Evropa duhet të mos e konsiderojë më Afrikën si kontinent i varfërisë! | Politika | DW | 02.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Evropa duhet të mos e konsiderojë më Afrikën si kontinent i varfërisë!

Presidenti kinez Hu Jin Tao zhvilloi një vizitë disaditore në Afrikë. Kjo ishte vizita e tij e dytë në kontinentin afrikan, ku në qendër të saj ishte kryesisht biznesi

Në përfytyrimet e evropianëve Afrika shihet vetëm si kontinent i mjerimit

Në përfytyrimet e evropianëve Afrika shihet vetëm si kontinent i mjerimit

Maroku, India dhe Kenia. Vizita 10-ditore e presidentit kinez kishte për qëllim të demonstronte interesin e Kinës për Afrikën. Kinezët janë të gjithëpranishëm në Afrikë, nga Zimbabvja deri në Marok. Tregtia mes Kinës dhe vendeve afrikane gjatë dhjetë vjetëve të fundit është dhjetëfishuar. Kjo ndër të tjera edhe falë motos "biznesi, biznes - politika, politikë". Edhe në Afrikë Kina ndjek politikën e mospërzierjes në punët e brendshme, dhe ka sukses me këtë.

Ndërsa në Evropë ende Afrika përfytyrohet si një kontinent i humbur si nga pikëpamja ekonomike edhe politike, me të cilin edhe për disa dekada, as qe mund ta çosh nëpër mend të kesh marrëdhënie normale. Kina është lëshuar ndaj Afrikës si politikisht edhe ekonomisht. Shkaqet për këtë janë të mëdha. Gjendja e paqëndrueshme në rajonin e Gjirit Persik dhe në vendet e botës arabe e kanë vënë në pikëpyetje çështjen e burimeve energjitike për të ardhmen. Kjo nuk vlen vetëm për Kinën nevojat e së cilës për energji po rriten në mënyrë të tejshpejtë.

Sot Afrika mbulon rreth 1/4 e nevojave të Kinës për naftë, tendenca është në rritje. Pjesa më e madhe e këmbimeve ekonomike mes Afrikës dhe Kinës i takojnë këtij sektori. Sa i përket përzgjedhjes së partnerëve të biznesit Pekini nuk e vret shumë mendjen. Kështu eksportuesi më i madh i Kinës për naftën është Angola, po ashtu dy të tretat e naftës së Sudanit shkojnë në Kinë. Kina ka interes të madh për zgjerimin e importeve të naftës nga Nigeria dhe ky ishte edhe shkaku i vizitës së Hu Jing Taos në këtë vend gjigand të Afrikës Perendimore.

Evropianët dhe amerikanët vënë si kushte për investime ekonomike dhe investime në fushën e zhvillimit demokracinë dhe qeverisjen e mirë të vendit. Suksesi, sikurse e tregoi së fundi rasti i Çadit, i cili hoqi dorë në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje me Bankën Botorore, nuk është tepër i madh. Sipas këndvështrimit afrikan, Kina në këtë mes është shumë më e pa komplikuar. Diskutime për vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut, mungesën e lirisë së shtypit e të tjera si këto nuk kanë vend në takimet afrikano-kineze. Biznesi është biznes, thekson MPJ kineze, dhe diskutimet politike lihen me ndërgjegje jashtë temave të bisedimeve. Kinën dhe Afrikën i lidh një miqësi e të gjitha stinëve, thuhet në Pekinin zyrtar.

E gjithë kjo politikë e Kinës është pragmatike dhe bazohet në interesin vetiak. Tekstilet kineze po i shkatërrojnë tregjet e pambukut në Afrikë duke shkatërruar edhe më të varfërit e të varfërve. Përmes kredive dhe investimeve Kina forcon regjime të tilla si ai i Mugabes në Zimbabve, ku Kina ka rënë në erë të rezervave tepër të vlefshme të platinit. Kina u jep dorë regjimeve të disa shteteve të dobta, të cilat në një periudhë afatmesme apo afatgjatë mund të shndërrohen në rrezik të madh, si rasti i Çadit apo Sudanit. Në vitet 90-të Kina i shiste armë regjimit ushtarak në Nigeri dhe furnizon sot me armë edhe qeverinë sudaneze. Si rebelët në Çad edhe milicët në Darfur përdorin armë kineze.

Në ato vende ku politikanët evropianë që merren me çështjet e zhvillimit përpiqen që në Afrikë të implementohen qeveri demokratike dhe shpresojnë me sy të përlotur ndryshimin e qeverive, Kina ndjek një politikë të shpejtë dhe efektive në favor të interesave të saj.

Përse duhet që qeveritë afrikane të jenë transparente në çështjet e buxhetit, apo përse duhet që shtetet afrikane që kanë burime nëntokësore të paguajnë në një fond për luftimin e varfësirë, kur është kaq e thjeshtë për të marrë para, spitale, fabrika apo rrugë nga Kina?

Politikanëve evropianë u duhet që ta pranojnë me dhimbje që angazhimi kinez në Afrikë është i leverdisshëm edhe për vetë afrikanët. Rritja ekonomike prej rreth 5% e ekonomive të vendeve afrikane lidhet në shumicën e saj me investimet kineze dhe të ardhurat që nxjerrin vendet afrikane me pasuri natyrore.

Evropa duhet të ndryshojë mendim dhe të mos e konsiderojë më Afrikën si kontinent i varfërisë. Sa më tepër të shtohet uria e botës për lëndë të para, aq më i rëndësishëm do të bëhet kontinenti afrikan dhe aq më e parëndësishme politika klasike e zhvillimit. Politika kineze ndaj Afrikës është kaq e suksesshme, sepse Perëndimi nuk ka një politikë ndaj Afrikës.

  • Data 02.05.2006
  • Autor Ute Shefer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqA
  • Data 02.05.2006
  • Autor Ute Shefer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqA