Thaçi: Do të jap dorëheqje nëse konfirmohen akuzat | Ballkani | DW | 29.06.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Thaçi: Do të jap dorëheqje nëse konfirmohen akuzat

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një adresim drejtuar qytetarëve të vendit tha, se njoftimi për aktakuzë kundër tij nga Prokuroria Speciale pa u konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake është një “skandal”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një fjalim drejtuar qytetarëve të Kosovës tha, se ai është i gatshëm të jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij. Zyra e Prokurorit Special pesë ditë më parë publikoi njoftimin se ka  paraqitur një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidendti Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Krimet e dyshuara përfshijnë: vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të njerëzve, përndjekje dhe tortura.

Presidenti Thaçi njoftimin e prokurorit special për aktakuzë ndaj tij e cilësoi si një "ngutje e rrufeshme” dhe "shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor”.

"Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi. Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është: Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, tha presidenti Thaçi, duke shtuar se në ditët e ardhshme ai "do të konsultohet me liderët politikë për hapat e mëtejmë”.

"Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, tha Thaçi.

Në aktakuzën e prokurorit special  pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme. Këto pretendime të prokurorit special duhen vërtetuar ose hedhur poshtë nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Njoftimin për aktakuzë nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë kundër Hashim Thaçit, pa u konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, presidenti e cilësoi një "skandal”.   

"Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik”, tha presidenti Thaçi.

Në ditën kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pritej t'i adresohej qytetarëve lidhur me hapat e tij të mëtutjeshëm që kanë të bëjnë me aktakuzën e paraqitur kundër tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama,  filloi një vizitë zyrtare në Kosovë. Rama gjatë ditës shkroi se "qëndron në Kosovë për të biseduar rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve.

"Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, shkroi Rama në Twitter. Kryeministri i Shqipërisë, takoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetaren e kuvendit Vjosa Osmani, kryeministrin Avdullah Hoti dhe liderin e lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti.

Kryeministri Avdullah Hoti, gjatë takimit me kryeministrin Rama, tha se Kosova ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t'i përballuar me dinjitet sfidat.

"Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës  që nuk u mbështet as nga faktori ndërkombëtar.