1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtyhet për një muaj vendimi për reciprocitet me Serbinë

1 Gusht 2022

Kërkesa që për një muaj të shtyhet vendimi i reciprocitetit me Serbinë u bë nga SHBA-së pas tensioneve në veri. Qeveria e Kosovës tha se kusht për shtyrje të vendimit është heqja e barrikadave serbe.

https://p.dw.com/p/4EwlV
Kosovo Zupce Straßenblockade
Fotografi: Fatos Bytyci/REUTERS

Qeveria e Kosovës e shtyu për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetitme Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë, me kusht që të hiqen barrikadat nga rrugët në veriun e Kosovës. Këtë vendim, qeveria e Kosovës e mori pak para mesnatës së 31 korrikut, pas kërkesës së SHBA-së. Këtë kërkesë e ka formuluar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas takimit me të gjithë udhëheqësit më të lartë të Kosovës.

"Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier.

Kumtesa e qeverisë

Qeveria e Kosovës në një komunikatë të lëshuar në mesnatë, tha se "e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje”. Sipas qeverisë, "bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar”, thuhet në njoftim.

Kosovo Zupce Straßenblockade
Fotografi: Fatos Bytyci/REUTERS

"Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq tha se “i kishte lutur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndikojnë mbi Prishtinën që të shtyjë zbatimin e vendimeve dhe t’u hapet mundësia bisedimeve në Bruksel”.

"Lutja"  e Vuçiqit

Beogradi zyrtarë megjithatë kundërshtoi ashpër masat e reciprocitetit  të vendosura nga Kosova dhe akuzoi Prishtinën për "veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës”. Presidenti i Serbisë Vuçiç, tha të dielën se "situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa i luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. "Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha Vuҫiq në një konferencë me gazetarë në Beograd.

Shtyrja e vendimit të Kosovës për një muaj për reciprocitet në dokumente të udhëtimit të Serbisë dhe targa të autmjeteve, u mirëprit nga Bashkimi Evropian. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se "BE-ja pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë dhe ai ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara.

Kosovo Zupce Straßenblockade
Fotografi: Fatos Bytyci/REUTERS

"Çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është thelbësor për rrugët e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian”, shkroi Borrel në Twitter.

Mbyllja e kalimeve kufitare

Policia e Kosovës mbylli dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, pasi grupe serbësh lokal bllokuan rrugët. Janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Policia në një njoftim bëri të ditur se nuk pati të plagosur nga të shtënat.

Forcat paqeruajtëse të NATO-os në Kosovë kumtuan se do të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ato nënvizuan se janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet stabiliteti.

KFOR-i i gatshëm për ndërhyrje

"Situata e përgjithshme në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja po vëzhgon nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria, në përputhje me mandatin e tij, që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit tyë Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it. Me tej thuhet se "komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovësdhe shefin serb të Mbrojtjes”.

Mitrovica | Unruhen an der Grenze Kosovo-Serbien
Fotografi: Erkin Kevßi/AA/picture alliance

"NATO-ja, vazhdon të mbështesë plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat. Kjo është thelbësore për paqen dhe sigurinë rajonale. Nuk do të ketë perspektiva reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pa respektim të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dialogu konstruktiv është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Nga ana tjetër, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se nëse Prishtina nuk tërhiqet nga dy vendimet e saja të fundit, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky Asociacion kundërshtohet nga Prishtina zyrtare që kërkesën e Beogradit e cilëson si kërkesë për Asociaion njëetnik gjë që sipas qeverisë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës.