Bundeswehr Ausländer
15 Shkurt 2011Pasi shërbimi i detyruar ushtarak në Gjermani u eleminua vetëm pak kohë më parë, ministria e Mbrojtjes në Berlin nuk është ende në gjendje të thotë nëse do të ketë mjaftueshëm vullnetarë gjermanë për t'i mbushur radhët e ushtrisë. Gjermania duhet të ketë mjaftueshëm trupa për të plotësuar detyrimet e saj në një numër misionesh ushtarake jashtë vendit, të drejtuara nga BE ose NATO-ja.
Ministri gjerman i mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg ka potencuar disa herë se Bundesver-i duhet të bëhet më atraktiv, nëse kërkon të tërheqë vullnetarë. Kështu që ministria e Mbrojtjes ka përpunuar për këtë qëllim një paketë masash prej 73 faqesh. Fokusi përqendrohet qartë në ofrimin e një strukture atraktive pagash si dhe në ngritjen e lehtësive për t'u përkujdesur për fëmijët në shumë baza ushtarake.
Por zëdhënësi i ministrit gjerman të Mbrojtjes, Steffen Moritz u konfirmoi gazetarëe të hënën në Berlin se ekzistojnë me të vërtetë plane për të lejuar të huajt të bëhen pjesë e ushtrisë gjermane: "Njëra nga masat që po diskutohen tani është me të vërtetë hapja ose jo e Bundesverit për residentët e huaj, tha ai. Favoret dhe disfavoret e një mase të tillë po vazhdojnë të shqyrtohen. Asnjë vendim nuk është marrë ende. Po të merret një vendim pro pranimit të të huajve, për këtë do të nevojitet miratimi parlamentar, meqenëse pa dyshim do të nevojitet një ndryshim i kushtetutës. Ne po fokusohemi në mundësinë e tërheqjes së qytetarëve të vendeve anëtare evropiane dhe të shteteve të tjera, siç është Zvicra, me të cilën ne kemi një marrëveshje të veçantë për njohjen e kualifikimeve profesionale."
Moritz e bëri të qartë se për këtë skemë do të kualifikoheshin vetëm të huajt që jetojnë në Gjermani dhe se konsideratat demografike janë në qendër të propozimit. Por ai nuk pret që një numër i madh rezidentësh të huaj t'i përgjigjen thirrjes, nëse ky program do të vihet ndonjëherë në jetë. Në fakt, të huajt janë që tani në gjendje të bëhen anëtarë të forcave të armatosura, por vetëm në rrethana të jashtëzakonshme: "Ka qenë vetëm pak raste në dekadat e fundit, kur një klauzolë e posaçme u përdor për të punësuar rezidentët e huaj në forcat e armatosura kombëtare, kur nevojiteshin specialistë, që ne nuk i kishim. Statistikat e fundit tregojnë se nuk ka pasur asnjë rast të tillë të vetëm në katër vitet e fundit."
Kemi ende të bëjmë me një propozim në një fazë të hershme të reformimit të Bundesverit. Dhe një zëdhënës i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert pranoi se ajo as nuk e ka menduar ende këtë çështje: "Ne po shikojmë hapin e parë ndër shumë hapat që pritet të vijnë në procesin e vendimeve, tha ai. Kancelarja nuk është përfshirë ende në debat, por ajo do të informohet në kohën e duhur për zhvillime relevante - si tani."
Duket se një lëvizje e tillë ka edhe mbështetjen e socialdemokratëve opozitarë dhe të të Gjelbërve. Zëdhënwsi për mbrojtjen i të Gjelbërve, Omid Nouripour i tha së përditshmes DIE WELT se të huaj nga vende me konflikte në vazhdim megjithatë nuk duhet të rekrutohen. Por sipas zëdhënësit të ministrisë së Mbrojtjes, Steffen Moritz, këta të huaj as nuk qe menduar të përfshihen.
Autor: Hardy Graupner/ Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama