1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndaloni masakrën! Thirrje për ndalimin e ofensivës në Gazë

17 Shtator 2025

Pas fillimit të ofensivës izraelite në Qytetin e Gazës Bashkimi Evropian dhe Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut bënë thirrje për ndërprerjen e saj.

https://p.dw.com/p/50aIA
Palestinezë duke u larguar pas fillimit të ofensivës izraelite në Qytetin e Gazës
Pas fillimit të ofensivës izraelite në Qytetin e Gazës Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për t'i dhënë fund "ciklit të dhunës, të shkatërrimit dhe të vuajtjeve".Fotografi: Mahmoud Issa/REUTERS

Ofensiva tokësore e Izraelit në Qytetin e Gazës mund të zgjasë për shumë muaj, thanë përfaqësues të ushtrisë izraelite. Sipas një zëdhënësi ushtria mendon që fillimisht do të duhen disa muaj para se ajo të vërë nën kontroll zonat kyçe. Po ashtu do të duhen disa muaj të tjerë për të eliminuar infrastrukturën e organizatave terroriste në qytet, që ndodhen në veri të Rripit të Gazës, tha Effie Defrin. "Ekziston një rrjet i gjerë tunelesh nën rrugë, që lidhin qendrat e komandës, raketat dhe depot e armëve", vazhdoi zëdhënësi i ushtrisë. "të gjitha këto janë fshehur qëllimisht nën infrastrukturën civile". Izraeli vlerëson se në Gazë ka midis 2.000 dhe 3.000 luftëtarë të Hamasit. Por momentalisht këto informacione nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Me tanke Izraeli filloi ofensivën në Qytetin e Gazës
Ofensiva tokësore e Izraelit në Qytetin e Gazës mund të zgjasë për shumë muaj, thanë përfaqësues të ushtrisë izraeliteFotografi: Menahem Kahana/AFP/Getty Images

BE bën thirrje për ndalimin e ofensivës

Pas fillimit të ofensivës izraelite në Qytetin e Gazës Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për t'i dhënë fund "ciklit të dhunës, të shkatërrimit dhe të vuajtjeve". "Ndërhyrja ushtarake do të çojë në më shumë shkatërrime, më shumë vdekje dhe më shumë zhvendosje", tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së në Bruksel. Gjithashtu, kjo do të "përkeqësojë situatën humanitare tashmë katastrofike dhe do të rrezikojë jetën e pengjeve", shtoi ai.

Pamje nga ofensiva tokësore e Izraelit në Qytetin e Gazës
Ofensiva tokësore e Izraelit në Qytetin e Gazës mund të zgjasë për shumë muaj, thanë përfaqësues të ushtrisë izraelite. Fotografi: Menahem Kahana/AFP/Getty Images

Po ashtu zëdhënësi njoftoi se Komisioni Evropian synon të vendosë sanksione kundër Izraelit. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen njoftoi para disa ditësh se do t'u paraqiste propozime shteteve anëtare për sanksione kundër ministrave ekstremistëdhe kolonëve të dhunshëm në Izrael. Po ashtu Komisioni u ka rekomanduar shteteve anëtare të pezullojnë marrëveshjet tregtare me Izraelin që janë pjesë e një marrëveshjeje partneriteti. Detajet pritet të shpallen gjatë ditës së sotme.

Persona duke u larguar pas fillimit të ofensivës në Gazë
BE tha se ofensiva do të përkeqësojë situatën humanitare tashmë katastrofike dhe do të rrezikojë jetën e pengjeve.Fotografi: Mahmoud Issa/REUTERS

Komisioneri i OKB-së: Ndaloni masakrën

Edhe Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, i bëri thirrje Izraelit që të ndërpresë menjëherë ofensivën tokësore në Qytetin e Gazës. "E vetmja përgjigje është: ndaloni masakrën", tha ai në Gjenevë. Ai shtoi se ka prova në rritje për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Përshkallëzimi i mëtejshëm është "plotësisht dhe absolutisht i papranueshëm".