Beogradi debaton mbi liberalizimin e regjimit të vizave Shengen
14 Korrik 2009Ende pa u shpallur vendimi përfundimtar për futjen e Serbisë në të ashtuquajturën "Lista e bardhë e Shengenit", në Beograd është ndezur debati i ashpër politik nëse Serbia duhet të pranojë kushtet e BE-së për liberalizimit të vizave. Nga Brukseli është paralajmëruar se prej fillimit të vitit 2010, banorët e Serbisë do të udhëtojnë në hapësirën e Shengenit pa viza. Por kjo nuk vlen për qytetarët me vendbanim në Kosovë, që do të thotë se kosovarët, pa marrë parasyshë përkatësinë e tyre kombëtare, kanë edhe në të ardhmen nevojë për viza për të udhëtuar në hapsirën e Shengenit.
Zëvendëskryeministri i Serbisë Bozhidar Gjeliq, deklaroi për televizionin B92 se liberalizimi i vizave nuk do të thotë njohje indirekte apo direkte të pavarësisë së Kosovës." Serbia nuk do të heqë kurrë dorë nga politika e saj shtetërore dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk ka polici në Kosovë, andaj është e pamundur që atje të lëshohen pasaporta. Megjithatë Serbia do të vazhdojë lëshimin e pasaportave edhe për qyetarët e Kosovës e Metohisë. Kritikët në Serbi më parë kanë pohuar se Serbia me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me BE-në, do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Tani thonë se kjo do të ndodhë me pranimin e liberalizimit të vizave, por as kjo nuk është e vërtetë."
Paisja me pasaporta për serbët e Kosovës - Problem për qeverinë e Beogradit
Problemi më i madh aktual për palën serbe është se si të furnizohen me pasaportat qytetarët serbë të Kosovës. Autoritetet e BE-së kërkojnë që pasportat të mos jepen për ata që kanë vendbanim në Kosovë, ndërsa zhvendosja e vendbanimit do të thoshte se ata më nuk janë banroë të saj. Autoritetet serbe besojnë se deri me një janar të vitit të ardhshëm do të gjendet një zgjidhje e pranueshme. Ndërkohë që supozojnë se do të ketë edhe shumë shqiptarë që për shkak të udhëtimit pa viza, do të kërkojnë pasaporta të reja të Serbisë. Gjeliq shpjegon: "Qëllimi i qeverisë serbe është që prej një janarit 2010 të sigurojmë mundësinë e udhëtimit pa viza për të gjithë qytetarët tanë. Për shkak se sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk kemi policinë tonë në Kosovë, ne do të hartojmë një procedurë të posaçme për qytetarët me vendbanim në Kosovë."
Opozita serbe: "Pranimi i kushteve të BE-së - diskriminim i serbëve që jetojnë në Kosovë e Metohi"
Për përfaqësuesin e Partisë Demokratike Serbe në opozitë, Nenad Popoviq, pranimi i liberalizimit të vizave sipas kushteve aktuale do të ishte: "Diskriminimi më drastik i mundshëm i qytetarëve të Serbisë që jetojnë në Kosovë e Metohi. Qyetarët e atjeshëm kanë votuar në zgjedhje, paguajnë tatime dhe kryejnë shërbimin ushtarak në Serbi. Ata duhet t'i kenë të drejtat e barabarta si të gjithë qyetarët tjerë."
Opozita pohon se qeveria serbe dhe Presidenti Boris Tadiq do të tradhëtonin vendin në qoftë se e pranojnë marrëveshje për liberalizimin e vizave.
"Pranim i këtij dokumenti prej qeverisë së tanishme do të ishte forma më drastike i njohjes indirekte të Kosvës dhe bashkëveprim në krijimin e shtetit të rremë të Kosovës"- thekson Popoviq.
I gjithë debati për paisjen apo jo të kosovarëve me pasaporta serbe, për ish - ministrin e jashtëm të Serbisë, Goran Svillanoviq, është i parëndësishëm. Relevant është qëndrimi i përgjithshëm i BE-së ndaj pavarësisë së Kosovës dhe hapat konkrete që po ndërmerren në këtë drejtim: "Me sa di unë Komisioni Evropian po përgatitet që të fillojë punën në hartimin e studimit të kushteve për anëtarësimin e Kosovës. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një procedurë të veçantë vetëm për anëtarësimin e Kosovës, që është shumë më e rëndësishme se i gjithë debati për regjimin e vizave."
Autor: Bahri Cani
Redaktoi: Sonila Harasani