1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa mbrohet: "Mur" kundër dronëve

27 Shtator 2025

Incidentet e fundit me dronë në Danimarkë, Rumani dhe Poloni nxorrën në pah, se ku çalon mbrojtja evropiane. BE-ja do të veprojë me një sistem mbrojtës.

https://p.dw.com/p/519Bq
Teknologji letoneze për mbrojtjen nga dronë
Vendet baltike investojnë masivisht në teknologjinë e dronëve, pas nuk kanë avionë luftarakë të vetëtFotografi: Natalia Smolentceva/DW

Një "mur" dronësh, i cili do të përdorë teknologji të përparuar për të zbuluar, ndjekur dhe kapur mjete ajrore pa pilot. Ky është thelbi i projektit  që planifikon BE-ja, të ndërtojë një sistem mbrojtës nga dronët në krahun e saj lindor. Ministrat e Mbrojtjes së BE ranë dakord për këtë në një video-konferencë të premten (26.09), siç njoftoi Komisioneri i Industrisë së Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius.

"Muri i dronëve" është pjesë e një projekti më të gjerë për mbikëqyrjen e krahut lindor të BE-së, i cili përfshin gjithashtu sisteme mbrojtëse tokësore, siguri detare për Detin Baltik dhe Detin e Zi, si dhe inspektim të situatës me informacione satelitore.

Instrumentet e BE-së pritet të përdoren për financimin e mburojës.  "Mburoja mbrojtëse për krahun lindor, me murin e dronëve si thelbin e saj, do t'i sjellë dobi të gjithë Evropës",  theksoi Kubilius.

Komisioneri i BE për Mbrojtjen,  Andrius Kubilius duke folur në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes, BE-Ukrainë, 12 maj 2025, pas tij flamuri ukrainas dhe ai i BE
"Mburoja mbrojtëse për krahun lindor do t'i sjellë dobi të gjithë Evropës", tha Komisioneri i BE për Mbrojtjen, Andrius KubiliusFotografi: Lukasz Kobus/EU

Gjermania synon të përmirësojë mbrojtjet nga dronët

Pas alarmeve për dronëDanimarkë dhe Norvegji, niveli i kërcënimit në rritje nga dronët po diskutohet edhe në Gjermani. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt tani dëshiron të vendosë rregullore të qarta, madje t'i lejojë Bundeswehr-it edhe të rrëzojë dronë në raste të caktuara.

Dobrindt dëshiron të rregullojë më mirë kompetencat ligjore për t'u mbrojtur nga dronët, raportojnë medita gjermane. Një katalog përkatës masash do të përcaktojë, ndër të tjera, se kur Bundeswehr-i do t'i lejohet të rrëzojë mjete ajrore pa pilot në kushte të caktuara. Ndërhyrja e armatosur duhet të jetë e mundur, nëse një dron përbën një kërcënim akut për njerëzit apo infrastrukturën kritike dhe kur masat e tjera mbrojtëse janë të pamjaftueshme. Në situata të tilla krize, kompetenca e vendimmarrjes duhet t'i takojë Ministrisë Federale të Mbrojtjes, raportohet në media.

Dron rus i rrëzuar në një fushë në një fshat polak
Shkelje masive me dronë rusë në hapësirën ajrore polake u konstatuan dy javë e gjysmë më parë. Fotografi: Dariusz Stefaniuk/REUTERS

Ukraina e gatshme të ndihmojë

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal, deklaroi se vendi i tij ishte "gati të merrte pjesë në projektin e mburojës së dronëve". Në luftën kundër Rusisë,  Ukraina ka zhvilluar një gamë të tërë aftësish për të zbuluar dhe rrëzuar duzinat ruse të dronëve me kosto efektive. "Muri i dronëve do të krijojë një ekosistem thelbësisht të ri mbrojtës në Evropë", shkroi Shmyhal në internet.

Një koncept për mbrojtje dukshëm më efektive nga dronët në krahun lindor të BE-së ka qenë në zhvillim e sipër prej muajsh. Por nevoja për këtë u bë më emergjente pas shkeljes masive me dronë rusë në hapësirën ajrore polake dy javë e gjysmë më parë. Avionët luftarakë të gjeneratës së fundit duhej të qëllonin me raketa të shtrenjta për të rrëzuar dronët e lirë.

Ndërhyrje me dronë rusë janë raportuar edhe nga Rumania. Kohët e fundit, dronë të paidentifikuar hynë gjithashtu në mënyrë të përsëritur në hapësirën ajrore daneze, duke paralizuar aeroportet për orë të tëra. Autoritetet dyshojnë se pas incidenteve qëndron një "dorë profesioniste".

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare