Edhe Scholz i kërkon Kurtit të bëjë Asociacionin
29 Prill 2024Kancelari gjerman Olaf Scholz telefoi të hënën, 29.04.2024, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të hënën zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, siç bëhet e ditur nga një deklaratë për media e qeverisë gjermane në Berlin. Kancelari gjerman theksoi "mbështetjen e qeverisë gjermane për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit", thuhet në deklaratë. "Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës."
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte gjatë javës së kaluar për një vizitë në Gjermani, por ai u takua me ministren e jashtme Annalena Baerbock dhe jo me kancelarin Olaf Scholz. Vëzhgues i thanë DW-së, se Gjermania, sikurse edhe Franca dhe SHBA, kërkojnë që Kosova të bëjë hapa përpara në krijimn e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të mbështetur kanidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, çka do të trajtohet në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Këshillit të Evropës. Në një intervistë me DW, Albin Kurti e refuzoi këtë konidicionim që nuk ka të bëjë me parakushtet e kërkuara nga BE.