Gazetarët në Maqedoni ngrenë zërin e protestës | Shoqëria & Kultura | DW | 13.09.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Gazetarët në Maqedoni ngrenë zërin e protestës

Gazetarët në Maqedoni kanë ngritur zërin e protestës për cënimin e pavarësisë dhe lirisë së mediave. Trysnitë politike dhe interesat e qarqeve të caktuara të bisnesit po ngulfasin lirinë dhe pavarësinë e fjalës së lirë.

default

Gjendja e rëndë financiare, trysnitë politike, largimi nga puna dhe kushtëzimet e natyrave të ndryshme nga pronarët e mediave, janë problemet më të theksuara të gazetarëve në Maqedoni. Për t`i tejkaluar këto probleme, gazetarët kanë ngritur zërin e protestës duke kërkuar vendin e merituar në shoqëri. Me moton “Gazetaria është profesion me dinjitet” një grup gazetarësh kanë protestuar publikisht në sheshin e qytetit të Shkupit. Sipas tyre, duhet folur haptas për të gjitha problemet që ndikojnë dhe cënojnë pavarësinë e gazetarisë në Maqedoni. Misho Ivanov është gazetar që punon në media private. Ai mbështet çdo iniciativë të kolegëve të vet që do të garantonin një pavarësi sociale dhe profesionale për gazetarët. “Qeveritë ndërrohen, edhe pronarët e mediave gjithashtu ndërrohen, por problemet e gazetarëve mbeten të njëjta. Nuk mund të duroj më nënçmimet nga pronari dhe kushtëzimet se çfarë tekste duhet të shkruaj. Dua të jem i lirë në ushtrimin e profesionit të gazetarisë,” thotë Mishko Ivanov.

Shoqëria në Maqedoni është tejet e politizuar prandaj pavarësia e mediave është e rrezikuar si nga interesat e pronarëve të mediave poashtu edhe nga mentorët politik që dëshirojnë të kenë nën kontroll media të caktuara , thotë gazetarja Tamara Çausidis. “Presioni ndaj gazetarëve rrallë herë bëhet nga pronarët e mediave ose nga funkcionarë të lartë politik. Trysnitë vijnë nga redaktorët të cilët për interesa politike apo financiare janë dorë e zgjatur e qendrave politike dhe të biznesit “, vlerëson Tamara Çausidis.

Nënkryetari i Shoqatës së gazetarëve në Maqedoni, Gazmend Ajdini mbështet konstatimin se pavarësia e gazetarisë në Maqedoni është e cënuar. “Në Maqedoni ende kemi një liri të shtypit pjesërisht të lirë, kemi akoma ndërhyrje të politikës në punën e mediumeve, definitivisht kemi një presion ndaj mediumeve dhe gazetarisë,” thotë Gazmend Ajdini. Shoqata e gazetarëve është duke reformuar statusin e saj juridik dhe në të ardhmen do të jetë një institucion i cili do të mbrojë denjësisht interesat dhe të drejtat e gazetarëve thotë Gazmend Ajdini.

Ndikimet e shumta të partive politike të qendrave të ndryshme me ndikim nga pushteti por dhe biznesi ndaj punës së mediave janë bërrë dukuri e përditshme, thotë Sefer Tahiri ligjërues në fakultetin për komunikim dhe mas media në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gazetarët nuk e kanë lirinë apo autonominë e nevojshme që të publikojnë informacione apo të trajtojnë çështje ashtu siç e kërkon profesioni. “Shpesh janë të detyruar që të vetcenzurohen apo t`u bëhet cenzurë klasike nga pronarët e mediave dhe ky është fakt evident,” thotë komunikologu Sefer Tahiri. Mediat në Maqedoni përveç që ballafaqohen me një krizë të madhe financiare, ballafaqohen edhe me problemin e pavarësisë editoriale, kështu që mediat në vend se të jenë zëdhënës të opinionit publik ato janë të shëndruar në zëdhënës të partive në pushtet.

“Komuniteti i gazetarëve më shumë duhet të debatojë apo të trajtojë problemet që kanë në mesin e tij sepse gazetarët në Maqedoni janë të vetmit që flasin për problemet e politikanëve, për problemet sociale, ekonomike e kulturore por nuk flasin apo hezitojnë të debatojnë lidhur me statusin e gazetarëve brenda redaksive por edhe në shoqëri” , vlerëson Sefer Tahiri, ligjërues në fakultetin për komunikim dhe mas media.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 13.09.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PAgG
  • Data 13.09.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PAgG