1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me ide, arsye dhe angazhim të gjehet rruga për një të ardhme të mirë

25 Dhjetor 2009

Fjala e Presidentit gjerman Horst Köhler me rastin e Krishtlindjeve.

https://p.dw.com/p/LDKe
Presidenti gjerman Horst Köhler gjatë rregjistrimit të fjalës së tij me rastin e festës së Krishtlindjeve.
Presidenti gjerman Horst Köhler gjatë rregjistrimit të fjalës së tij me rastin e festës së Krishtlindjeve.Fotografi: AP

Të dashur bashkëatdhetarë,

ime shoqe dhe unë ju urojmë Gëzuar Krishtlindjet dhe Krishtlindje të bekuara. Ne mendojmë me mirënjohje tek lindja e Jezu Krishtit, dhe gëzohemi me cilindo që e respekton këtë, pa marrë parasysh besimin e tij.

Në ngrohtësinë dhe sigurinë e Krishtlindjeve ne gjejmë qetësi dhe hedhim një vështrim tek viti i kaluar.

Ne patëm bashkarisht gëzim në përkujtimin e 20-vjetorit të rënies së murit të Berlinit. "Ne jemi populli!" Thirrja e atëhershme është deri më sot porosi për secilin prej nesh, pasi demokracia jemi ne të gjithë. Dhe ne të gjithë mund të bëjmë diçka për vendin tonë. Miliona qytetarë dhe qytetare jetojnë sipas kësaj motoje. Ky angazhim na mban të bashkuar dhe e bën vendin tonë më të pasur. Kjo më gëzon.

Mendja më shkon edhe tek ushtaret dhe ushtarët tanë në Afganistan. Le t'i bëjmë vetes të qartë se ç'do të thotë shërbimi i tyre. Urime u dërgoj atyre si dhe bashkëatdhetarëve, të cilët larg vendit në shërbim policor apo të organizatave të ndihmave angazhohen për siguri dhe ndërtim paqësor. Të gjithë atyre ju dërgoj urime të përzemërta për Krishtlindjet.

Të jetojmë të kujdesshëm, kjo do të thotë edhe që të angazhohemi për një rend më të drejtë, tek ne dhe në botë. Këtu ka ende shumë për të bërë. Ne sapo përjetuam se si ekseset e aktorëve financiarë dhe mangësitë e mbikqyrjes shtetërore e zhytën botën në një krizë të thellë. Ne kemi nevojë për respektim dhe për rregulla më të mira në botën financiare.

Nëse duam që Toka jonë, dhe ne vetëm një kemi, të jetë edhe nesër atdheu që na strehon, atëherë duhet të sillemi më mirë me bazën e natyrshme të jetesës. Kjo do të thotë të jetojmë më të ndërgjegjshëm. Për një cilësi më të mirë jetese në harmoni më të mirë me botën.

Është fjala për atë që me ide, me arsye dhe me angazhim të gjehet rruga për një të ardhme të mirë. Le të guxojmë ta bëjmë! Bëhet fjalë për një politikë, që mendon dhe vepron përtej një kohe të shkurtër. Bëhet fjalë për një kulturë përkujdesjeje dhe miratimi, kudo.

Kjo krijon besim. Dhe secili prej nesh mund të kontribuojë.

Të gjithëve: Gëzuar Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të mbarë.

Autor:dpa/E.A.

Redaktoi: Eliana Xhani