1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Veriu i Kosovës: "Ka zgjidhje alternative, mali punon“

27 Nëntor 2018

"Bëni çfarë të doni, por ju lutem pa viktima". Kështu mendojnë shumë serbë në veri të Kosovës, të cilët janë mësuar me kriza në dy dekadat e fundit. Reportazh nga veriu i Mitrovicës.

https://p.dw.com/p/38y1E
Kosovo Nord-Mitrovica
Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

Rruga prej Serbisë deri në veri të Mitrovicës përmes Podujevës (Besiana) vazhdon pa asnjë problem. Nuk ka ndalime apo pritje të gjata në kufi, në veçanti nëse në kufi ndërron targat e Serbisë dhe i vendos ato të Kosovës. E kur mbërrijmë në Mitrovicë, në orët e para të mëngjesit, në rrugë sheh kryesisht vetëm policë. Shumë policë - në çdo hap. Por pak më larg shohim edhe radhë të gjata para bankave dhe bankomatëve. Njerëzit duan të tërheqin para.

„Po presim, sepse tani ka para mjaft. Por mund të ndodhë që as para të mos ketë, sepse ka ndodhur edhe më parë. Nuk do të ishte hera e parë", thotë një burrë i moshuar dhe sugjeron: „Nëse keni nevojë për para, futuni në rend, sepse nuk i dihet".

Në dyqane ka mjaft mallra

Në dyqane nuk sundon rrëmujë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për futjen e taksave 100 % në mallrat që vijnë nga Serbia. Mallra ka mjaft, shitësit thonë se kanë edhe rezerva. „Kemi pak mungesë të qumështit, mallra të tjera kemi mjaft, ndërsa çmimet nuk kanë ndryshuar“, thotë shitësi Zhivorad Todoroviq. „Do t'ia dalim edhe disa ditë me këto mallra që kemi. Shpresojmë se këta tanët nga qeveria e Serbisë, por edhe nga qyteti i Mitrovicës, do ta zgjidhin problemin. Nuk mund të vazhdojë kështu - njerëzit po vuajnë, fëmijët nuk kanë qumësht. As të moshuarit, askush. Rezervat po pakësohen gjithnjë e më shumë, sepse askush nuk ka magazina tepër të mëdha për të krijuar rezerva të mëdha mallrash."

Kosovo Nord-Mitrovica
Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

Zhivoradi pranon të flasë me gazetarë, por shumë të tjerë jo. Njerëzit këtu, siç thonë, janë ngopur me të gjitha. Megjithatë ata thonë se tani nuk kanë frikë për luftën me taksa, por nuk është e njëjta situatë nëse kjo vazhdon pafund.„Unë kam rezerva të qumështit në shtëpi edhe për një apo dy ditë", thotë një grua e moshuar, e cila ka dalur të shëtisë me nipin e saj. „Ky vërtet është një problem i madh, e ne për fat të keq jemi mësuar që gjithmonë të mungojë diçka“, thotë një tjetër. „Unë jetoj vetëm, nuk kam nevojë për shumë gjëra, ndaj nuk është ndonjë problem i madh. E dini atë - mund të jetosh edhe pa atë që nuk e ke." As gazetat e ditës nuk kanë mbërritur këtu nga dita e enjte. Por në rrugë mund të shohësh persona me gazetën "Informer" në dorë. „Pse thoni që nuk ka, të gjitha i kemi“, thotë njëri me këtë gazetë në dorë.

Kosovo Nord-Mitrovica
Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

Rrugët alternative

Ivan Miletiq, pronar i një dyqani ku shiten edhe gazetat dhe gjërat shtëpiake, shpjegon se këto gazeta kanë shkuar në adresën e njerëzve dhe nuk kanë ardhur përmes dyqanit. "Ndoshta i ka sjellë dikush nga Rashka, sepse përmes distributorëve nuk ka mbërritur asnjë gazetë dhe mallra të tjera, prej ditës së enjte“, thotë Ivani. Tani po jetohet nga rezervat, por rezervat mund të zgjasin deri në fund të javës. E pastaj?

Ndërkohë shohim një makinë nga e cila nxirren kuti me qumësht. Në pyetjen prej nga vjen ky qumësht, dëgjojmë një përgjigje me nguti: „Ekzistojnë rrugët alternative - mali punon". Këtu ai flet për rrugët e shumta jolegale për furnizim me mallra, por as këto nuk janë më të sigurta, sepse flitet se shqiptarët kanë shkuar me KFOR-in deri te këto rrugë në mal. Ata kanë nisur kontrollet edhe në këto rrugë, të cilat mund të mbyllen. "Ata mund të marrin edhe makinën dhe të arrestojnë, ndërsa ne shkojmë për të marrë vetëm disa gjëra".

Kosovo Nord-Mitrovica Milan Ivanovic
Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

„Nga frika janë përgjysmuar edhe lindjet"

Banorët e Mitrovicës do të mblidhen sërish për protesta në qytet. Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës Igor Simiq, i bën thirrje pas një takimi të shtabit të krizës nga katër komunat e veriut të Kosovës që njerëzit të mos bien pre e provokimeve. Ai thotë se provokimet do të vazhdojnë. Krahas qytetarëve, më të cënuarat janë institucionet, si qendra shëndetësore por edhe qendra studentore, e cila duhet të ushqejë 5000 studentë.

