1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lajçak-Escobar presin propozime konkrete nga Kosova e Serbia

25 Gusht 2022

Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak janë shprehur, se synimi i takimeve me udhëheqësit politik është parandalimi i një përshkallëzimi të mundshëm të situatës më 1 shtator.

https://p.dw.com/p/4G0PX
Unruhen an der Grenze Kosovo-Serbien
Bllokimi i rrugëve nga serbët në veri, më 31 korrikFotografi: Zylfije Adem Jakupi/AA/picture alliance

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së, Miroslav Lajçak, dy emisarët në dialogun Kosovë Serbi janë se takimet që ata po zhvillojnë në Kosovë, kanë si synim parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës më 1 shtator. Këtë ditë qeveria e kryeministrit Albin Kurti pritet të nisë zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave dhe dokumentet e udhëtimit. Escobar dhe Lajçak, thanë se presin nga Kosova dhe Serbia propozime konkrete për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve të udhëtimit serbe. Komentet u bënë pas takimeve që zhvilluan me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit e opozitës.

Mirosllav Lajcak und Albin Kurti
Fotografi: Mirosllav Lajqak

Lajçak: Nuk duam të lejojmë përsëritjen e 31 korrikut

"Mesazhi më i rëndësishëm është se ne jemi këtu së bashku me Gabriel Escobarin, së pari për të treguar unitetin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, që është i plotë dhe po punojmë së bashku kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe e dyta faktori ndërkombëtar është shumë i shqetësuar për atë që kemi parë në terren më 31 korrik dhe presim që ne të gjithë së bashku, negociatorët por edhe udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe për këtë jemi këtu”, tha Miroslav Lajçak.

Ky ishte edhe qëndrimi i të dërguarit amerikan, i cili tha se "të dyja palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator”. "Pra, tani jemi këtu për t'u siguruar që të gjitha dëshirat e mira dhe ai optimizëm të shndërrohen në një propozim konkret. Unë jam këtu për të mbështetur në fakt Kosovën dhe Serbinë për të gjetur një rrugë përpara për të gjitha këto çështje të vështira. Unë doja të sigurohesha që njerëzit të kuptojnë se vizita ime këtu ishte vërtet për të treguar mbështetje të plotë për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Gabriel Escobar, i cili së bashku me Lajçak nga Prishtina udhëtojnë të enjten për në Beograd.

Kosovo Pristina | Gabriel Escobar und Vjosa Osmani
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Osmani: Kosova asnjëherë nuk do tensione

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga ana e saj, tha se Prishtina asnjëherë nuk ka kontribuar në rritjen e tensioneve. "Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike, ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie”, shkroi Osmani në Facebook pas takimit me Escobar dhe Lajçak.

Ndërkohë kryeministri  Kurti është shprehur, se Kosova është e angazhuar për dialog parimor. "Kryeministri Kurti falënderoi z. Escobar dhe z. Lajçak për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuar artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë", u tha në një njoftim të qeverisë.

Mitrovica | Unruhen an der Grenze Kosovo-Serbien
Fotografi: Festim Beqiri/TV7News/dpa/picture alliance

A do të jetë 1 shtatori ditë e qetë?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq, ka thënë se dëshiron që të arrihet një zgjidhje kompromisi, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje/dalje në pikat kufitare, nëse edhe Beogradi vepron njësoj. Kryeministri Kurti, gjatë një mbledhje të qeverisë tha se pret që 1 shtatori, dita kur duhet të nisë zbatimi i vendimeve për targat dhe dokumentet serbe,  të jetë një ditë normale, ndërsa, sa i përket mundësisë që vendimet e qeverisë të pasohen me barrikada të serishme në rrugë, Kurti tha se "është çështje e organeve të rendit”.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë në Prishtinë për targat dhe dokumentet serbe. Pas heqjes së barrikadave nga serbët pasditen e 1 gushtit, Qeveria shtyu zbatimin e vendimeve për 1 shtator. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari, ka thënë se situata në veri të Kosovës është e qetë dhe se forcat ndërkombëtare nuk do të lejojnë më vendosjen e barrikadave. Më herët, krerët e NATO-s kanë thënë se ata janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë.