Tiranë: Gjermania vijon ndihmat humanitare kundër pandemisë
18 Janar 2021Gjermania i dhuroi Shqipërisë 1000 oksimetra pulsi për pacientët e diagnostikuar me COVID-19 në rrezikshmëri të lartë jete, për të monitoruar edhe ata vetë nivelin e oksigjenit në gjak, bën me dije në median sociale Ambasada Gjermane në Tiranë. Ky donacion vjen pas dhurimit më parë të respiratorëve dhe do të vijojë me 500 mijë maska për personelin mjekësor.
Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, e cilësoi vijimin nga Gjermania të mbështetjes së Shqipërisë në luftën kundër pandemisë COVID-19, "një mënyrë për të plotësuar mbështetjen e madhe që Bashkimi Europiani i ka dhënë Shqipërisë”, bëjnë me dije burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë.
Përfaqësuesja dhe drejtuesja e OBSH në Shqipëri, Dr. Bettina Mennen e vlerësoi "të shpejtë dhe në kohë” mbërritjen e donacionit gjerman të oksimetrave. "Në këtë betejë jemi së bashku! Askush nuk është i sigurt, derisa të gjithë të jemi të sigurtë!”, tha Dr. Bettina Mennen, në ceremoninë e dorëzimit të oksimetrave autoriteteve shëndetësore Shqipërisë.
Mbështetja gjermane - një paketë prej më shumë se 10 milionë eurosh
Donacionet e ditëve të fundit në përballimin e pandemisë COVID-19 janë në kuadër të një pakete prej më shumë se 10 milionë euro të mbështetjes gjermane për Shqipërinë që përfshin këshillim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, financim shtesë të Fondit të Garancisë së Kredive Rurale për zbutjen e pasojave ekonomike të pandemisë, sigurimin e programeve të trajnimit për personelin mjekësor dhe ndihma humanitare për grupet në nevojë.
Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë "të vazhdojnë të respektojnë masat e nevojshme parandaluese” dhe ka falenderuar "spitalet, mjekët/et dhe infermier/ët/et për punën e tyre të vështirë”.
Kritikat e kryeministrit Rama për vaksinimin e reagimi i Gjermanisë dhe Francës
Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi anti-covid i personelit mjekësor, që filloi më 11 janar, në sajë të dhurimit nga një vend i BE, i një sasie të parë prej një 1 mijë dozash. Autoritetet e shëndetësisë kanë deklaruar që në javën e tretë të janarit, (21.01.) do të mbërrijnë në Shqipëri 10 mijë dozat e para të vaksinës anti-covid të siguruara nga një marrëveshje e drejtpërdrejtë e qeverisë Rama me kompaninë Pfizer/BioTech.
"369 mjekë dhe infermierë të vijës së parë të betejës me COVID-19 janë sot më të mbrojtur nga virusi i rrezikshëm, pas kryerjes së dozës së parë të vaksinës anti - COVID në Qendrën e Vaksinimit në Air Albania Stadium, në 6 ditët e para të vaksinimit, teksa procesi do të vijojë edhe sot, pa u ndalur. Javë pas jave rrisim gradualisht ritmin sipas planit të vaksinimit” bëri me dije në median sociale, të shtunën, (16.01) kryemnistri Rama.
Vendimi i BE për të mos përfshirë në planin e tij të vaksinimit gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka sjellë një qëndrim të vendosur kritik të kryemnistrit Rama. Ai e cilësoi vendimin "të papranueshëm moralisht dhe politikisht, të pa justifikuar logjikisht”, pasi, sipas tij, vendet e BE nuk mund të mbarojnë menjëherë të gjithë dozat që kanë në dispozicion dhe prej tyre mund të lihej një "pjesë, sado e vogël, për vendet e rajonit, për mjekët që janë në spitalet anti-Covid”.
Ambasadori Gjerman Zingraf i cilësoi në median sociale qëndrimet kritike të Kryeministrit "një shenjë padurimi në kohë krize. Edhe në Gjermani, vetëm një pjesë shumë e vogël e popullsisë është vaksinuar dhe kuptohet që njerëzit janë të paduruar,” ka vënë nëw dukje ai. "BE ka mundësuar një paketë prej 70 milionë eurosh për gjashtë vendet partnere të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, për të siguruar vaksinat,” ka theksuar në median sociale ambasadori Zingraf.
Ambasada franceze reagoi të shtunën, (16.01) ndaj ilustrimit me Francën nga kryeministri Rama të mendimit të tij që vendet e BE nuk mund të konsumojnë menjëherë sasitë e vaksinave që posedojnë. Sipas burimeve zyrtare në një "Notë verbale” drejtuar nga kjo ambasadë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, për dijeni Presidentit të Republikës, Parlamentit shqiptar dhe Delegacionit të BE-së, Ambasada Franceze e quan "të pavërtetë” informacionin që Franca ka stok vaksinash.
"Ambasada Franceze konsideron se nuk është e përshtatshme të sulmosh në këtë mënyrë nominative, një vend mik dhe aleat”, citohet të jetë shkruar në "Notën verbale”
Kryeministri Rama reagoi të dielën, (17.01) duke shkruar në median sociale se "Nuk kam asgjë me Francën, mund të kisha marrë një shembull tjetër, lënia jashtë e vendeve të rajonit në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE nuk ka asnjë justifikim, në asnjë plan”.
Në fillim të këtij viti, Komisioni Europian bëri me dije se portofoli prej 2.3 miliardë dozash të vaksinës anti Covid të BE nuk është vetëm për BE, por edhe për BP, për të cilat BE ka vënë në dispozicion 70 milionë euro nga programi IPA, ku secili vend i BE mund të blejë direkt vaksinat anti-Covid nga vende anëtare të BE.
Shqipëria filloi vaksinimin në 11 janar, me 975 vaksina Pfizer/BionTech, të dhuruara nga një vend i BE, emri i të cilit nuk është bërë ende publik ”për arsye konfidencialiteti dhe respektimi të kërkesës së vetë vendit dhurues” ka theksuar Rama. Nga ky vend priten edhe 2 mijë vaksina të tjera. Shqipëria ka siguruar me një marrëveshje dypalëshe me kompaninë Pfizer/BionTech 500 mijë doza vaksinë anti-Covid dhe 1 milion e 140 mijë vaksina nga COVAX.
Mbeten të pandryshura masat kufizuese
Autoritetet shëndetësore kanë bërë me dije se në gjysmën e parë të këtij muaji, rastet e reja të infektuara me virusin COVID-19 janë rritur: nga 217 në 260 për 100 mijë banorë. Ato bëjnë me dije se është zgjeruar shtrirja gjeografike e infeksionit, nga 44 bashki të prekura në 50 , ku ka raste të reja. Numri i të infektuarve me virusin ka arritur në 67.216 raste nga të cilat 40 mijë janë të shëruar, kurse viktimat janë 1270 persona. Tirana vazhdon të jetë vatra më e nxehtë me një total prej 17.800 të prekurish që nga fillimi i pandemisë në marsin e 2020, e ndjekur nga Durrësi me 3.230 raste, Fieri me 2.854 dhe Korça me 2282. Masat kufizuese do të vijojnë edhe në gjysmën e dytë të janarit të pandryshuara.
"Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendim që të vijojnë të mbeten në fuqi masat e kufizimit të lëvizjes së popullatës, nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit; pezullimi i aktivitetit të bareve dhe restoranteve nga ora 22 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar, mbeten të pezulluara deri në datën 1 Shkurt dhe më pas do të ketë një rivlerësim të këtij vendimi,” bëri me dije Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.