„Prishtina me vendimin e saj po cënon jetën e njerëzve mbi baza etnike“, thotë drejtori i Qendrës Shëndetësore, Milan Ivanoviq. Ai pohon se Qendra ka probleme në furnizimin me medikamente, materialet për spital dhe gjërat e tjera të domosdoshme.

„Deri tani kemi mjaft gjëra për të trajtuar të gjitha pacientët, por nëse kjo vazhdon, atëherë me siguri që do të kemi probleme. Nga frika prej shqiptarëve, javën e fundit kemi pasur përgjysmë më pak lindje, ndërsa tri ditët e fundit kemi pasur në spital vetëm një lindje, që është shumë më pak se zakonisht. Problemet më të mëdha i kemi me mungesën e oksigjenit, sepse për më shumë se një muaj nuk e kemi miratimin e Ministrisë kosovare të Shëndetësisë për mallra të reja", thotë drejtori i spitalit Ivanoviq.

Kosovo Nord-Mitrovica Milica Andric Rakic
Gazetarja Milica Andric-RakicFotografi: DW/J. Djukic Pejic

"Skenarët e përgatitur"

Gazetarja e portalit „Kossev" Milica Andric-Raki, mendon se situata pas masave të fundit ëshë shumë më serioze se më parë. "Deri tani, gjithmonë kur ka pasur ndonjë krizë ekonomike apo politike, kemi pasur përshtypjen se jemi me ndonjë emision televiziv dhe se bëhet fjalë për ndonjë shfaqje të dakorduar mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne jemi zonë interesi mes dy qeverive, dy presidentëve, dy kuvendeve dhe ata na përjetojnë neve si një treg për ngritjen e kapitalit të tyre politik. Çdoherë kur dikujt i bie vlera tek votuesit, atëherë vjen këtu dhe krijon ndonjë trazirë. Kam frikë se kësaj radhe nuk kemi krizë të orkestruar, se nuk ka ndonjë marrëveshje për këtë krizë."

„Duket se vendimi i qeverisë së Kosovës është disi pjesë e një fushate. Por mediat serbe nuk e kanë regjistruar se ky vendim është marrë vetëm një ditë para seancës së Parlamentit, ku është folur për mossukseset dhe skandalet e ministrisë së Jashtme të Kosovës “, thotë Milica Andriq-Rakiq. Ajo mendon se ngritja e taksave për 100% e ka vazhduar kohëzgjatjen e Ramush Haradinajt dhe qeverisë së tij.

Me këtë konstatim është dakord edhe Rada Trajkoviq, ish-politikane e Kosovës dhe kryetare e organizatës joqeveritare „Lëvizja Evropiane në Kosovë". "Unë mendoj se ky vendim i qeverisë është politik, e shkaku është që kryeministri Ramush Haradinaj është kundër ndarjes së Kosovës dhe në këtë mënyrë ka dashur të ndalojë apo ndërprejë negociatat mes Vuçiqit dhe Thaçit. Por me këtë vendim janë cënuar edhe fqinjtë e mi shqiptarë."

„Por duhet ditur se monopolin e importit në Kosovë e kanë biznismenët shqiptarë, të cilët paguajnë shumë të mëdha parash për një vit. Asnjë serb nuk ka monopol në importin e asnjë malli nga Serbia. Të cënuar janë pra sipërmarrësit shqiptarë, por edhe populli shqiptar, sepse e shoh që edhe buka është shtrenjtuar. Ne gjithmonë kemi qenë një hapësirë për kontrabandë, e në situatën më të re hapet mundësia për kreativitet edhe më të madh“, mendon Trajkoviq. Pikërisht për këtë shkak pritet që vendimi të tërhiqet shpejt.

Kosovo Nord-Mitrovica Rada Trajkovic
Rada TrajkovicFotografi: DW/J. Djukic Pejic

"Jemi mësuar"

Nga ana tjetër, gazetarja Milica Andriq-Rakiq nuk beson se do të ndodhë kjo, sepse kjo do të ishte vetëvrasje politike e kryeministrit Haradinaj. Ajo rikujton deklaratën e tij, se çdo qytetar ka të drejtë të shkojë në Serbi dhe të furnizohet me mall në vlerë deri në 200 euro për person. Ai ka bërë llogarinë se në një makinë private mund të futet mall në vlerë deri në 800 euro, që mjafton për një muaj.

„Njerëzit janë të habitur me të gjitha", thotë Andriq-Rakiq. „Ngritja e parë e taksave prej 10% ka qenë deri diku logjike në krahasim me këtë prej 100%. Por them se njerëzit këtu janë mësuar me masa të ndryshme dhe me kriza të vërteta apo të imagjinuara. Këtu kemi këtë atmosferë: Mund të bëni çfarë të doni, por pa viktima", thotë gazetarja. Por ajo paralajmëron se "edhe krizat e paramenduara mund të shkallëzojnë dhe të dalin jashtë kontrollit. Ndonjëherë nevojitet vetëm një person që të shkallëzohet gjendja.

 

 

Jelena Djukic-Pejic/Mitrovica e Veriut