1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Barroso kritikon politikanët gjermanë për refuzimin nga opinioni të paketës së shpëtimit të euros

25 Maj 2010

Sipas presidentit të Komisionit të BE-së Barroso politika gjermane nuk u ka bërë të qartë qytetarëve përfitimet ekonomike që ka vendi prej euros. Shkaku i krizës duhet kërkuar tek deficitet e larta të buxheteve publike.

https://p.dw.com/p/NWMZ
Presidenti i Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso.
Presidenti i Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso.Fotografi: AP

Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso, i kritikoi politikanët gjermanë, se janë bashkëfajtorë për refuzimin mjaft të përhapur në publik të paketës për shpëtimin e euros. Në një intervistë për gazetën gjermane FAZ Barroso tha, se asnjë prej partive politike gjermane nuk u ka shpjeguar qytetarëve, se sa të mëdha janë përfitimet ekonomike, që ka vendi prej euros. Barroso përmendi në këtë kontekst tepricat në bilancin tregtar të Gjermanisë në tregun e BE-së si dhe rritjen e eksporteve gjermane në vendet e tjera anëtare. Barroso kërkoi që qytetarëve t'u bëhet sa më e qartë, se ç'përfitime kanë prej euros. Për këtë Barroso është pro forcimit të paktit të stabilitetit të euros dhe të disiplinës buxhetore të vendeve të BE-së.

Problemi i eurozonës janë deficitetet në buxhetet publike

Euroja është monedhë shumë e fortë, dhe problemi i vërtetë i BE-së dhe i eurozonës nuk është euroja. Shkaku i krizës duhet kërkuar më tepër tek borxhet e larta të buxheteve publike, tha Presidenti i Komisionit të BE-së. Barroso ka shpresë se si reagim ndaj krizës, kultura e stabilitetit që ekziston në Gjermani do të përhapet në të gjitha vendet e BE-së. Si shenja të mira në këtë drejtim Barroso sheh diskutimin e fundit që është ngjallur në Francë në lidhje me sanksionimin në kushtetutë të një neni, që parashikon një kufi për frenimin e borxhit të shtetit. Sa u përket kursimeve brenda BE-së Barroso tha, se "do të çuditej sikur organi që drejton do të propozonte për buxhetin e ardhshëm një shumë më të ulët nga ajo e tanishmja." Ai tha se globalizimi, kërkon që politika të bëhet më tepër përmes BE-së.

Kursimet në shpenzimet publike shpëtimi i euros!
Kursimet në shpenzimet publike shpëtimi i euros!Fotografi: DW

Marrëveshja për paktin e stabilitetit nuk mund të ndryshojë

Në lidhje me disa propozime të qeverisë gjermane lidhur me ashpërsimin e paktit të stabilitetit të euros Barroso u shpreh skeptik. Sipas tij nga këndvështrimi kushtetues është thuajse e pamundur, që "mëkatarëve të buxhetit" t'u heqësh të drejtën e votës përtej rasteve të parashikuara në të. Ai hodhi poshtë edhe dëshirat e qeverisë gjermane në lidhje me ndryshimin e kushteve të marrëveshjes. Barroso tha se do të ishte naive të besoje se në një rast të tillë shtetet e tjera nuk do të kishin dëshira për ndryshime të kësaj marrëveshjeje, për më tepër po të sjellësh në mendje "përvojat pjesërisht traumatike", që pati BE-ja me ndryshimin e kësaj marrëveshjeje.

Presidenti i Komisionit të BE-së tha se është i hapur për idenë, që pagesa e ndihmave të BE-së të varet prej disiplinës buxhetore të vendeve përkatëse dhe shtoi, se "ndonjëherë krizat kanë edhe një gjë të mirë. Në vend të diskutimeve pro dhe kundër politikës së stabilitetit, diskutimet tani sillen rreth forcimit të paktit të stabilitetit."

Autor: FAZ / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani