Finlanda dhe Suedia aplikojnë për anëtarësim në NATO | Bota | DW | 18.05.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Finlanda dhe Suedia aplikojnë për anëtarësim në NATO

Pas sulmit rus kundër Ukrainës, Finlanda dhe Suedia kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesat për anëtarësim në NATO. Austria këmbëngul për neutralitetin.

Suedia dhe Finlanda kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në NATO. Dy vendet nordike kanë aplikuar bashkërisht për anëtarësim në Bruksel. "Ky është një moment historik në një kohë kritike për sigurinë tonë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Dëshira e Suedisë dhe Finlandës për t'u bashkuar me aleancën ushtarake është e motivuar nga shqetësimet e sigurisë që lidhen me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Të dyja vendet deri atëherë kishin ndjekur me vendosmëri një politikë të aleancës jo ushtarake.

Ratifikimi: një proces më i gjatë

Këshilli i NATO-s tani do të shqyrtojë aplikimet për anëtarësim. Anëtarë janë përfaqësues të 30 vendeve të Aleancës, të cilët duhet të marrin një vendim me konsensus për avancim. Sipas diplomatëve, ratifikimi nga 30 parlamentet e partnerëve të aleancës mund të zgjasë deri në një vit.

Së fundi, Turqia la të kuptojë qartë në disa raste se do të pranojë një anëtarësim në NATO të Finlandës dhe Suedisë vetëm me koncesione. Presidenti Recep Tayyip Erdogan e shpjegon pozicionin e tij, ndër të tjera, me mbështetjen sipas tij të të dyja vendeve për Partinë e ndaluar të Punëtorëve Kurdë (PKK) dhe milicinë kurde YPG në Siri.

Ministri i Jashtëm austriak këmbëngul për neutralitetin e Austrisë

Ministri i Jashtëm austriak Schallenberg nuk sheh asnjë arsye që vendi i tij të largohet nga neutraliteti. Alexander Schallenberg i tha radios gjermane Deutschlandfunk se neutralitet ushtarak nuk do të thotë neutralitet politik.

Austria sillet në solidaritet dhe mbështet qartë ukrainasit. Vendi i tij e ndihmon Ukrainën masivisht në fushën humanitare. Politikani i ÖVP vuri në dukje se shumica dërrmuese e austriakëve vazhdojnë të favorizojnë lirinë e aleancës ushtarake, pavarësisht nga lufta në Ukrainë në afërsi. Schallenbergu theksoi se Austria megjithatë ka dhënë kontributin e saj në sigurinë evropiane.

Edhe kancelari Karl Nehammer deklaroi pas një takimi me homologun e tij çek Fiala në Pragë, se çështja e anëtarësimit në NATO nuk shtrohet për Austrinë. Ndryshe është puna për Finlandën dhe Suedinë, të cilat kanë një histori të ndryshme.

dpa, dlf, tgsch