1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtinë: Takimi në Uashington pa praninë e Thaçit

24 Qershor 2020

Pas njoftimit për akuzë për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi, ky i fundit anuloi udhëtimin për në SHBA. Në takimin në Uashington Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Hoti dhe Serbinë presidenti Vuçiq.   

https://p.dw.com/p/3eIJV
	
Kosovo | Präsident Hashim Thaci wegen Kriegsverbrechen angeklagt
Fotografi: AFP/A. Nimani

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndërpreu udhëtimin për në SHBA dhe gjatë ditës së enjte me 25.06 ai kthehet në Kosovë, njoftoi presidenca. "Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me iniciimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e presidencës. Nuk bëhet e ditur nga cili vend Thaçi kthehet në Kosovë, por, thuhet se për ndërprerjen e udhëtimit të tij drejt SHBA-së, është njoftuar edhe Shtëpia e Bardhë.

Edhe i ngarkuari amerikan për dialogun Kosovë Serbi, Richard Grenell, konfirmon, se ai është njoftuar për anulimin e vizitës së Thaçit në Shtëpinë e Bardhë, ku më 27 qershor është planifikuar takimi Kosovë-Serbi. "Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, shkroi Grenell në Twitter, duke njoftuar se takimi i së shtunës në Shtëpinë e Bardhë, nuk do të anulohet por, aty Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa, Serbinë, presidenti Aleksandër Vuçiq.

BE mbështet fort punën e Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale

Të merkurën me (24.06), Zyra e Prokurorit të Specializuar,  u dërgoi Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Mirëpo, kjo aktakuzë duhet të konfirmohet nga Gjykatësi i Procedurës paraprake, i cili ka afat deri në muajin tetor, ta konfirmojë apo ta hedhë poshtë atë.   

US-Gesandter Grenell bringt Kosovo in Aufruhr
Richard GrenellFotografi: picture-alliance/AA/M. Miskov

Pas publikimit të lajmit nga zyra e Prokurorit të Specializuar, reagoi Bashkimi Evropian, duke thënë se e "mbështet fort punën e Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale”, duke thënë, se ato janë "dëshmi të rëndësishme e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit", i cili njëherësh është element kryesor i rrugës së Kosovës në BE. "Është shumë e rëndësishme që Zyra e Prokurorit Special dhe Dhomave të Specializuara të vazhdojnë të bëjnë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje”, thuhet në reagimin e BE-së.

Reagime në Kosovë

Ngritja e aktakuzës për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa personave të tjerë, nxiti reagime në Kosovë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se ai beson thellë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. "Ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe e pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”, shkroi Isa Mustafa në profilin e tij social.

Kosovo | Regierungsschef Ramush Haradinaj tritt zurück
Fotografi: picture-alliance/dpa/AA/E. Keci

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vet dy herë është përballur në Hagë në dy gjykime për krime lufte, por ka dalë i pafajshëm, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të pastër, e cila ka rezultuar më vonë me pavarësinë e Kosovës. Haradinaj beson në pafajësinë e presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. "Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit”, shkroi Haradinaj.

Edhe Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ish-kryeministër i Kosovës, beson në pafajësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe thotë se "lufta e saj ka qenë e drejtë”. "E di që lufta çlirimtare e UÇK-së është luftë e drejtë, është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët, invalidët e UÇK-së edhe historikisht janë në të drejtën e tyre dhe tonën”, tha Albin Kurti, duke shtuar se "Kosova është dashur që moti ta ketë gjyqësinë e vet të pavarur dhe të paanshme që të hetojë, gjykojë dhe dënojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes, mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë”.

Symbolbild - Kosovo-Parlament berät über Misstrauensvotum
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Gjykata Speciale e cila përbëhet nga nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë e që e ka selinë e saj në Hagë, u themelua me këmbëngjen e bashkësisë ndërkombëtare në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e Gjykatës Speciale janë ndërkombëtarë. Ideja për themelimin e Gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Që nga viti 2019, mbi 200 ish- pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga prokurorët  e Prokurorisë së Specializuar.