1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

• Dilema në radhët e anëtarëve të socialdemokratëve dhe të ekologjistëve: Cili do ta ngrejë kamën kundër qeverisë aktuale • Në Gjermani pritet shtimi i përqindjes së tvsh-së

PP30 Maj 2005
https://p.dw.com/p/ArvK
A do të gjendet dikush që t'i ngulë kamën koalicionit aktual?
A do të gjendet dikush që t'i ngulë kamën koalicionit aktual?Fotografi: AP

Tema që dominon shtypin e sotëm gjerman është dilema në radhët e anëtarëve të socialdemokratëve dhe të ekologjistëve për të votuar në parlament pro mocionit të mosbesimit ndaj kancelarit Shrëder, që do të çonte në organizimin e zgjedhjeve të reja në vend. Temë tjetër janë diskutimet për shtimin e përqindjes së tvsh-së në Gjermani.

Në lidhje me dilemën në radhët e partive të koalicionit në pushtet në Gjermani në gazetën "Mitteldeutsche Zeitung" që botohet në Halle lexojmë:

"As krahu i majtë i SPD-së dhe as të gjelbërit nuk janë të gatshëm të ngrenë kamën kundër qeverisë aktuale. Në rast se presidenti e merr seriozisht këtë fakt, atëhere ai duhet që ta analizojë me sy kritik përfundimin e seancës për mocionin e mosbesimit ndaj Shrëderit. E vërteta qëndron në faktin se anëtarët e koalicionit qeveritar nuk kanë më besim tek njëri-tjetri. Për këtë dëshmojnë akuzat e ndërsjellta, se pala tjetër nuk e ndoqi me aq vendosmëri sa duhej rrugën e përcaktuar prej socialdemokratëve dhe ekologjistëve. Në rast se qytetarëve ka nevojë t'u bëhet e qartë domosdoshmëria e zgjedhjeve të parakohshme në vend, atëhere si dëshmi për këtë do të mjaftonte grindja dhe mosmarrëveshjet vetëshkatërruese brënda koalicionit qeveritar."

Kurse në gazetën "Rhein-Neckar-Zeitung" që botohet në Heidelberg lexojmë:

"Ka ditë që marrëdhënet mes SPD-së dhe ekologjistëve kalojnë nga akuzat tek deklarat për besnikëri. Me sa duket kancelari nuk e di ende se si mund t'ia dalë mbanë, që pa u dëmtuar vetë, të arrijë që më 1 korrik të argumentojë në parlament mocionin e mosbesimit. Nisur prej faktit se ekologjistët sipas anketave rrezikojnë që në zgjedhje të dështojnë prej kufirit limit të 5% të votave, ata nuk pranojnë të marrin faj mbi vete. Duket se pas kompromisave të viteve të kaluara socialdemokratët dhe ekologjistët janë duke ofruar një spektakël lufte me taktikën e izolimit prej njëri-tjerit, në mënyrë që të mos humbasin votat e elektoratit të tyre. Po shumë më i pranueshëm do të ishte në këtë mes mendimi që qeveria nuk është më në gjendje të veprojë nga këndvështrimi i politikës financiare. Pavarësisht se cila qeveri do të vinte në pushtet në shtator ajo nuk do të qe në gjendje për një fillim të ri pa kontrrolluar gjendjen e buxhetit që trashëgon prej paraardhësve dhe pa rritur tvsh-në."

Po për të njëjtën temë në gazetën "Stuttgarter Zeitung" lexojmë:

"SPD-ja është në kërkim të një koke turku. As kancelari Shrëder dhe as kryetari i partisë Myntefering nuk kanë ende një plan se si do ta realizojnë mocionin e mosbesimit. Më e thjeshtë do të ishte për ta sikur ekologjistët të votonin pro mocionit të mosbesimit për kancelarin. Kjo mund t'u shpjegohej thjeshtë qytetarëve dhe do të mund të përshkruhej shumë bukur edhe nëpër librat e historisë. Po të gjelbërit nuk duan të bien pre e këtij provokimi dhe theksojnë se vendimin për organizimin e zgjedhjeve të reja e morën Shrëderi dhe Myntefering. Një gjë është e sigurt: përleshjet mes të gjelbërve dhe ekologjistëve nuk janë një letër e mirë kredenciale për zgjedhësit."

Kalojmë në temën tjetër, mundësinë e rritjes së tvsh-së në Gjermani, e cila mund të shoqërohet edhe me shkrutime të tjera në sistemin e subvencionimeve sociale. Citojmë nga gazeta "Volksstimme" që botohet në Magdeburg:

"Kori i bretkocave do të vazhdojë deri në mes të shtatorit. "Subvencionime për ndërtimin e shtëpive" nuk do ketë më, kuakit njëra parti. "Tvsh-ja do të rritet" ia pret me kuakitje tjetra. Një gjë është e qartë, kur të bëhet analiza e buxhetit të trashëguar nga qeveria paraardhëse, qeveria e re do të vërë re se mungesat në buxhetin shtetëror janë shumë më të mëdha se sa mendohet. Elektorati ka kohë që e merr me mend këtë. Natyrisht që zgjedhësit do të preferonin uljen e taksave. Po ata janë sa ëndërrimtarë aq edhe realistë dhe e dinë se një njeriu lakuriq nuk ke se çfarë t'i marrësh prej xhepave. Për këtë ata ëndërrojnë për një qeveri e cila ka koncepte dhe përpara zgjedhjeve nuk i ngop zgjedhësit me premtime fallco. Herët a vonë tvsh-ja do të rritet. Problemi është nëse kjo bëhet për të mbushur vrimat në buxhet, apo sepse është pjesë e një projekti të përgjithshëm për të ardhmen."