Tsvangirai : Nuk duam të luajmë këtë lojë të Mugabes - Opozita bojkton balotazhin presidencial
23 Qershor 2008Morgan Tsvangirai ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve më 29 mars të këtij viti. Sipas shumë vëzhguesve ai ishte zgjedhur president, por pas shumë vërejtjeve dhe ankesave, Komisioni Zgjedhor kumtoi se Morgan Tsvangirai ndonëse ka fituar më shumë vota, as ai dhe as presidenti aktual Robert Mugabe nuk kanë fituar shumicën absolute, e domosdoshme për zgjedhjen në këtë post. Muajt e kaluar ka pasur keqtrajtime masive të opozitarëve. 84 - vjeçari Mugabe, i cili me mjete diktatoriale drejton vendin që nga viti 1980, pohon se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë fitoren e opozitës.
"ZANU - PF nuk humbet kurrë", thotë ai për partinë e tij. Prej simpatizantëve përshëndetet me duartrokitje, ndërsa shumë të tjerë tregojnë plagët e marra për vite me radhë. Këtë e konfirmojnë edhe shumë aktivistë për të drejtat e njeriut. "Sjellja e tanishme e regjimit nuk ëshë as ndonjë risi dhe as ndonjë strategji e re".
Menjëherë pas fitores në vitin 1980, Mugabe dërgoi njësitë speciale të ushtrisë, që keqtrajtonin dhe vrisnin kundërshtarët. Këto njësi ishin nën kontrollin e tij të drejtëpërdrejtë. Gukurahundi - kështu e quajnë njerëzit në Zimbabve luftën e brendëshme të Mugabes në vendin e vet. "Mijëra njerëz kanë vdekur. Deri tani nuk dihet nëse janë të vdekur janë: 5000, 10.000 apo 20.000. Lufta civile e ka paralizuar vendin, e ka shkatërruar demokracinë. Eshtë tepër larg mundësisë që të bëhet model i Afrikës", thotë shkenctari John Makumbe.
Këtë e ka kuptuar edhe lideri opozitar, Tsvangirai i cli nuk do të futet në vallen e Mugabes. "Zoti Mugabe ka krijuar kushte të pamundshme për zgjedhje dhe ka deklaruar se nuk do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve, në rast humbjeje. Nën këto kushte ai pret të legjitimojë pushtetin e vet. Bota duhet ta dijë, se nuk ka nevojë për të ashtuquajtura zgjedhje, në qoftë se Mugabe që tani e konsideron veten president. Ne nuk duam ta legjitimojmë pushtetin e Mugabes. Nuk do të lejojmë që ta bëjë budalla popullin e Zimbabves. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta parandalojë, sepse ne nuk duam të luajmë këtë lojë të Mugabes."