Mohimi dhe glorifikimi i krimeve të luftës pengojnë pajtimin | Ballkani | DW | 19.07.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Mohimi dhe glorifikimi i krimeve të luftës pengojnë pajtimin

Këshilli i Sigurimit informohet një herë në gjashtë muaj nga Mekanizmi i mbetur nga Gjykatat Ndërkombëtare, IMRCT. Kësaj herë vend të rëndësishëm zuri dënimi i mohimit dhe glorifikimit të krimeve në ish Jugosllavi.

Këshilli i Sigurimit kërkoi të mërkurën (17.07) përmbylljen e proceseve të dënimit të krimeve të luftës të kryera në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, në një debat të hapur zhvilluar në ditën që përkoi me Ditën e Drejtësisë Ndërkombëtare. Gjykata Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë është mbyllur në dhjetor 2017 dhe ajo për Ruandën në dhjetor 2015, por me punën e mbetur përgjysmë është duke u marrë IRMCT, Mekanizmi Ndërkombëtar i mbetur nga Gjykatat Ndërkombëtare.

Ky mekanizëm është krijuar me një vendim të Këshillit të Sigurimit në vitin 2010, për të bërë me personel më të kufizuar dhe kohë më të shkurtër vazhdimin e gjykimeve. Fillimisht mandati i IRMCT ishte katër vjeçar, por ai u zgjerua dhe aktualisht është shtyrë deri në fund të 2020. IRMCT ka zyra në Hagë dhe në Arusha, Tanzani. Sipas rregullit, presidenti i IRMCT dhe Prokurori informojnë Këshillin e Sigurimit një herë në gjashtë muaj me një raport progresi. Në përgjithjësi debati nuk tregoi ndonjë ndryshim të tendencave politike kundrejt Gjykatës Ndërkombëtare. Rusia vazhdon të mbajë qëndrim kritik ndaj IRMCT, ashtu siç ka mbajtur qëndrim kritik ndaj Gjykatës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. 

Debati u hap nga presidenti i IRMCT, gjykatësi Carmel Agius i cili tha: "Drejtësia ndërkombëtare është problem i të gjithëve, sepse ajo i shërben paqes dhe paqja duhet ruajtur përditë”.  Agius e ka marrë këtë detyrë në janar të këtij viti.

Prokurori i IRMCT, Serge Brammertz, përmendi lënien në fuqi të dënimit për Radovan Karaxhiqin nga marsi i këtij viti dhe kthimin në denim të përjetshëm, si një shembull shumë të mirë që tregon se kur komuniteti ndërkombëtar është i vendosur drejtësia vihet në vend. Rasti i Ratko Mlladiqit mbetet për tu mbyllur në fund të 2020. Progres është shënuar në rigjykimet e Jovica Stanishiqit dhe Franko Simatoviqit.

Dihet vendi i të dyshuarve

Brammertz tha se zyra e tij ka informacione për vendndodhjen e disa prej personave të kërkuar nga Gjykata për krime të kryera në Ruandë dhe i kërkoi vendeve anëtare të bashkëpunojnë. Prokurori foli edhe për faktorët që pengojnë punën e zyrës, si përshembull mungesën e bashkëpunimit nga disa vende. Sa i përket përndjekjes penale në nivel kombëtar, duhet bërë më shumë për të vendosur drejtësi për viktimat. Autoritetet në Ruandë janë duke kërkuar 500 persona që i janë larguar drejtësisë. Për ish Jugosllavinë ka mijëra raste ku pritet të zhvillohen proceset. Homologët e IRMCT në vendet e ndryshme kanë nevojë për më shumë mbështetje, asistencë dhe këshilla për të vënë në jetë strategjitë kombëtare kundër krimeve të luftës, tha ai, duke vënë theksin në ndihmën që mund të japë bashkëpunimi rajonal.

