Kosova një hap më afër liberalizimit të vizave për zonën Shengen | Ballkani | DW | 30.11.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosova një hap më afër liberalizimit të vizave për zonën Shengen

Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së e çojnë një hap përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ambasadorët autorizuan presidencën çeke që të vazhdojë procedurat.

Liberalisierung der EU-Visa für Albanien Tirana Feierlichkeiten

Pas shumë shtyrjesh, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian i dhanë dritën jeshile procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas këtij vendimi, presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash do t'i nisë negociatat me Parlamentin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës. Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është paraparë 1 nëntori i vitit 2023. Por, në rast se do të ketë vonesa për fillimin e implementimit të këtij sistemi, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024. Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe.

Hap i rëndësishëm...

Deutschland Einreise Visum Reisepass Kontrolle Flash-Galerie

"Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm për udhëtim pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë të arrijmë marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, tha ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të publikuar të mërkurën në uebfaqen e Këshillit Evropian.

Deri në liberalizimin e plotë të vizave për qytetaret e Kosovës, vendi duhet të synojë të ketë siç thuhet "marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat akoma nuk ka marrëveshje. Po ashtu Kosovës, i kërkohet të vazhdojë të përshtatë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera teknike që i kërkojnë vendet anëtare.

Vendimi i ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte paraparë të merrej javën e shkuar, por ai u hoq nga rendi i ditës me arsyetimin zyrtarë "për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe tensioneve që ishin shkaktuar për targat e makinave". Ishte kjo hera e parë që një vendim i procesit të liberalizimit, u ndërlidh direkt me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas marrëveshjes së dy vendeve për targat, çështja e liberalizimit të vizave u kthye në agjendë të ambasadorëve të mërkurën në takimin e tyre që zhvilluan në Bruksel.