1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hë për hë mbetet vetëm shpresa për një dimër të butë me pak nevojë për ngrohje

15 Nëntor 2007

Shtypi gjerman i së enjtes përqëndrohet në disa tema të politikës së jashtme dhe çmimet e energjisë në Gjermani dhe në botë.

https://p.dw.com/p/CDvZ
Burr duke lexuar Süddeutschezeitung
Duke lexuar SüddeutschezeitungFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb


Kështu në gazetën FLENSBURGER TAGEBLATT për zgjedhjet parlamentare në Danimarkë ndër të tjera lexojmë:

"Kurrë më parë nuk ka arritur partia liberale e djathtë anëtare e qeverisë Venstre të qëndrojë në pushtet për tri herë njëra pas tjetrës. Megjithë këtë shënim në librat e historisë, kryeministri Anders Fogh Rasmussen nuk del në asnjë mënyrë nga këto zgjedhje duke rrezatuar fitore. Vetëm sepse partneri konservator i koalicionit mori të njëjtën mbështetje në vota, vetëm për këtë arsye kryeministri Rasmusen mund të vazhdojë punën e tij. Venstre humbi thuajse tre përqind të votave. Kjo është një shifër e madhe për sistemin e copëtuar partiak të Danimarkës. Për këtë arsye, Rasmusenit do t'i duhet të kërkojë shumica nga rasti në rast. "

Ndërsa në gazetën e Berlinit, TAGESZEITUNG për zgjedhjet në Danimarkë ndër të tjera lexojmë: "Qeveria e tretë nën kryeministrin Anders Fogh Rasmusen pritet të jetë qeveria më e brishtë. Nga njëra anë ajo do të ketë të bëjë në të ardhmen me populistë të djathtë, të cilët nuk janë më dakord me një rol vetëm si furnizues shumicash. Nga ana tjetër, atë e shtyn një parti e re liberale e Mesit, e cila thuajse nuk ka të bëjë fare me të huajt si armiq, të preferuar nga Partia Popullore Daneze. Nga votat e tyre ai mund të varet shumë më dendur, se sa do t'i pëlqente."

Në gjendjen në Afganistan ndalet FRANKFURTER RUNDSCHAU: "Trupa mbrojtëse ISAF në Afganistan ka kohë që është kthyer në fuqi pushtuese, e cila të paktën në pjesën e tij të paqtuar dominon edhe ekonomikisht. Nëse ata tërhiqen, Karzai dhe kompani nuk do të mbaheshin dot më gjatë se sa dikur udhëheqja e Vietnamit të Jugut. Afganistani nuk është Vietnam. Kjo është e vërtetë. Por kujtimi i katastrofës së atëhershme mund të ndihmojë për t'u shpëtuar iluzioneve aktuale, për t'u shpëtuar për shembull atyre, sipas të cilave një JO në Bundestag i shërbente një qëllimi më të lartë se sa vetëqetësimit të disa deputetëve"

REUTLINGER GENERAL ANZEIGER ndalet në gjendjen në Pakistan ndër të tjera lexojmë: "Në një kohë që nuk është vendosur e ardhmja e Afganistanit, në Pakistanin fqinjë ka gjasa që po krijohet një situatë e ngjashme me atë në Afganistan në vitin 1995, kur talibanët radikalë-fondamentalistë nisën marrshimin e tyre të fitores. Pakistani nuk ka qenë kurrë një shtet me të vërtetë stabil. Tani ai kërcënon që të shpërthejë përbrenda. Ngjarjet kanë nisur të zhvillohen me shpejtësi të madhe. Në një kohë që talibanët dhe luftëtarët islamistë në veriperëndim të Pakistanit kanë marrë në një mënyrë të konsiderueshme kontrollin mbi luginën Swat, në Uashington po punohet me zell mbi planet për sigurimin e armëve atomike pakistaneze."

Çmimet e energjisë në tregjet botërore dhe në Gjermani është tema që preokupon gazetën HANDELSBLATT: "Diskutimi zhvillohet megjithatë me hapa shumë të vegjël dhe e errëson vështrimin për ndërthurjet globale. Sot diskutohet për çmime të larta energjie dhe gazi, nesër ndoshta për mbrojtjen e ambjentit dhe pasnesër për furnizimet e pasigurta me gaz nga Rusia. Që spiralja e cmimeve, mbrojtja e ambjentit dhe siguria në furnizim ndërthuren ngushtë me njëra-tjetrën, kjo shpesh harrohet. Njëkohësisht, debati shumicën e herëve zhvillohet me terma populistë. Megjithë zemërimin për konkurencën e pamjaftueshme në tregun gjerman të energjisë: debati për çmimet e energjisë dhe të gazit dhe fuqia e tregut e furnizuesve të mëdhenj, krijon përshtypjen e gabuar se energjia mund të shitet e blihet sërish me çmime të ulëta"

Po për të njëjtën temë së fundi edhe LEIPZIGER VOLKSZEITUNG: "Sërish në shumë vende janë ngritur çmimet e energjisë elektrike dhe të gazit. Në përputhje me këtë, gjiganti energjitik gjerman RWE njofton për shifra të mëdha fitimi. Ai që nuk ka depozituar paketa aksionesh te RWE- dhe cili është ai konsumator i vogël që ka bërë një gjë të tillë, ndihet e nëpërkëmbur ose i lënë në baltë nga politika. Derisa politika të merret vesh me propozimet e saj gjysmë të pjekura, të cilat shkojnë që nga fiksimi i çmimeve, deri te shkatërrimi i koncerneve, sahatët që masin energjinë dhe gazin tek konsumatorët do të rrotullohen edhe më tej me shpejtësi. Hë për hë mbetet vetëm shpresa për një dimër të butë me pak nevojë për ngrohje."