1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i fillimit - Operacioni Mushtarak në Afganistan

22 Shkurt 2010

Me ofensivën më të madhe që prej rrëzimit të regjimit të Talibanëve para më shumë se tetë vjetëve, ushtarë ndërkombëtarë dhe afganë përpiqen të sjellin një kthesë në situatën në Afganistan. 15 mijë ushtarë në ofensivë.

https://p.dw.com/p/M7N3
Marinsa amerikanë në Operacionin Mushtarak në Helmand
Marinsa amerikanë në Operacionin Mushtarak në HelmandFotografi: AP

Njerëzit në fokus

Operacioni Mushtarak synon të përfaqësojë një pikë kthese. Rreth 15 mijë ushtarë marrin pjesë në të. Para së gjithash ushtarë të SHBA dhe britanikë, por edhe po kaq ushtarë afganë sa kurrë më parë. Richard Holbrooke, i dërguari i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin pas javës së parë është i kënaqur me ecurinë. Pa qenë euforik:

"Për këtë është ende shumë herët. Kjo nuk është ofensiva e fundit. Ky është vetëm fillimi i një vale të re të drejtimit modern, politik të luftës për luftimin e kryengritjes. Diçka si kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Njerëzit janë në fokus, në mënyrë që të ketë sa më pak viktima që të jetë e mundur. Në këtë kuadër, deri tani operacioni ka qenë i suksesshëm. Por mungon një vlerësim përfundimtar."

Ofensiva më e madhe kundër Talibanëve që prej përmbysjes së regjimit të tyre para më shumë se tetë vjetësh zhvillohet në provincën Helmand, dhe përqendrohet në dy distriktet Nad Ali dhe Marjah. Atje jetojnë rreth 120 mijë vetë. Kryesisht pashtunë. Ata janë grupi më i madh popullor në Afganistanin e copëzuar nga pikëpamja etnike. Prej pashtunëve doli lëvizja e Talibanëve. Nick Carter, komandanti britanik i të gjitha trupave të ISAF-it në jug të Afganistanit është i ndërgjegjshëm se shumë banorë të zonës së luftimeve i perceptojnë si pushtues ushtarët e tij.

"Mua më pëlqen të flas për fundin e fillimit. Ne kemi bërë përparime të mira. Por do të zgjasë disa ditë, derisa ne të mund të ndërtojmë në siguri struktura civile. Dhe natyrisht që do të zgjasë me javë, derisa populli ta ndiejë që ne të gjitha i bëjmë për të."

Të varur nga besimi i popullit

Strategjia e përcaktuar nga SHBA për luftimin e kryengritjes në jugun pashtun të Afganistanit është e varur nga besimi i popullit. Njerëzit duhet të shohin se ekziston një alternativë e mirë dhe e sigurt përveç Talibanëve. Por kur raketet e NATO-s dhe plumbat vrasin civilë, atëherë i gjithë koncepti lëkundet.

"Ne përpiqemi shumë që të shmangim viktimat civile. Ne veprojmë me shumë kujdes kur përdorim armë të rënda. Për ne shënon hap prapa, kur vdesin civilët. Por ne jemi të sigurtë se njerëzit në Marjah duan që ne ta vazhdojmë punën tonë dhe ta spastrojmë këtë rajon. Ne zhvillojmë konsultime me kryetarët e fiseve dhe përshtypja jonë është se ata e kuptojnë se pse ndodh një gjë e tillë."

Trupa e drejtuar nga NATO, ISAF i akuzon talibanët se fshihen me qëllim pas popullatës civile. Para së gjithash Marjah besohet se është mbjellë me mina dhe me lëndë shpërthyese të fshehura. Snajperë dhe grupa të vogla të armatosura sulmojnë pas shpine. Por ministri i mbrojtjes i Afganistanit, Abdul Rahim Wardak është megjithatë i sigurt se operacioni Mushtarak fut një pykë midis popullsisë civile dhe talibanëve.

"Unë jam shumë i bindur, se populli afgan është ngopur me luftën. Afganasit e mbështesin qeverinë e tyre. Por këtë ata nuk kanë mundur ta tregojnë deri tani, sepse deri tani ne nuk kemi qenë në gjendje t'i mbrojmë."

Por tani ushtarët do të qendrojnë dhe do të tregojnë në vazhdimësi prani, në mënyrë që shteti të zhvillohet edhe në jugun shumë konservator dhe tepër fetar pashtun të Afganistanit.

Autor: Sandra Petersmann/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj