BE-OKB: Dialogu Beograd-Prishtinë prioritet për të dy vendet | Ballkani | DW | 09.02.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

BE-OKB: Dialogu Beograd-Prishtinë prioritet për të dy vendet

Vendet që përkrahin Kosovën në Këshillin e Sigurimit kërkojnë rishqyrtim të rolit të UNMIK dhe vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi.

"Kosova ka bërë progres dhe është koha që ta njohim këtë gjë,” thotë ambasadori gjerman në OKB, Christoph Heusgen.  Në ditën që Këshilli i Sigurimit të OKB, mbajti një takim për Kosovën, të enjten më 7 shkurt, ambasadori Heusgen u tha gazetarëve se përveç uljes së numrit të takimeve për Kosovën, kërkohet që të bëhet "një rishikim strategjik” i misionit UNMIK, sepse gjendja në bazë është stabilizuar. "UNMIK ka kryer një mision të rëndësishëm dhe ka ende detyra për të kryer, por ne do të shohim nëse këto detyra mund të merren përsipër nga organizata të tjera,” tha ambasadori Heusgen. Më e rëndësishmja për të është "që dialogu midis serbëve dhe kosovarëve të vazhdojë dhe ne duhet të kemi progres të tij.”

Gjermania kundër ndryshimit të kufijve

Ambasadori Heusgen theksoi, se Gjermania nuk është për korrigjim kufijsh: "Korrigjimi i kufijve nuk çon në asgjë pozitive. Sepse kur fillon të ndryshosh kufijtë nuk e di se ku përfundojnë.” tha ai. Mbasi foli për gazetarët ai hyri në sallën e Këshillit të Sigurimit, në takimin për Kosovën.

Në takim morrën pjesë ambasadorët në OKB të 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, pesë të përhershme dhe dhjetë të përkohshme si dhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçic dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. Të gjithë kanë pasur mundësi të lexojnë më parë raportin 15 faqesh,  që Sekretari i Përgjithshëm i OKB ka përgatitur për aktivitetet e UNMIK tre muajt e fundit, 15 tetor- 15 janar. Fjalia e parë e raportit thotë: "Gjatë kësaj periudhe tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës kanë vazhduar të rriten, duke pasur efekt negativ mbi perspektivën e një dialogu pozitiv”. Raporti përmban një pjesë për aktivitetet e EULEX-it dhe një faqe raport për aktivitetet e Dhomës Speciale.

Fotos der Vertreter im Sicherheitsrat der Vereinten Nationen (UN)

Ambasadorët e vendeve aktuale anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB, pesë të përhershëm dhe dhjetë të përkohshëm

Diskutimet Prishtinë vazhdojnë 

Takimi nisi me shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin, i cili me video konferencë  foli rreth dhjetë minuta për gjendjen në Kosovë duke e filluar me fjalinë:  Kjo periudhë ka qenë e karakterizuar nga veprimtari dhe retorika që nuk kanë ndihmuar në përmirësimin perspektivës së dialogut politik, midis Beogradit dhe Prishtinës.” Tendenca ka qenë tek përçarja më shumë se sa tek qetësimi i situatës,” tha Tanin për gjendjen. Mungesa e një qëndrimi të unifikuar në Prishtinë për kushtet për rifillimin e dialogut me Beogradin, ka arritur pikën kritike tha ai duke shpjeguar se diskutimet për parimet e qendrimit të ardhshëm të Prishtinës vazhdojnë. "Të dyja palët duhet të përgatisin bazën për marrëveshjen që mund të arrihet mes palëve. Kjo kërkon më shumë angazhim të palëve të interesuara, përfshirë pjesëmarrjen e grave në proceset që kanë lidhje me dialogun.

Daçiç dhe "e ashtuquajtura  Kosovë”

Ivica Daçic, ministri i Jashtëm i Serbisë kërkon vazhdimin e takimeve të Këshillit të Sigurimit si dhe më parë, me raportimet e Sekretarit të Përgjithshëm. Sipas tij, UNMIK nuk e ka përfunduar ende misionin. Ai bëri thirrje që të krijohen kushte që të zhvillohen bisedime konstruktive duke shtuar se marrëveshja e Brukselit nuk është zbatuar,  për krijimin e komunave serbe si pjesën më të rëndësishme të saj. Kur flet për Kosovën ministri e quan atë herë "e ashtuquajtura Kosovë” herë Kosova dhe Metohija. Daçiç u ankua gjatë për vendosjen e taksave. Ai iu kthye çështjes së deklarimit të Kosovës e pavarur dhe njohjes së pavarësisë nga shtete të tjera. Dikur u morr me ngjarjet e viteve nëntëdhjetë në Kosovë, të cilat i ktheu me kokë poshtë.

USA, New York: UN - Vlora Citaku - Kosovo (picture-alliance/L. Muzi)

Vlora Çitaku, Ambasadore e Kosovës në SHBA në takimin e Këshillit të Sigurimit

Mallrat kosovare nuk lejohen në Serbi

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, kujtoi vitet e shtypjes që çuan në luftën e 1990. Duke shënuar 20 vjetorin e çlirimit, Kosova kujton rolin që Kombet e Bashkuara kanë luajtur. Ajo shtron pyetjen pse duhet mbledhur Këshilli i Sigurimit tri herë në katër muajt e fundit, për të folur për Kosovën. "UNMIK nuk ka më rol për të luajtur në Kosovë dhe nuk ka më mandat,” tha Çitaku. Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ka të bëjë me të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si komb i lirë, theksoi ajo. Çitaku argumentoi vendosjen e taksave me mos pranimin në Serbi të mallrave kosovare.

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Karen Pierce, thotë se i vjen keq që nuk dëgjoi pranimin e ngjarjeve që çuan botën në 1999, por "mospendim, mospranim i masës së krimeve të luftës të bëra në terren”, të njohura nga gjykata ndërkombëtare. "Kosova nuk është më vend në konflikt dhe është duke u integruar gjithnjë e më shumë në komunitetin ndërkombëtar”, tha ajo. Karen Pierce kërkon po ashtu rishikim të punës që bën UNMIK si dhe vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë të ofruar nga BE.

UN-Sicherheitsrat in New York | Jonathan Cohen, USA (picture-alliance/AP Photo/R. Drew)

Jonathan Cohen, Përfaqësuesi i dytë i përhershëm i SHBA në OKB

Jonathan Cohen, zëvendësambasador i SHBA-së në OKB, kërkoi reduktimin e misionit të UNMIK, duke theksuar rolin që SHBA ka luajtur në OKB dhe në programin e zhvillimit, UNDP. Ai mbështeti dialogun e ndërmjetësuar nga BE, duke e quajtur "prioritet për të dy vendet”.