Tepër arrogant për post kaq të lartë? | Evropa | DW | 21.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Tepër arrogant për post kaq të lartë?

Buxheti i fundit i ministrit të thesarit dhe kryeministrit të ardhshëm britanik Gordon Brown

Ministri britanik i thesarit Gordon Brown

Ministri britanik i thesarit Gordon Brown

Ministri britanik i thesarit Gordon Brown i paraqet sot parlamentit projektbuxhetin e tij të fundit. Që ky do të jetë i fundit, këtë presin të paktën të gjithë vëzhguesit politikë në Angli. Brown, rivali i përjetshëm brendapartiak i kryeministrit Blair, do të marrë pas disa muajsh postin e tij, një kandidat rival në Partinë Laburiste nuk duket në horizont. Megjithatë në elektorat pozicioni i tij është shumë më pak i sigurt, sepse vetëinskenuesi i shkëlqyer David Cameron, udhëheqësi i ri Partisë Konservatore, qëndron prej muajsh në vend të parë në shkallën e popullaritetit. Një portret i kryeministrit të ardhshëm britanik.

"Ekonomia britanike është e fortë dhe po bëhet më e fortë."

Kështu e njohin dhe e vlerësojnë shumica e britanikëve Gordon Brown-in: si ministër të financave, i cili deklaron rritje ekonomike të qëndrueshme. Ai ia del ta bëjë këtë që prej dhjetë vjetësh, kaq gjatë nuk ka arritur ta bëjë asnjë paraardhës i ti në këtë detyrë.

Por Brown nuk është vetëm ministri i thesarit me kohën më të gjatë në post, ai është edhe princi politik i kurorës që pret për kohën më të gjatë për vendin e kryeministrit. Problemi i Brown-it është ky: me 56 vjet ai nuk duket aspak i freskët dhe është bashkëpërgjegjës për vendimet jopopullore të viteve të fundit si lufta e Irakut. Madje as shokët e partisë nuk e kanë të qartë se çfarë do të përmirësojë Brown-i me tu bërë kryeministër.

"Dhjetë vitet e ardhshme sjellin sfida të ndryshme nga ato të dhjetë viteve të fundit. Rreziqet për sigurinë janë më të mëdha se asnjëherë më parë, askush nuk mund t'i vlerësonte rreziqet për mjedisin në 1997-ën sikurse sot, dhe ka sfida ekonomike. Të gjitha këto bëjnë të nevojshme një politikë të re në këtë vend dhe një stil të ri qeverisjeje."

Megjithatë pikërisht stili personal i Brown-it po kritikohet asgpër. Lordi Turnbull, dikur zyrtar i lartë në ministrinë e ekonomisë, e ka akuzuar Brown-in për (citat) "harbutëri staliniste". Sipas tij, ai është krejtësisht mospërfillës kundrejt të tjerëve dhe nuk lejon kurrfarë diskutimi mbi përmbajten. Stephen Wall, deri pak kohë më parë këshilltar i Brown-it për politikën evropiane, është i të njëjtit mendim.

"Nuk më kujtohet asnjë kohë kur ka pasur kaq pak komunikim midis ministrisë së financave dhe pjesës tjetër të qeverisë - dhe kam 35 vjet në shërbimin publik përfshirë këtu kohën tepër brutale të Thatcher-it. Kjo nuk është e mirë për një kryeministër të ardhshëm."

Atë që disa e kritikojnë tek Brown-i të tjerë e shohin si aftësi për të arritur synimet, për shembull ministri i arsimit Alan Johnson:

"Natyrisht që ai e di se çfarë do dhe punon plot përkushtim. Kur nuk matesh dot me dikë si Brown, kur argumenetet tuaja nuk janë aq të mira sa duhet, atëherë ky nuk është problemi i tij, por juaji."

A do të flasë një kryeministër Gordon Brown në terma të barabartësh me amerikanët, ndryshe nga Tony Blair, i cili u shpotit si qeni i prehrit i George Bush-it? Të paktën Brown duhet të tregojë më shumë distancë kundrejt Washington-it, përndryshe ai do t'i humbasë shumë shpejt pikët tek britanikët, thotë historiani Timothy Garton Ash. A do të ktheht Brown-i nga euroskeptik në proevropian? Nuk mund të përjashtohet, mendon Ash, i cili megjithatë nuk pret shumë të risi.

"Qeverisja Blair ishte gjithnjë dyshja Blair dhe Brown. Ky ishte një çift politik. Dhe si tek të gjitha çiftet politike, kur njëra gjysmë largohet, paraqitja nuk është më aq e suksesshme. Besoj se si kryeministër Brown-i do të jetë i njëjti si tani, por më pak intensiv."

Pritjet janë të pakta, vlerat e sondazheve të këqija - Gordon Brown gjendet 15 për qind pas udhëheqësit të opozitës konservatore David Cameron. Por ndonjë sfidues brendapartiak nuk duket në horizont. Kështu me fillimin e korrikut kryeministri britanik do të quhet vërtet Gordon Brown. Nëse ai do të mund t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme, kjo është çështje tjetër.

  • Data 21.03.2007
  • Autor Ralf Borchard
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8Y
  • Data 21.03.2007
  • Autor Ralf Borchard
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8Y