1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frika e lituanezëve nga Rusia

Monika Griebeler / exh25 Maj 2014

45 vjet me radhë lituanezët kanë vuajtur nën sundimin sovjetik. Gjurmët ndihen deri ditët e sotme, veçanërisht të dukshme në krizën e Ukrainës. Lituanezët janë të gatshëm për çdo betejë.

https://p.dw.com/p/1C6Fn
Fotografi: DW/M. Griebeler

"Nëse do të jetë e nevojshme, do të rrok edhe armët për të mbrojtur vendin tim", thotë Kristijonas Vizbaras. I vendosur vështron ai drejt sheshit Lukiškių, në qendër të Vilniusit tek flamuri i madh me stemën e Lituanisë: Vytis, "kalorësi i bardhë" me veshjen e plotë luftarake.

Në të vërtetë Vizbaras është sipërmarrës, drejton së bashku me vëllezërit firmën lituaneze të lazerit Brolis. Por tani krahas biznesit në fundjavë del në pyje dhe stërvitet për luftë në rast të një pushtimi të mundshëm në Lituani. "Unë e di që njerëzit në Perëndim të Evropës thonë se kjo nuk do të ndodhë. Por më besoni: ne e njohim Rusinë shumë më mirë", thotë ai.

Që prej krizës së Ukrainës, Vizbaras është anëtar që ka bërë betimin i "Šaulių Sąjunga", një i ashtuquajtur union i qitësve në Lietuvo. Pas ushtrisë dhe ushtrisë së vullnetarëve, ai është linja e tretë e mbrojtjes e lituanezëve. Shoqata është themeluar që në vitin 1919. Gjatë javëve të kaluara numri i personave që kërkojnë të anëtarësohen është rritur me një të tretën: avokatë, mjekë, inxhinierë, nëpunës dhe biznesmenë si Vizbaras duan të jenë gati nëse Rusia hyn në Lituani. "Nëse në një fshat ka vetëm një ose dy policë dhe atëherë Rusia vendos atje dhjetë ushtarë, atëherë krijon kaos", thotë 30-vjeçari. "Për këtë arsye na nevojiten brigada lokale të cilat t'i mbajnë ata nën kontroll, derisa të mbërrijë ushtria e vërtetë."

Kristijonas Vizbaras do të jetë i pregatitur në rast të një sulmi rus
Kristijonas Vizbaras do të jetë i pregatitur në rast të një sulmi rusFotografi: DW/M. Griebeler

Ajo që ndodh në Kiev, përjetohet edhe në Vilnius

Tensioni në vend është i madh: në radio diskutohet nga mëngjesi në darkë për zhvillimet politike, për sigurinë e energjisë dhe për çështje të strategjisë ushtarake. Veçanërisht të moshuarit shqetësohen. "Kemi pasur disa përvoja të trishtuara me pushtimin sovjetik dhe kujtimet rizgjohen kur shohim situatën në Ukrainë", thotë një burrë i moshuar në Vilnius. Edhe kujtimet për luftën e tyre për pavarësi janë ende të gjalla, thotë njohësi i Evropës Lindore Felix Ackermann, i cili jep mësim në universitetin bjellorus në mërgim EHU në Vilnius. "Pamjet në televizion të tankeve dhe përfytyrimi se njerëz që protesojnë paqësisht qëllohen me armë zjarri dhe shtypen me tanke apo vriten në mënyra të tjera, ngjall frikëra të ngulitura thellë dhe kujtimet për atë që këtu quhet 'pushtimi rus'".

Veçanërisht në vitet e para të kohës sovjetike mijëra vetë u deportuan në Sibiri, thuajse e gjithë elita politike, ekonomike dhe kulturore. Edhe lituanezë më të rinj të rritur në shtetin tashmë prej 25 vjetësh të pavarur, i njohin historitë mizore nga gjyshërit e tyre dhe mësimi i historisë në shkollë. Megjithatë ata kanë shumë besim tek aletatët perëndimorë. Në fund të fundit vendi i tyre është anëtar në NATO dhe BE që prej vitit 2004.

Muzeu i KGB-së në Lituani
Muzeu i KGB-së në Lituani - kujtimet e sundimit sovjetik janë ende sot të dhimbshme për lituanezëtFotografi: DW/M. Griebeler

Çfarë do të ndodhtë nëse…?

Dhe aleatët kanë reaguar tashmë: në fillim të prillit NATO forcoi survejimin nga ajri në Balltik. Rreth 150 ushtarë nga SHBA janë ndërkohë në vend, zyrtarisht për qëllim stërvitje. "Aq më e habitshme më duket që megjithatë në radio, gazetë dhe në bisedat e njerëzve mundësia teorike e një aneksimi të Balltikur sipas skenarit të Krimesë shihet nga shumë vetë si një mundësi reale", thotë Ackermann.

Fjala është pikërisht për këtë mundësi, thotë Laura 36-vjeçare. "Ne i shohim avionët e NATO-s, i dëgjojmë ata dhe kjo na qetëson disi, por a do të na mbrojnë vërtet? Unë kam kaluar deri tani një jetë të qetë por tani lindin këto mendime: Çfarë do të ndodhte, nëse...?" Presidenti i Rusisë Putin ka synuar gjithnjë të zgjerojë territorin, influencën e tij.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë Linas Linkevičius kërkon për këtë arsye ashtu si homologët e tij në Estoni dhe Letoni, një prani të përhershme të NATO-s në vend. "Kërcënimi është real", thotë ai në bisedë me DW. "Nganjëherë duhet të përdoret një gjuhë e qartë, të cilën e kupton edhe kundërshtari."

Fjalë të qarta në fushatën për zgjedhjet presidenciale

Për Kristijanos Vizbaras fjala nuk është vetëm të marshohet me armë nëpër vend. "Bëhet fjalë edhe për ndërgjegjësim", thotë ai. Propaganda ruse përhapet aq shpesht sa njerëzit duhet të mbrohen nga lavazhi i trurit. "Ne shpjegojmë se përse është e rëndësishme që të mbrohen vlerat perëndimore të cilat kemi mësuar t'i vlerësojmë 25 vitet e kaluara."

Dhe për ato do të luftojë edhe Presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaitė. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale ajo e akuzoi Moskën për "ambicie imperiale". Nëse është në lojë siguria kombëtare, tha 58-vjeçarja, ajo është e vendosur të "rrokë edhe vetë armët", për të mbrojtur vendin e saj. Në zgjedhjet e balotazhit për postin e presidentit të dielën, Grybauskaitė është favorite e qartë.