SHTYPI GJERMAN PER ZGJEDHJET NE KOSOVE | Studimi në Gjermani | DW | 24.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

SHTYPI GJERMAN PER ZGJEDHJET NE KOSOVE

default

Pjesa më e madhe e gazetave gjermane komentojnë në numrat e së hënës zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Po shkëpusim disa prej komenteve:

FRANKFURTER RUNDSCHAU vlerëson zhvillimin e zgjedhjeve, por sheh dritë dhe hije në Kosovën e pas zgjedhjeve:

"Paqësisht dhe në mënyrë të rregullt e zgjodhi Kosova parlamentin e saj. Ky është lajmi i mirë. Minoriteti serb i bojkotoi zgjedhjet. Ky është lajmi i keq. Ndënjia mënjanë e serbëve tregon se pesë vjet pas fundit të luftës, në Kosovë nuk ekziston ndjenja "së bashku", që t'i përfshijë të gjitha grupet popullore. Cështja tani është si mund të zgjidhet cështja e Kosovës duke përfshirë edhe Beogradin. Autonomi? Pavarësi? Ndarje? Edhe nëse synimi është i paqartë, rruga për atje është e qartë: ajo kalon nëpër bisedimet tripalëshe midis Prishtinës, Beogradit dhe Bashkësisë Ndërkombëtare. Në këto bisedime BE duhet të luajë një rol të rëndësishëm. Sepse për këtë janë dakord edhe shqiptarët, edhe serbët: të gjithë duan të bëhen qytetarë të BE." shkruhet në numrin e së hënës të FRANKFURTER RUNDSCHAU

Për komentatorin e gazetës WIESBADENER KURIER punët duken më të qarta:

"Zgjedhjet e para të organizuara nga shqiptarët në Kosovë janë, u pëlqen apo jo Kombeve të Bashkuara, një hap i madh në drejtim të mëvetështetësisë të provincës së shkëputur nga serbët. Për këtë kontribuon ecuria demokratike dhe korrekte e zgjedhjeve, ashtu edhe fitorja siç duket e qartë e presidentit të moderuar Ibrahim Rugova, të cilit mund t'i besosh më shumë se është në gjendje ta lidhë edhe minoritetin serb në një Kosovë të pavarur."

E të njëjtit mendim është edhe gazeta HANDELSBLATT që del në Dyseldorf:

"Megjithatë, të gjitha rrugët të çojnë drejt çlirimit së shpejti të Kosovës në pavarësi. Pas tërbimit të ish-diktatorit serb Sllobodan Miloshevic nuk mund të kërkosh më nga shumica shqiptare, që të bëjë pjesë edhe më tej në Serbi dhe Mal të Zi. Një fazë e ndërmjetme mund të ishte shndërrimi i Kosovës në një zonë të mirëbesimit të BE. Që prej trazirave të marsit, politikanët më të rëndësishëm shqiptarë dhe shumica e shqiptarëve mësuan se do t'u duhet të marrin përsipër më shumë përgjegjësi edhe për serbët, nëse nuk duan të prishin të ardhmen vetjake evropiane."

Më skeptike, e ftohtë për atë që vjen pas këtyre zgjedhjeve në Kosovë dhe përsa i përket opsionit të pavarësisë tregohet FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND që botohet në Hamburg:

"Zgjedhjet në vetvete janë një sukses, në shumë rajone krizash në botë...me këtë formulë përkufizohet një e ardhme me shpresë. Por nga zgjedhjet e djeshme parlamentare në Kosovë të mbetet një shijë jo e mirë. Zgjedhjet vërtet u lëvduan si të lira dhe korrekte, dhe me fituesin e tyre, Ibrahim Rugova, "Ghandi-n e Prishtinës", prezantohet një fytyrë miqësore. Por këtu votën e saj nuk e dha demokracia model e planifikuar si multietnike. Nuk ishte "një ditë e madhe për pranimin e pavarësisë së Kosovës", siç thotë Rugova. Kosova mbetet një protektorat i OKB-së dhe një nga kantieret më të mëdha të ndërtimit në portat e Evropës...

Fjalët e Rugovës tregojnë veç kësaj se çështja kryesore nuk ishte paraqitur fare për ta votuar: Cili do të jetë statusi që do të ketë Kosova në të ardhmen? Evropa këtu tregohet e paditur. Zgjidhja e deritashme "standarde para statusit" nuk do të mjaftojë më. Cështja e statusit djeg shumë - dhe kërkon një përgjigje të qartë, në rast nevoje edhe të fortë: Evropa as nuk duhet ta ushqejë dhe as t'i bëjë lëshim dëshirës për pavarësi. Një Kosovë e pavarur dhe e ushqyer nga nacionalizmi shqiptar është një anakronizëm në këtë kontinent. Mbetet pra vazhdimi i mundimshëm i adminstrimit "të zhdërvjellët", megjithatë e shoqëruar nga deklarata se e ardhmja e Ballkanit është në BE" , konkludon FTD.

Por pikërisht tek puna e Kombeve të Bashkuara në Kosovë e sheh vështirësinë komentatori i gazetës BERLINER ZEITUNG:

"Kjo tutelë e vazhdueshme e OKB-së për Kosovën është kthyer nga një nevojë e kohës së pasluftës në problemin e vërtetë për të ardhmen e vendit. Politikanët lokalë kanë zënë rehat me këtë situatë: ata vendosin si bosa për ndarjen e miliardave nga paratë e taksapaguesve të pjesës tjetër të Evropës, që transferohen në Kosovë. Këto para humbasin prej vitesh në një tokë pa taban, pa asnjë efekt për rindërtimin e Kosovës. Përgjegjësia për keqmenaxhimin dhe stanjacionin e dukshëm me sa duket mund të spostohet për mrekulli tek autoritetet e OKB-së, të cilat në fund të fundit mbajnë gjithë pushtetin vendimor. Por tani punët do të ndryshojnë, dëgjon të thuhet. Bashkësia ndërkombëtare do të fillojë të përcjellë përgjegjësinë dhe në mes të vitit të ardhshëm do të nisin negociatat për statusin e Kosovës. Por aktualisht, shpresat dhe pozicionimet e të gjitha palëve pjesëmarrëse janë aq jorealiste sa shkojnë deri në vetëmashtrim." shkruhet në numrin e së hënës të BERLINER ZEITUNG që del në kryeqytetin gjerman.

  • Data 24.10.2004
  • Autor Përgatitur nga AURON DODI
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ary4
  • Data 24.10.2004
  • Autor Përgatitur nga AURON DODI
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ary4