1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Transparenca dhe përgjegjësia mund të mësohen nga parlamenti gjerman

Bisedën e zhvilluan Fabian Schmidt dhe Aida Cama 7 Korrik 2008

Esmeralda Kaspisyzi dhe Xhavit Avdyli janë duke zhvilluar praktikë pranë Bundestagut gjerman. Në këtë kuadër ata zhvilluan edhe një vizitë në Radion Deutsche Welle.

https://p.dw.com/p/EXMj
Esmeralda Kapisyzi dhe Xhavit Avdyli në bisedë me Fabian Schmidt
Esmeralda Kapisyzi dhe Xhavit Avdyli në bisedë me Fabian Schmidt në redaksinë shqipe të Deutsche WellesFotografi: Aida Cama

Deutsche Welle: Pse vjen njeriu në një praktikë të tillë?

Esmeralda Kapisyzi: Interesat e mia kanë qenë të ndryshme unë vij nga Universiteti i Shkodrës. Merrem shumë me temën e komunikimit politik nga ana shkencore. Në Shkodër jam aktive në zyrën e një deputeti dhe mendova që është momenti, shansi i mirë për të parë proceset politike nga afër.

Deutsche Welle: A do t`ju hyjë kjo praktikë në punë kur të ktheheni në atdhe?

Xhavit Avdyli: Para se të vija këtu unë kam qenë në marrëdhënie pune në ministrinë e mjedisit dhe planifikimit hapësinor. Kjo praktikë në Bundestagun gjerman patjetër që do të më ndihmojë që në të ardhmen njohuritë që kam marrë këtu t`i aplikoj në vendin tim, atje ku demokracia nuk është e nivelit të tillë.

Deutsche Welle: Për shembull?

Xhavit Avdyli: Në transparencë dhe përgjegjësi, këto janë dy pikat që i kam fiksuar në kokë gjatë kësaj praktike. tyre dy pikave, ose dy fjalëve fshihen shumë gjëra.

Deutsche Welle: Ku do të punoni kur të ktheheni në Kosovë?

Xhavit Avdyli: Mendoj se do të kthehem në të njëjtën fushë në integrimet evropiane. Jam shumë optimist sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian dhe e shoh si të vetmen rrugë, si të vetmen alternativë. Njohuritë që kam marrë këtu do të më ndihmojnë që të jem aktiv edhe në fusha të tjera.

Deutsche Welle: A janë të kërkuar në Kosovë njerëzit që specializohen jashtë?

Xhavit Avdyli: Ky është një deficit sa i përket çështjes së punësimit në krejt Ballkanin, jo vetëm në Kosovë. Nuk ka dëshirë aq të madhe për afrimin e këtyre njerëzve. Megjithatë ne do të bëjmë përpjekje dhe me siguri se do të gjejmë rrugët që të jemi aty ku duhet të jemi.

Deutsche Welle: Nuk mendoni se do të mbeteni pa punë?

Xhavit Avdyli: Ndoshta tre muaj po, por më tej nuk besoj se do të mbetem pa punë në Kosovë.

Deutsche Welle: Cili ishte aspekti më i papritur për ju duke parë Bundestagun nga brenda?

Esmeralda Kapisyzi: Një nga përshtypjet kryesore që do të marr me vete në Shqipëri është se në mbledhjet plenare, kam parë se si diskutohet dhe në fund arrihet të merret një vendim. Diskutohet po në mënyrë kosntruktive, pozitë –opozitë. Nuk është e papritur por kam menduar deri tani se duhet të ketë përplasje dhe shpeshherë në mbledhjet plenare nuk e kam vënë re një gjë të tillë. Procesi i marrjes së vendimeve është një proces gradual dhe kur një vendim arrin në mbledhjen plenare ai gati është i përfunduar. Por kur i kam parë kam patur në sfond gjithnjë Shqipërinë dhe deputetët shpeshherë reagojnë sikur një ligj, një votim është komplet i panjohur për ta dhe ka pasur raste dhe kur është bojkotuar salla plenare me javë të tëra. Dhe kjo është një gja që më ka bërë shumë përshtypje dhe ku deputët tanë mund ta mësojnë.

Xhavit Avdyli: Transparenca dhe përgjegjësia janë për mua të papriturat. Tek transparenca, sepse është gjithçka transparente prej fillimit të një ideje të një ligji e deri tek finalizimi. Unë si i huaj kam patur qasje në gjithë procesin e transparencës, duke mos folur për qytetarët gjermanë, të cilët dëshirojnë të jenë prezentë. Ndërsa tek përgjegjësia e cila tek ne mungon krejtësisht dhe këtë ja lejon sistemi i zgjedhjeve, që është i ndryshëm nga këtu. Deputeti ka përgjegjësi ndaj zgjedhësve të tij, dmth është pranë zgjedhësve të tij, mban kontakte të rregullta përmes zyrës që ka në zonën zgjedhore. Unë kam qenë i befasuar me numrin e e- mailave që merr dhe i përgjigjet deputeti nga zona ku është zgjedhur dhe aftësinë që t`u kthejë shumë shpejt përgjigje për çdo cështje aktuale që debatohet në bundestag. Gjatë javës ai punon rreth qindra e-maila. Ato kanë të bëjnë me tema për të cilat po diskutohet aktualisht në bundestag ose ka dhe kërkesa dhe probleme të thjeshta.