Evropa heq kufinjtë e brendshëm
21 Dhjetor 2007Kjo datë përmban një forcë të madhe simbolike për miliona njerëz në Lindje të Evropës, që jetuan me dhjetëra vjet pas perdes së hekurt. Por në rradhë të parë hapja e kufinjve të brendshme ka rëndësi praktike. Vetëm në kufinjtë ndërmjet Gjermanisë, Polonisë dhe Çekisë në nëntë muajt e parë të 2007 kanë kaluar kufirin 174 milionë njerëz.
Lehtësime për turistët
Turistët amerikanë dhe japonezë nuk mund të besojnë, se sa kufinj mund të kalojnë në Evropë pa u nevojitur të tregojnë pasaportë. Kjo nuk ndodh diku tjetër në botë. Shkak i mjaftë ky, që presidenti i komisionit të BE-së, Manuel Barroso, të jetë euforik për zgjerimin e zonës së Shengenit. "Nga 21 dhjetori do të jetojmë dhe do të levizimin në një territor pa kufinj të brendshëm brenda 24 vendeve. Kjo është një arritje historike. Heqja e kufinjve të brendshëm u ofron mundësi të reja atyre, që jetojnë këtu, që udhëtojnë privatisht apo me shërbim. Prandaj unë mendoj, se ky zhvillim nuk ka vetëm rëndësi simbolike."
Siguria nuk mund të jetë kurrë 100 përqind
Nga sindikatat e policisë të shteteve të deritanishme anëtare dëgjohen këto ditë zëra të tjerë. Ata kanë frikë, se edhe trafikantët e automjeteve, kriminelët në arratisje dhe emigrantët ilegalë mund të lëvizin më kollaj përmes kufinjve. Sa më shumë vende që të hyjnë në marrëveshjen e Shengenit, aq më e pakontrollueshme është situata. Por Frisco Roscam Abbing, zëdhënës i komisionit evropian për sektorin e "sigurisë dhe të drejtesisë" kundërshton: "Askush nuk mund të garantojë një siguri njëqindpërqind. Kjo nuk ka qenë e mundur para Shengenit dhe nuk do të jetë e mundur as pas tij. Do të ketë gjithnjë njerëz, që përdorin mjete ilegale. Prandaj ne përpiqemi, që të mbrojmë mirë sidomos kufinjtë e jashtëm. Për këtë kemi teknologji dhe njerëz të përgatitur në mënyrë të shkëlqyeshme."
Bashkëpunimi policor në rritje
Kufinjtë e jashtëm të Shëngenit do të kalojnë ndër të tjera edhe ndërmjet Polonisë dhe Bjellorusisë. Në të njëjtën kohë ndërmjet shteteve anëtare duhet përmirësuar bashkëpunimi policor. Ky do të mundësohet përmes një sistemi të përbashkët, ku të jenë regjistruar të gjithë kriminelët e kërkuar. Por ai është i vjetëruar, është i viteve 90. Ekspertët i kishin kërkuar BE-së, që të priste për hapjen e Shengenit derisa të përgatitej sistemi kompjuterik. Frisco Roscam Abbing kundështon: "Nuk është e nevojshme të presim deri në vitin 2008, kur të jetë gati sistemi, sepse të gjitha analizat në shtetet e reja anëtare kanë treguar, se i përmbushin kriteret e domosdoshme. Hapja e kufinjve të brendshëm garanton siguri. Sepse kufinjtë e jashtëm, që bëhen edhe kufinjtë tanë të jashtëm, janë të siguruar në mënyrë të mjaftueshme."