1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e gatshme të importojë inxhinierë elektrikë dhe mekanikë

Monika Lohmüller24 Gusht 2007

Qeveria Merkel do të ofrojë lehtësira për punësimin në Gjermani të ekspertëve të huaj nga vendet e reja të BE-së.

https://p.dw.com/p/BXg3
Një student i inxhinierisë elektrike në MynihFotografi: AP

Në takimin për bilancin e punës dyvjeçare të kabinetit qeveritar në Meseberg u vendos që për inxhinierët dhe studentët e huaj nga 12 vendet e reja anëtare të BE-së të ketë lehtësime në procedurat për t'u punësuar në Gjermani.

Lehtësimet pritet të hyjnë në fuqi që në muajin tetor. Fjala është për inxhinierë elektrikë dhe mekanikë nga vendet e reja të BE-së. Kabineti qeveritar theksoi edhe një herë se prioritet do të ketë fillimisht shfrytëzimi i potencialeve të brendshme, përmes masave për shkollimin e të papunëve, por për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë tregu gjerman i punës duhet të hapet për të huajt. Kjo ka të bëjë edhe me plakjen e popullsisë. Sipas planeve të qeverisë gjermane edhe studentët e huaj jo nga vendet e BE-së që përfundojnë studimet në Gjermani do të kenë të drejtë të punojnë pas studimeve për tre vjet në Gjermani,

Ministri federal i ekonomisë, Michael Glos(CSU) tha: 'Edhe taksapaguesit gjermanë dëmtohen prej mungesës në rajone apo degë të ndryshme të ekspertëve. Kjo mungesë është e qartë në radhë të parë në radhët e inxhinierëve."

Deri në vitin 2011 të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet ta hapin pa kufizime tregun e punës për shtetasit e të gjitha vendeve anëtare. Gjermania dhe Austria janë të vetmet vende që vazhdojnë të ndjekin për momentin një politikë restriktive në këtë drejtim. Duke sqaruar se pse vendimi i ri i kabinetit favorizon vetëm ekspertët Michael Glos tha:

'Kjo nuk përbën ndonjë thyerje tabush. Brenda BE-së do të ketë liri sa i përket tregut të punës. Për fat Gjermania po shënon një rritje ekonomike, por ajo për momentin nuk mund ta hapë tregun për të gjithë."

Sipas përllogaritjeve të Institutit gjerman për ekonominë me qendër në Manhaim në vitin 2014 në Gjermani mund të mungojnë rreth 95.000 inxhinierë dhe 400.000 akademikë të tjerë, edhe në rast numri i atyre që do të studiojnë në degë teknike do të shtohet.

Kabineti gjerman vendosi edhe për një program gjithëpërfshirës me 30 pika për mbrojtjen e klimës dhe energjinë. Po ashtu u vendos për marrjen e masave për mbrojtjen e ekonomisë gjermane nga fondet shtetërore të huaja, për masa për përballimin e ndryshimeve demografike në vend dhe për një administratë më pranë qytetarëve. Gjithashtu qeveria gjermane ka rënë dakord për ujen e kontributit për sigurimet në rastet e papunësisë. Kusht është që një ulje e tille të mund të financohet në plan afatgjatë, tha kancelarja Merkel në Mesberg. Në mbledhjen e kabinetit u vendos gjithashtu edhe hapja e tregut të punës për inxhinierë elektrikë dhe mekanikë nga vendet e reja anëtare të BE-së.