IRMCT i ka kushtuar më pak vëmendje funksioneve të tjera, përfshirë mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve, monitorimin e rasteve bazuar në juridiksionin kombëtar, dhe ruajtjen e arkivit të IRMCT, si për Ruandën dhe për Jugosllavinë, tha Prokurori Brammertz. 

Mohimi i krimeve dhe glorifikimi i krimeve të luftës, vazhdojnë të mbeten problem, tha Brammertz. Në ish-Jugosllavi situata është përkeqësuar, një ministër e ka quajtur genocidin e Srebrenicës të pa vërtetë dhe një deputet parlamenti uron Mlladiqin për krimet e bëra, duke i quajtur ato aksione ushtarake madhështore. "Konseguenca është e qartë: mohimi dhe glorifikimi janë duke e destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe duke penguar pajtimin," tha ai, duke i bërë thirrje udhëheqësve politike dhe komunitetit ndërkombëtarë që të flasin për këtë çështje.

Rusia dhe Serbia kundërshtojnë

Përfaqësuesi i Federatës Ruse, e përshkroi mekanizmin si „në gjendje të përhershme mosrespektimi” të Rezolutës 1966, duke iu kthyer ngjarjeve të 20 viteve më parë, kur NATO kreu ndërhyrje ushtarake kundër ish-Jugosllavisë, duke vënë në shënjestër shtëpi, ura dhe shkolla. Në vend që të hetoheshin këto krime, u krijua miti se vetëm Beogradi ishte përgjegjës për luftën në Ballkan, duke ndëshkuar serbët dhe mbuluar të tjerët, tha ai. Kjo rrugë u vazhdua edhe nga Mekanizmi IRMCT, duke shoqëruar dënimet me fushata agresive të mediave, tha përfaqësuesi rus, duke iu referuar rasteve të Karaxhiqit dhe Mlladiqit. Ai tregoi shqetësim për gjendjen shëndetësore të Mlladiqit. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se Rusia nuk do të paguajë në fondin për IRMCT dhe kërkoi para se të largohej që në Prokurori Brammertz të shtojë kur flet për Kosovën, edhe referencën sipas Rezolutës 1244.

Videostill UN Web-TV Nela Kuburovic

Ministrja serbe e drejtësisë Nela Kuburoviç

Ministrja serbe e Drejtësisë, e ftuar në debatin e hapur, tha se disa vlerësime të raportit të fundit të prokurorit janë të pabaza, duke përfshirë edhe vlerësimin se "bashkëpunimi rajonal në fushën e drejtësisë për çështjet e krimeve të luftës është i pakënaqshëm”. Përkundrazi, tha ajo, krahasuar me periudhën e mëparshme, bashkëpunimi është më i zgjeruar. Mekanizmi perceptohet si një mjet për ushtrimin e presionit politik. As Prokurori, as Mekanizmi nuk kanë një mandat të tillë. Serbia ka bashkëpunuar duke ofruar akses në dëshmitë, dokumenta, arkivat dhe dëshmitarët. Bashkëpunimi me Bosnjën ka qenë në nivel të lartë tha ajo, duke premtuar që edhe me Kroacinë të përmirësohet.

Ministrja përmendi paragrafin 83 të raportit, në të cilin thuhet se "ekziston shqetësim i madh që aktualisht asnjë zyrtar i nivelit të mesëm nuk është dënuar... për pastrimin etnik të 800 mijë civilëve nga Kosova në mars dhe prill 1999". Këto pretendime janë të gabuara, tha ministrja. "Këto histori janë krijuar nga mullinjtë e propagandës për të justifikuar bombardimin 78 ditësh të vendit tim 20 vjet më parë," tha ministrja, duke shtuar se brutalizimi u bë pa asnjë arsye dhe pa asnjë vendim të marrë nga Këshilli i Sigurimit.

