1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi i ndërkombëtar i javës për Kosovën

DW1 Dhjetor 2007

Mbas dështimit të negociatave mes shqiptarëve dhe serbëve nën udhëheqjen e Troikës mediat ndërkombëtare gjatë kësaj jave i kanë kushtuar vëmendje sërish fatit të Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit

https://p.dw.com/p/CVcC
Fotografi: dpa

E përditshmja bullgare nga Sofia DNEVNIK konstaton edhe njëherë mospajtueshmërinë e dy palëve:

"Me afrimin e datës 10 dhjetor retorika që vjen si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi po e humb çdo ngjashmëri me dialogun e negocitave dhe pajtimit, gjë që mund të pritej në se elitat politike shqiptare dhe serbe do të kërkonin një zgjidhje për Kosovën, qoftë edhe pjesërisht të pranueshme. Po bëhet gjithnjë e më e qartë që nuk ka një variant të pranueshëm nga të dyja palët dhe se të dyja palët po peshojnë veprimet e tyre të njëanshme për periudhën mbas datës X, që konsiderohet të jetë 10 dhjetori, kur do të përfundojnë negociatat ndërkombëtare për statusin e ardhshëm të protektoratit."

Gazeta çeke LIDOVE NOVINY në një edicion për internet, një ditë mbas negociatave, analizon qendrimet e vendeve të BE-së ndaj pavarësisë së Kosovës:

"Në se dështojnë negocitat, duhet të pasojnë veprat. Një fjali e tillë, kur ajo vjen nga Ballkani, ngjall frikë. Prej andej vjen edhe nervozizmi i përhapur në Evropë që nga dita e djeshme. Në Vjenë dështuan negocitat dhe së bashku me to edhe iluzioni, që Serbia dhe Kosova do të mund të jetonin së bashku në një lidhje të çlirshme. Po tani...?

Edhe meqënëse ushtarët e bashkësisë ndërkombëtare nuk kanë ndër mend ta vënë në rrezik jetën e tyre për ndonjë ide fisnike, praktikisht qysh sot e gjithë bota pret mbas 10 dhjetorit pavarësinë e Kosovës. Ta njohësh a mos ta njohësh? Kjo pyetje shekspiriane ka prioritete të dryshme në vendet e Evropës. Ato vende, që kanë vetë një Kosovë, si Sllovakia me zonat hungareze ose Spanja me territorin e baskëve, rrefuzojnë. Heshtin ato, që nuk humbin asgjë, por që nuk i kanë përtypur ende kujtimet e ndrydhura, si për shembull Çekia me ndarjen e zonave të sudetëve. Pak a shumë miratuese tregohen ato vende, që nuk kanë ç'të rrezikojnë.

Si mund të dëmshpërblehen serbët për territorin e sudetëve të tyre? A duhet t'i ofrohet Serbisë diçka që i bën konkurrencë Kosovës, si për shembull rregulla të posaçme për antarësim në BE? Apo mos duhet të përdoret antarësimi i plotë si mjet për ta korruptuar? Ky është tani provimi i pjekurisë për BE-në."

LUXEMBURGER WORT është e mendimit se Kosova duhet të bëhet e pavarur dhe kërkon prej Serbisë që ta tolerojë shkëputjen:

"Megjithë frikën se një Kosovë sovrane do të mund t'u shërbente separatistëve të gjithë botës si model për shkëputje, është e drejtë dhe e rëndësishme, që Prishtinës t'i jepet shansi që i takon për t'u rindërtuar dhe zhvilluar. Pa një Kosovë stabile dhe përparuese i gjithë Ballkani Perëndimor nuk do të mund t'i kapërcejë trazirat e luftës. Kjo vlen edhe për Serbinë. Mbas krimeve të luftërave, pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë, Beogradi duhet të hapë një kapitull të ri të historisë së tij larmishme: E ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian. ... Prania e BE-së në Kosovë do të jetë edhe në dobi të Beogradit, sepse ajo do të krijojë stabilitet. Në Evropën e bashkuar luan një rol të dorës së dytë, se a janë objektet e kulturës kombëtare në territorin tënd, apo në atë të një vendi partner."

Edhe NÉPSZABADSÁG nga Budapesti kërkon tani që fuqitë e mëdha të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje, duke marrë në konsideratë edhe trazirat që mund të shkaktojë ajo fillimisht:

"Vijon ajo çka ndodh vazhdimisht në Ballkan. Në vend të banorëve të tij, vendosin fuqitë e mëdha. Disa nga të prekurit e pranojnë, të tjerë jo. Prandaj edhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë sulme nga ana e serbëve dhe shqiptarëve dhe që ushtarët dhe policët ndërkombëtarë të stacionuar aty, mes tyre edhe hungarezë, të ndodhen në vështirësi për një farë kohe. Por jo në aq vështirësi sa ç'do të kishin nga zgjatja e e pasigurisë së stërzvarritur që mund të nxiste për shembull një kryengritje popullore të shqiptarëve."