Komisioni Evropian jep sqarime për ndihmat financiare për Kosovën | Evropa | DW | 28.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Komisioni Evropian jep sqarime për ndihmat financiare për Kosovën

BE-ja nuk ka para shtesë për realizimin e standarteve në Kosovë, por 100 milionët e premtuara nga Havier Solana janë pjesë e 284 milionë eurove që BE-ja ka ndarë për Kosovën gjatë viteve 2002 – 2003 dhe 2004.

Ndërtesa e Komisionit të BE-së në Bruksel

Ndërtesa e Komisionit të BE-së në Bruksel


Komisioni Evropian si i vetmi institucion përgjegjës për buxhetin e Bashkimit Evropia, i cili në bashkëpunim edhe me Këshillin e ministrave të BE-së si dhe Parlamentin Europian administron të ardhurat që shtetet e tij anëtare derdhin në arkën e përbashkët, ka vënë në dukje se BE-ja ka vetëm një arkë të përbashkët, nga hyjnë dhe dalin edhe të gjitha financimet apo ndihmat që Bashkimi Europian u ofron vendeve të tij anëtare, kandidate ose vendeve të treta. Këto sqarime u bënë menjëherë porsa shtypi i Kosovës njoftoi për 100 milionë euro të premtuara nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana.

Sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian, Emma Udwin, 100 milionët e premtuar nga Solana janë shuma arithmetike e ndihmave që i janë dhënë ose premtuar Kosovës për vitet 2002, 2003 dhe 2004.


Zyrtarët e Komisionit Evropian, sqaruan se BE-ja në programin e saj të ndihmave për vendet e treta përfshin rregullisht edhe Kosovën. Ndihmat që BE-ja i ofron Kosovën janë pjesë e programeve të saj CARD-s ku përfshihen të gjitha vendet e Europës Juglindore, të agjencisë së rindërtimi të Ballkanit me qëndër në Selanik, në kuadër të Paktit të Stabilitetit etj. etj. Prandaj Emma Udvin sqaron se edhe 100 milionët eurot të përmendura nga Solana, janë para që janë ndarë nga BE-ja në kuadër të këtyre programeve. Sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian, BE-ja nuk ka paraparë ndonjë buxhet të ri për standardet në Kosovë, por 100 milionët janë pjesë e ndihmave të dy viteve të kaluara dhe këtij viti, që BE-ja ka dhënë dhe po jep për Kosovën.

" Havier Solana kur ka përmendur 100 milionë eurot ka pasur parasysh ndihmat financiare që i janë dedikuar Kosovës në kuadër të buxhetit të programit CARDS për vitet 2002, 2003 dhe 2004 - deklaroi në konferencën e zakonshme të shtypit, që mbahet çdo mesditë në selinë e Komisionit Europian në Bruksel zëdhënësja e Kris Patenit, komisionerit Evropian të ngarkuar për çështjet e jashtme.

Sipas shifrave të Komisionit Evropian, ndihma e përgjithshme e BE-së për Kosovën, në kuadër të programit CARDS, gjatë dy viteve të kaluara dhe këtij viti arrin në shumën prej 282.8 milion EURO. Në kuadër të kasaj shume 155 milion EURO janë dhënë për vitin 2002, 76.3 milion për vitin 2003 dhe vetëm 51.5 për vitin 2004. E vetmja shtesë që ka ndodhur ishin 16.3 milionët e vitit të kaluar, duke e çuar kështë ndihmën e BE-së për vitin 2003 në 76.3 milion euro. Në kuadër të 282.8 milionëve për të 3 vitet, 100 milion nga kjo shumë, janë dedikuar për të përkrahur projektet për zbatimin apo arritjen e standardeve. Dhe Havier Solana ka pasur parasysh pikërisht këtë shumë kur ka folur për 100 milionë eurot, kanë theksuar zyrtarët e Komisionit Evropian.

  • Data 28.02.2004
  • Autor Viron Gjymshana, Bruksel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIC
  • Data 28.02.2004
  • Autor Viron Gjymshana, Bruksel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIC