1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

D-Day - 60 vjetori i zbarkimit të forcave aleate në Normandi në Luftën e Dytë Botërore - rëndësia dhe historiku

Kornelia Rabic2 Qershor 2004

Kanë kaluar 60 vjet që nga D-Day - dita e zbarkimit të forcave aleate në Normandi pas Luftës së Dytë botërore. Më 6 qershor 1944 rreth 160.000 ushtarë vërshuan në plazhet e Normandisë duke thyer rezistencën e ushtrisë gjermane, Verhmahtit, dhe duke i hapur rrugën fitores ndaj Gjermanisë. Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Evropës.

https://p.dw.com/p/ArHB
Zbarkimi i aleatëve më 6 qershor 1944
Zbarkimi i aleatëve më 6 qershor 1944Fotografi: AP

Zbarkimi i forcave aleate në Normandi ishte operacioni më i madh në historinë ushtarake, një operacion që nisi me një manovër: Hitleri dhe Vermahti nuk duhej ta dinin dhe deri në fund duheshin lënë në paqartësi lidhur me kohën dhe vendin e invazionit. Aleatët bënë c´mos që ta bindin Vermahtin, se destiancioni i ndërhyrjes ishte zona verilindore në Calais. Truku i befasisë qe i sukseshëm, udhëheqja gjermane as që e priste zbarkimin në Normandi. Ushtarakët drejtues ndodheshin në vende argëtimi si Parisi apo zonat turistike në Gjermani, në kohën që nisi invazioni.

Në këtë manovër luante rol edhe moti: stuhia dhe reshjet e vazhdueshme i detyruan forcat aleate që ishin përgjegjëse që ta shtynin me një ditë operacionin e koduar "Overlord", duke përcaktuar kështu datën 6 qershor 1944. Një reporter i luftës i radiostacionit BBC, asokohe njoftonte: "D-Day erdhi. Herët në mengjes forcat aleate filluan sulmin në frontin veriperendimor të kështjellës evropiane të Hitlerit. Nën urdhërat e gjeneralit Eizenhover dhe të mbështetur nga njësi të fuqishme të aviacionit trupat aleate në mëngjes herët nisën zbarkimin në brigjet veriore të Francës."

Një ushtri gjigande e ndërhyrjes e përbërë nga britanikë, amerikanë, kanadezë, francezë, polakë, cekë, belgë, holandezë e norvegjezë ish mbledhur në Jug të Anglisë, tonelata me materiale lufte ishin vënë në dispozicion, ishin prodhuar blloqe gjigande betoni për krijimin e porteve artificiale për furnizimet.

Fillimisht u bombarduan plazhet e Normandisë, ndërkohë që në thellësi të vendit zbrisnin mijëra parashutistë, një armatë prej mbi 1.000 anijesh luftarake dhe mëse 4.200 anije zbarkimi po i afrohej brigjeve franceze. Mijëra avionë dhe tanke u vunë në lëvizje për të mbështetur forcat, ndërkohë që breshëria e bombave binte mbi fusha, shtëpi, gardhe, nëpër fshatra e qytete si dhe në pozicionet gjermane.

Rreth 160.000 ushtarë në D-Day zbarkuan në tokë. Në pesë pika të bregdetit ata sulmuan fortesat e të ashtuquajturit "muri i Atlantikut", pas të cilit fshihej Vermahti. Kjo ishte komandoja e vdekjes: të pambrojtur ushtarëve të forcave aleate u duhej të zbarkonin fillimisht në det dhe më pas të vraponin nëpër plazhet e hapura drejt vijës së armikut - vetëm në njërën prej zonave të murit të Atklantikut gjetën vdekjen 4.000 ushtarë.

Komandnati suprem i forcave të ndërhyrjes ishte gjenerali Duit Eizenhover, i cili këtë ditë e cilësoi si "kryqëzata për clirimin e Evropës". "Popuj të Evropës! Ky zbarkim është pjesë e një plani të përqëndruar të kombeve të bashkuara për të cliruar Evropën - në bashkëpunim me aleatët tanë të mëdhenj rusë. Unë kam për të gjithë ju këtë mesazh: ora e clirimit tuaj është fare pranë!"

Invazioni i Normandisë pavarësisht nga numri i madh i viktimave konsideorhet si një nga aksionet më të rëndësishme, ndoshta si aksioni vendimtar që shënoi kthesën në Luftën e Dytë Botërore, fronti perendimor i konsideruar si pamposhtur i Hitlerit u ca dhe vetëm 11 muaj më pas Gjermania humbi luftën.