel, ka pranuar se mund të bëjë shumë pak deri në samitin e qershorit dhe përsërit tani, se kushtetuta do të rivendoset në planin e punës të BE-së vetëm në vitin 2008. Kjo edhe për arsye se dy shtete të mëdha europiane, Britania e Madhe dhe Italia, për shkak të situatave të vështira në politikën e brendshme nuk janë plotësisht të afta të veprojnë në skenën e BE-së.

Kriza kushtetuese nuk e pengon aktualisht BE-në në funksionet e përditshme. Kjo do të thotë se projekti i madh i ri për kushtetutën nuk është çështje emergjente. Gjatë pesëdhjetë viteve të kaluara shumë prej marrëveshjeve të reja mes shteteve anëtare kanë lindur me shumë dhimbje dhe pjesërisht me përsëritje të referendumeve.

Por, ndërkohë që liderët e BE-se vazhdojnë të reflektojnë, presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso përpiqet të plotësojë boshllëkun e krijuar. Ai ka paraqitur një strategji mbi të ardhmen e BE-së e cila synon në rradhë të parë forcimin e kompetencave të Brukselit. Pleduajeja e Barrozos për rezultate në vend të diskutimeve të mundimshme mbi çështje proceduriale ka një lloj sharmi. Zëri i qytetarëve të BE-së të cilët pyesin se çfarë u sjell në të vërtetë Europa po bëhet gjithnjë e më i lartë. Ata nuk kërkojnë një kushtetutë ambicioze efekti i së cilës do të bëhej i dukshëm vetëm pas shumë vitesh.

Nëse do të ekzistonte vullneti politik shtetet e BE-së mund të forconin që sot bashkëpunimin në disa fusha në bazë të marrëveshjeve egzistuese, për shembull në politikën e drejtësisë dhe atë të brendshme. Propozimet e Presidentit të Komisionit Europian tingëllojnë logjike, por ai duhet të dijë se me kërkesat e tij për vendime të shumicës do të hasë në një mur graniti me shumë shtete, përfshirë këtu edhe Gjermaninë. Presidenti i Komisionit i cili në të kaluarën është kritikuar për mungesë iniciative, është në rradhë të parë i interesuar të dëshmojë aftësinë e tij vepruese, të mprehë profilin e tij dhe të forcojë peshën e Komisionit në kuadrin e institucioneve të BE-së.

Në vend që të prodhojë dokumente të reja me strategji, Komisioni i BE-së do të bënte mirë të zbatonte projektet e vjetra. Reformat ekonomike të njohura si "Procesi i Lisbonës" ecin shumë ngadalë, hapja e tregut të shërbimeve po bëhet me gjysmë zemre dhe thjeshtimi i burokracisë në BE si dhe i procedurave legjislative janë ende në fazën embrionale. Qytetarët e BE-së do të kishin dëshirë të shihnin këtu rezultatet e njoftuara nga Hose Manuel Barroso.

Megjithatë nën presionin e autoritetit rregullator të BE-së shoqëritë e telefonave do të ulin çmimet për bisedat ndërkombëtare me celularë. Krahasuar me projektin për kushtetutën bëhet fjalë vetëm për një kantier të vogël i cili tregon megjithatë konkretisht se BE mund të sjellë vërtet për qytetarët vlerën e shtuar të shumëpërfolur.