"Kurrkush nuk është gjykuar ose dënuar për një vepër të tillë, ndërkohë që zyrtarë të lartë serbë janë dënuar nga Tribunali për shkeljet e kryera në territorin e Kosovës dhe Metohisë, në mbrojtje të vendit të tyre", tha ajo. Lidhur me nismën e vendit të saj, që kërkon që të dënuarit ta kryejnë dënimin në Serbi, ministrja tha se riintegrimi i të dënuarve pas lirimit, do jetë më i vështirë nëse ata qëndrojnë jashtë atdheut. Ajo i rikërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të rishikojë praktikat ekzistuese për këtë çështje.

Karaxhiqi ka bërë krime edhe në vende të tjera

Përfaqësuesja e Kroacisë shprehu keqardhjen që Dhoma e Apelit nuk përfshiu edhe përgjegjësitë e Karaxhiqit për krimet e kryera në vende të tjera përveç Bosnjë-Hercegovinës. Ajo tha se në procesin e apelit, përfshirja e tij në veprimtarinë kriminale në Bosnjë- Hercegovinë, duhet të ishte pare e lidhur me udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë nën regjimin e Millosheviqit. Përfaqësuesja e Kroacisë inkurajon Mekanizmin të japë maksimumin në rastin e apelimit të Mlladiqit dhe në proceset e gjykimit kundër Stanishiqit dhe Simatoviqit.

Lidhur me moskryerjen e proceseve gjyqësore të Petar Jojiqit dhe Vjerica Radetas, ajo tha se Serbia duhet të bashkëpunojë me IRMCT dhe të zbatojë plotësisht vendimet e saj. Duke theksuar se bashkëpunimi i plotë me Mekanizmin është një nga kriteret për vendet e Ballkanit Perëndimor që të pranohen në Bashkimin Europian. Ajo tha se Kroacia nuk është aspak e kënaqur me mungesën e progresit nga ana e komisionit bilateral krijuar me Serbinë për çështjet e krimeve të luftës. Beogradi nuk tregon gatishmëri të hapë arkivat për të ndihmuar në kërkimin e personave që nuk janë gjetur që nga koha e luftës, tha ajo.

Videostill UN Web-TV Sven Alkalaj

Sven Alkalaj, përfaqësuesi i Bosnjë Hercegovinës duke folur në Këshillin e Sigurimit

Përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis prokurorit dhe autoriteteve të Bosnjë -Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë. "Më shumë drejtësi do të thotë më shumë besim dhe më shumë stabilitet në Bosnjë-Hercegovinë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor,” tha ai.

Gjermania iu bashkua vendeve që kërkojnë të gjenden tetë ruandezët e dënuar për krime lufte dhe i bëri thirrje vendeve ku mendohet të jenë fshehur ata, që t'i arrestojnë dhe t'ia dorëzojnë drejtësisë. SHBA ofroi 5 milionë dollarë për dhënien e informacioneve që çojnë në arrestimin e tyre. Të dyja vendet vlerësuan Afrikën e Jugut, e cila më në fund ka pranuar të bashkëpunojë me IRMCT.

Rreziqet nga toleranca

Përfaqësuesi i Gjermanisë paralajmëroi për rreziqet e rritjes së tolerancës ndaj këndvështrimeve nacionaliste, sidomos në Bosnjë- Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi. Gjermania ka pranuar të marrë katër të dënuar nga burgu i OKB në Hagë dhe inkurajon edhe vendet e tjera anëtare që të pranojnë transferimin e të dënuarve në sistemet e tyre penale.

Përfaqësuesja e SHBA shprehu mbështetje për përpjekjet e presidentit të IRMCT që të merret me dhunën seksuale. Duke vlerësuar zhvillimin e procesit kundër Karaxhiçit, ajo tha se genocidi i Srebrenicës ka qenë vrasja më e madhe masive e kryer në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe shprehu shqetësim që të dënuarit vazhdojnë të glorifikohen. Kush mohon të vërtetën mohon njerëzillëkun ndaj vendeve fqinjë, tha ajo. Barra për t'i kërkuar llogari njerëzve që janë përgjegjës për këtë nuk duhet tu bjerë viktimave, por shtetit.