1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillimi i detyrës së presidentit të ri në Iran shoqërohet me tensionet me BE-në mbi çështjen e programit bërthamor

3 Gusht 2005

Presidenti i ri i Iranit Mahmud Ahmedinexhad nisi zyrtarisht detyrën. Zgjedhja e 48 vjeçarit në fund të qershorit ishte një vendim që përcakton orientimin e vendit në të ardhmen. Shenjat e para të kursit të konfrontimit me perëndimin të ultra-konservatorëve në Teheran u shfaqën qysh të martën, kur përfaqësuesi qeveritar deklaroi, se Irani do të vazhdojë programin për pasurimin e uranit. Udhëheqja në Teheran në bisedimet me vendet ndërmjetësuese të BE-së: Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, ndoqi kursin e konfrontimit.

https://p.dw.com/p/AqjF
Kompleks bërthamor në Iran
Kompleks bërthamor në IranFotografi: AP

Nga ana e vet BE-ja deklaroi, se do të kërkojë organizimin e një mbledhjeje të posaçme të këshillit të guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore në Vjenë. Ky forum në rast nevoje mund t´ia kalojë çështjen edhe Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, dhe kjo instancë mund të vendosë edhe për sanksione kundrejt Iranit. Pas deklarimit nga Teherani për rifillimin e programit bërthamor, kancelari Gerhard Shrëder u prononcua gjatë një veprimtarie në Berlin, duke apeluar në adresë të Iranit që të vazhdojë bisedimet pa kushte: "Vendimet e fundit që ka marrë ose do të marrë së shpejti udhëheqja iraniane, duke u shprehur në formë mjaft diplomatike mund të them, se po japin shkas për shqetësim. Shpresoj që Irani ta kuptojë, se duhet të vazhdojë rrugën e bisedimeve. Evropianët janë të gatshëm për të bërë lëshime zemërgjera, në rast, se programi bërthamor iranian do të përdoret vetëm për qëllime civile. Edhe sa i përket bashkëpunimit ekonomik, evropianët janë të gatshëm të bëjnë lëshime. Por ne nuk mund të tolerojmë që ky vend të disponojë armë bërthamore", theksoi Shrëder.

Edhe kryeministri i Francës, Dominik de Vilepë i bëri thirrje Iranit të tërhiqet nga vendimi i marrë: "Irani duhet t´u përgjigjet detyrimeve për të cilat është zotuar. Kjo do të thotë që të heqë dorë nga çdo aktivitet që ka të bëjë me transformimin, përpunimin dhe pasurimin e uranit."

Në SHBA, që deri vonë kanë qëndruar të tërhequr në grindjen për programin bërthamor të Iranit duke mos ndërhyrë në negociatat me BE-në, pikërisht të martën pasi grindja shënoi pikën kulmore, doli në pah diçka e panjohur deri më sot për opinionin. Siç njofton korrespondenti i DW, shërbimet sekrete amerikane kanë arritur në përfundimin, se Irani është ende shumë më larg konstruktimit të bombës atomike, nga sa mendohej. Qysh në janar të këtij këshilli kombëtar i sigurisë në qeverinë e Xhorxh Bushit autorizoi një shërbim ndërkombëtar evaluues për të rivlerësuar rrezikun bërthamor të Iranit. Ky është vlerësimi i parë i këtij lloji qysh nga viti 2001. Rezultati është: se Iranit do t´i duhen ndoshta edhe dhjetë vjet deri sa të jetë në gjendje të ndërtojë i mëvetsishëm bombën atomike. Këtë e njofton gazeta "Uashington Post" duke iu referuar shërbimeve sekrete. Ndërkohë që Uashingtoni zyrtar hesht. Presidenti Bush është me pushime dhe ëhstë nisur drejt Teksasit. Si presidenti edhe ministrja e jashtme nxorrën përpara shtypit zëdhënësin, i cili deklaroi, se jemi duke pritur, se çdo të arrijnë evropianët.

Duke u prononcuar nga Kina, ku ndodhet aktualisht, zëvendësministri i jashtëm Robert Zëllik, deklaroi, se shpresojmë që Iranit t´i kthehet arësyeja: "Ka një pozicion unik të shumë vendeve. Ne shpresojmë, që Irani do ta vlerësojë këtë seriozisht dhe nuk do të nxitohet për të vepruar", nënvizoi Zëllik.